Vazhdon greva e urisë në Poçem! Mehmetaj: Ku është sot qeveria “Rama”?

Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj ka reaguar për grevën e urisë së punonjësve të të nënstacionit elektrik dhe pompimit të Poçemit. Punëtorët kërkojnë pagat nga qeveria dhe sot kanë hyrë në ditën e tretë të grevës së urisë, pa marrë asnjë përgjigje nga shteti.

Mehmetaj ka sjellë në vëmendje premtimet e Edi Ramës kur erdhi në pushtet dhe deklaronte se naftëtarët dhe gjithë punonjësit e sektorit shtetëror do të kenë paga dhe kushte më të mira.

Kur Edi Rama kërkonte votat në 2013-ën u premtoi naftëtarëve paga të larta, kushte më të mira pune dhe madje që Uzina do të vihej e gjitha në punë si ndërmarrje shtetërore. Ndërkohë, naftëtarët kanë 27 muaj pa marrë pagat, personeli është shkurtuar dhe banorët që jetojnë mbi tokën naftëmbajtëse jetojnë në varfëri, pa infrastrukturë e pa kushte. Ku është sot qeveria dhe Edi Rama? Pse nuk veprojnë? Askush nuk po interesohet as për jetën e këtyre naftëtarëve që prej dy ditësh janë në grevë urie edhe pse protestat e tyre kanë zgjatur për më shumë se një vit.

Vazhdon në ditën e 3 greva e urisë të punëtorëve të nënstacionit elektrik dhe pompimit të Poçemit. Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se mëngjesin e sotëm njëri prej grevistëve ka pasur luhatje të tensionit dhe është njoftuar urgjenca.

Pranë tyre qëndron dhe një infermiere për të pasur nën kontroll situatën. Janë 14 punëtorë në grevë, të cilët kanë deklaruar se nuk tërhiqen nga 27 pagat e pamarra.

 

Share it :