Dita e zgjedhjeve/ Incidentet, në Finiq kërcënohet deputeti i PS, Bejleri në Himarë pa kartë identiteti

 

 Artan Cena

Incidentet, në Finiq kërcënohet deputeti  i PS,Policia e Vlorës ka shoqëruar gjatë ditës së djeshme vëllanë e kandidatit të PBDNJ-së, Jani Babi në Finiqi. Ai akuzohet për kërcënimin e deputetit socialist Andrea Mano.

Në Shqipëri nuk ka pasur një ditë zgjedhjesh që të mos kishte incidente elektorale. Që gjatë natës së shtunë ka pasur probleme që janë evidentuar më shumë edhe gjatë ditës së djeshme. Ndër incidentet më të rënda gjatë ditës së djeshme ka qenë ai i ndodhur në Lezhë, ku një i afërm i kandidatit të Partisë Demokratike është qëlluar dhe goditur me qytën e pistoletës në kokë. Ngjarja ndodhi në lagjen e romëve të këtij qyteti. Ndërkaq në Shkodër, në mëngjes dhe në mbrëmje ka pasur dy herë përleshje mes komisionerëve. Në të dyja raste është braktisur komisioni i votimit, ndërsa në mbrëmje njëri prej anëtarëve e mori vulën  dhe iku. Ndërsa Policia e Vlorës bëri të ditur se gjatë natës kishte shoqëruar vëllanë e Jani Babit, kandidatit të PBDNJ-së në bashkinë e Finiqit. Policia sqaroi se shoqërimi i tij ishte bërë sepse në mesnatë kishte kërcënuar me jetë deputetin e PS-së, Andrea Mano.

 

Shkodër

Në Shkodër ka pasur dy incidente elektorale, njëri në mëngjes dhe tjetri në mbrëmje. Në mëngjes është ndërprerë procesi i votimit në fshatin Bardhaj. Shkak i kësaj ndërprerje mësohet se është bërë një incident, ku komisioneri i Partisë Socialiste Kol Ndre Pepaj është qëlluar fizikisht nga disa persona që mendohet se janë mbështetës të PD. Policia po zbardh rrethanat e ngjarjes dhe po procedon kundër autorëve. Ndërsa kur na ndanim vetëm 30 minuta nga mbyllja e procesit të votimit, një tjetër incident është regjistruar në Shkodër. Një komisioner i PS­së ka marrë vulën e votimit dhe është larguar, pas një debati mes komisionerësh. Incidenti është regjistruar në një qendër votimi në shkollën Veterinare në Shkodër. 30 minuta pas ngjarjes ka rinisur procesi i votimit në shkollën Veterinare në Shkodër.

 

Lukovë

Një incident është regjistruar në Lukovë, ku kandidati i PBDNJ­së në Himarë, Fredi Beleri është nxjerr me dhunë nga një qendër votimi. Mësohet se Beleri ka dashur të votojë, por nuk ka pasur mundësi, për shkak se i ka humbur karta e identitetit. Për këtë arsye ai ka depozituar një kallëzim në polici. Për të ushtruar të drejtën e votës ai ka marrë kopjen e kallëzimit që bëri në polici, por sërish nuk u lejua të votojë. Thuhet se, Beleri ishte shoqëruar nga disa persona, duke ushtruar presion në qendrat e votimit. Në rastin konkret ka bërë dhe presion dhe në Himarë, Mësohet se komisionet nuk kanë reaguar, ndonëse u kërkuar që ai të largohen nga ambientet e qendrës së votimit. Por vetëm në Lukovë, u arrit që kandidati të largohej, me kërkesë të forcave politike. Ndërkaq, PDIU i bën thirrje simpatizantëve të saj të kërkojnë kartën e identitetit të e Fredi Belerit.

 

Kërcënimi i deputetit

Ka reaguar sërish PBDNJ në lidhje me incidentin e ndodhur në Finiq. Kjo forcë ka shprehur keqardhje për atë që ata e quajnë ‘ndërhyrjen aspak komode, jashtë etikës dhe kuadrit ligjor të procesit të votimit të deputetit të PS­së, Andrea Marto. “Zgjedhjet nuk fitohen me sajesa. Referenca tek personi I cili është sot në gjykimin e votës së sovranit përbën shkelje të kodit elektoral duke synuar ndikimin e votës. Nuk është në traditën e popullit të zonës dhe në veçanti të elektoratit të PBDNJ­OMONIA, akuzë të cilën ngarkon deputeti në fjalë. Keqardhje e thellë që në deficitin e tij elektoral tenton të stigmatizojë organizatën e cila e promovoi politikisht.”, citohet në reagimin e PBDNJ­së.  Policia e Vlorës ka publikuar sot fakte të reja në lidhje me një incident të ndodhur dje në Finiq. Sipas bluve, mësohet se ditën e sotme është paraqitur në komisariat deputeti i Himarës Andrea Marto, i cili ka kallëzuar penalisht vëllanë e kandidatit të PBDNJ­së për bashkinë e Finiqit, Jani Babi. “Sarandë, më datë 21.06.2015, në Komisariatin e Policisë është paraqitur shtetasi Andrea Marto, vjeç 58, banues në Tiranë me detyre Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka kallëzuar faktin se rreth orës 00:20 të ditës së sotme është telefonuar nga një shtetas i cili i është prezantuar si shtetasi me emrin: Timoleo Babi, vjeç 48, banues në Sarandë, vëllai i shtetasit Jani Babi, kandidat i subjektit politik PBDNJ për Bashkinë Finiq, duke e kanosur për vrasje. Policia e Sarandës sqaron se ka bërë të mundur shoqërimin e shtetasit Timoleo Babi për ta marrë në pyetje dhe po kryen të gjitha verifikimet në lidhje me këtë rast”, citohet në njoftimin e policisë.

 

Probleme në Konispol

Partia Bashkia për të Drejtat e Njeriut ka denoncuar sot incidentet me fyerje dhe sharje që sipas saj kanë ndodhur në ambientet e qendrës së votimit nr. 4731, QV 4731/1 dhe QV 4731/2 (Xarrë) në Bashkinë e Konispolit. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe kandidati saj për Bashkinë e Konispolit, Anastas Guda kërkojnë të merren masa për parandalimin e incidentit dhe zhvillimin e procesit të votimit në ambiente të qeta.”, citohet në reagimin e PBDNJ­së.

 

Përplasje në Finiq

Kandidati i PBDNJ­së, Jani Babi për Bashkinë e Finiqit ka deklaruar për Neës24 se po tentohet të manipulohen zgjedhjet. Ai ka thënë se prej 3­4 orësh vëllai i tij është shoqëruar në polici me pretendimin se ka kërcënuar deputetin e PS­së Andrea Marto. “Votimet kanë shkuar normalisht deri tani, por mazhoranca kërkon të manipulojë votimet. Vëllai im është shoqëruar në polici. Ne i themi të ndalojnë revanshin se ne do ta ruajmë votën me forcë dhe fitorja është e vdekur. U them të mos merren më këtë punë. Vëllai im ka 3­4 orë në polici. Ne jemi komunitet paqedashës”, tha Babi.

 

Goditet me armë në kokë i afërmi i kandidatit të PD në Lezhë

Një incident ndodhi gjatë paradites së djeshme në lagjen Skënderbeg të Lezhës. Një përfaqësues i PD-së, me emrin Gentian Prenga, është goditur me tytën e armës nga disa persona ende të paidentifikuar. Ngjarja është regjistruar rreth orës 11:00 të ditës së djeshme. Nga informacionet e përfaqësuesit e PD-së, personi në fjalë ka shkuar për të monitoruar situatën pas informacionet. “Ishin 7 persona, 4 të armatosur, 3 të paarmatosur,” thotë i dëmtuari. Por sipas burimeve nga blutë e Lezhës, mësohet se shtetasi Gentian Prenga është dëmtuar në kokë, me mjete të forta pas një konflikti të çastit, larg ambienteve zgjedhore dhe nuk ka lidhje me procesin zgjedhorë. I dëmtuari Prenga, i cili njihet si një mbështes i PD në Lezhë, pas plagëve të marra është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal, ku dhe po i nënshtrohet mjekimit. Kurse kandidati i PD-së, Fran Frrokaj, ka hedhur një lumë akuzash ndaj përfaqësuesve të LSI-së dhe Monika Kryemadhit se po tentojnë të blejnë vota në Lezhë. Ambasadori amerikan ka vizituar dhe disa qendra votimi në Lezhë.

 

Share it :