Ministri Ruli vijon “mburrjet”, por bujqësia nuk ecën në rrugën e duhur

Ervin Kaduku

ruliMe madhësinë që kanë fermat bujqësore prej rreth 1,2 hektarësh, nuk ka mundësi që një fermë të ushqejë një familje mesatare prej 4,2 personash apo të gjenerojë punë për mesatarisht 2 persona

 

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, bëri përpara medias dje bilancin e punës për sektorin e bujqësisë. Gjatë fjalës së tij ministri tha se gjatë vitit 2012, ky sektori pati rritje ekonomike rreth 4-5%. “Treguesit pozitivë në sektorin bujqësor janë rezultat i investimeve të fermerëve shqiptarë dhe i fenomeneve të reja që po ndodhin në vend. Rritja e produktivitetit bujqësore edhe si rezultat i përdorimit të makinerive moderne. Gjatë vitit 2012 ka patur përmirësim të sigurisë ushqimore në sektorin bujqësor e blegtoral”, – tha ministri ai.

Por, Ruli pohoi se asnjë nga këto suksese nuk arriti të rregullojë situatën e çmimeve bujqësore. Këto kanë pasur rritje pa ndërprerje.

Ajo çka mungoi në fjalën analitike të kreut të dikasterit bujqësor, ishte fakti i pamohueshëm se bujqësia dhe veçanërisht pesha e produkteve shqiptare në treg vazhdon të rritet me ritme shumë më të ulëta se sa pritshmëria krahasuar me burimet që ka vendi dhe me angazhimet e qeverisë shqiptare, e cila në programin e saj në vitin 2008 kishte parashikuar se Shqipëria në 6 vjet do të dyfishonte prodhimin bujqësor.

Ushqimi bazë i popullsisë ka një varësi shumë të lartë nga importet. Edhe gjatë vitit 2012 (shifrat e 11-mujorit nga INSTAT-i), importet ushqimore u rritën me 1.4%, ndërkohë që u arrit një rritje e eksporteve me 14.4% dhe ka mbetur i pandryshuar deficiti ushqimor, që shënon një vlerë prej 73 miliardë lekësh ose 25,6% të deficitit gjithsej dhe një raport eksport-import 1:7,2.

 

Ekspertët

 

Sipas ekspertit Ismail Beka, një temë shumë e rëndësishme që del sot përballë politikës shqiptare është zhvillimi i qëndrueshëm rural, rritja ekonomike për këto zona, lëvizja graduale drejt shërbimeve dhe biznesit të vogël.

Me madhësinë që kanë fermat bujqësore prej rreth 1,2 hektarësh, nuk ka mundësi që një fermë të ushqejë një familje mesatare prej 4,2 personash, apo të gjenerojë punë për mesatarisht 2 persona. Kemi të bëjmë me ekonominë e shkallës.

Në fakt, në zonat rurale, shumë familje i sigurojnë të ardhurat, jo vetëm nga puna në bujqësi, por edhe nga aktivitetet e vogla ekonomike, informale. Shumë profesione dhe shërbime, si: murator, hidraulik, elektricist, marangoz, berber, mekanizator, lavazhier e ofrues shërbimesh të vogla për makinat, biçikletat e pajisjet elektroshtëpiake, baxho qumështi e punishte të tjera të vogla ushqimore, pika therje e tregtimi mishi, dyqane shitjeje e magazinimi artikujsh të ndryshëm ushqimorë apo kafene, mjete transporti lokal etj., zhvillojnë veprimtari ekonomike të vogël në zonat rurale për komunitetin lokal, si dhe lidhin zonat e tyre me ato urbane. Në shumicën e rasteve, tarifat e shërbimeve bazohen më së shumti në mbulimin e kostos së punës dhe shkalla e realizimit të të ardhurave është në nivel mjaft të ulët, pasi e tillë është edhe aftësia paguese e banorëve të zonave rurale.

Atje ku sektori informal është pjesë e rëndësishme e sigurimit të të ardhurave nuk duhet të nënvleftësohet, por duhet të mbështetet me instrumente zhvillimi, për ta çuar drejt legalizimit. Programet e zhvillimit do ta ndihmonin fermerin të zhvillonte/zgjeronte veprimtari jobujqësore, duke specializuar të rinjtë edhe me profesione të tjera. Ata do të bënin një punë të dyfishtë në biznes dhe në fermë, për të shmangur edhe rreziqet e veprimtarisë së biznesit.

Shembujt e mësipërm janë relevantë për zonat rurale, kryesisht në ato të ulëta e bregdetare, ose pranë qendrave të mëdha banuese, ku edhe jeta ekonomike dhe niveli i të ardhurave për popullsinë është relativisht i mirë. Përveç këtyre zonave kemi edhe zonat malore, ato që edhe nga ana gjeografike janë të izoluara, me distanca të largëta nga zonat urbane, territore topografisht të papërshtatshme, me tokë shumë të pakët e jo produktive, të harruara nga shteti, tregu dhe shoqëria.

Pa infrastrukturën e nevojshme, pa shërbimin shëndetësor e pa shkolla të përshtatshme për arsimim. Popullsia e këtyre zonave është e diskriminuar dhe ka si çështje kryesore mbijetesën dhe përballjen me varfërinë. Në këto zona, si aktiviteti bujqësor ashtu edhe mundësitë për biznese të tjera janë shumë të kufizuara. Ndaj edhe qasja ndaj zonave rurale është e ndryshme, pra kërkohet diversifikim në ndërhyrje me politikat shtetërore. Për fat të keq, edhe sot pas 20 vite ndryshimesh demokratike, politikat shtetërore janë shumë të kufizuara. Të gjithë programet shtetërore të deritanishme nuk po veprojnë në këto zona. Mungesa e arsimit dhe formimit profesional përbën një nga shkaqet kryesore. Programet e nxitjes së punësimit gjithashtu nuk veprojnë në zonat rurale. Politikat bujqësore vazhdojnë të jenë të orientuara në dy projekte të mëdha kombëtare: ai i ullirit dhe arrorëve. Por, as premtimet elektorale të opozitës nuk duket se shkojnë në zgjidhjen e problemit, pasi nuk do të mjaftonte ulja e taksave dhe e TVSH-së për karburantet e bujqësinë apo inputet bujqësore, pasi për shumë ferma ato janë një luks dhe do të kenë shumë më pak ndikim se sa këto buxhete që shkojnë për investime, për përmirësimin e kushteve ekonomike në fshat.

 

Mundësitë

 

Orientimi nga nevoja mbi bazë fshati e komune do të arrinte projekte të suksesshme, veçanërisht atje ku ka edhe potenciale zhvillimi. Për shembull: nëse turizmi malor zhvillohet me kujdes mund të arrihen rezultate edhe më pozitive. Programet kombëtare për zhvillimin e turizmit malor mund të krijojnë modele të suksesshme, si referencë për t’i shtrirë në zona të tjera të vendit.

Çështja e ndryshimeve klimaterike dhe në përgjithësi uji dhe energjia janë probleme kapitale që duhet të zgjidhen në zonat rurale, vijon Beka. Sot, është shtuar ndjeshëm prerja masive e pyjeve (në mënyrë ilegale, por për fat të keq edhe legale), si pasojë e rritjes së përdorimit si burim energjie për ngrohje apo për eksport. Gjatë dy viteve të fundit, djegia masive e pyjeve është shtuar ndjeshëm. Vetëm gjatë vitit 2012 janë djegur 4,760 hektarë pyje dhe 1,400 hektarë kullota dhe nuk është investuar për t’i zëvendësuar. Në këtë mënyrë rrezikohet të rritet erozioni i tokës, të pakësohen burimet e ujërave (kjo ndikohet edhe tek klima) dhe të ulen resurset turistike (siç është rasti i liqeneve të Lurës).

Nga ndryshimet e klimës përkeqësohet më tej jeta e banorëve në zonat rurale, si pasojë e thatësirës dhe e përmbytjeve. Çështja më e rëndësishme lidhet me ujin me cilësi dhe prioritete të ndryshme përdorimi, duke e mbajtur të pastër që nga burimi deri në derdhjen në det. Uji me cilësi më të lartë për t’u përdorur si i pijshëm, gatim dhe më tej për vaditje e shërbime industriale, prodhim energjie, peshkim, por edhe si burim turistik. Të gjithë lumenjtë burojnë në zonat rurale, kryesisht malore, që këtu duhet të fillojë puna për mirëmbajtjen dhe miradministrimin e tyre. Kjo duhet të kthehet në një program të madh kombëtar, ndërgjegjësimi dhe veprimi. Të shfrytëzohen në mënyrë racionale, të mbrohen nga ndotjet, nga shfrytëzimi pa kriter, nga mbetjet industriale e nga plehrat, duke bërë që të derdhen të pastër në det.

Pavarësisht nga mburrjet e Rulit dhe drejtuesve të tjerë të MBUMK, Shqipëria rrezikohet nga varfëria në rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë.

Rrezik serioz është shtimi i varfërisë për popullsinë që jeton me përkrahje sociale Shumë familje në Shqipëri rrezikohen të bëhen më të varfra. Kjo për faktin se skema e mbështetjes sociale nuk ka njohur rritje, ndërkohë që edhe të ardhurat nga emigracioni janë ulur shumë. Niveli i inflacionit dhe indeksi i çmimeve të konsumit nuk janë të njëjta me rritjen që ka pësuar ajo paketë bazë që konsumon popullsia me të ardhura të ulëta. Nga një vlerësim i statistikave rezulton se pesë nga grupmallrat më të rëndësishme: buka, energjia, shëndetësia dhe transporti u rritën midis 20-30% në fund të vitit 2012, krahasuar me fundin e vitit 2007.

 

 

 

Tatimet: Kujdes, listëpagesat vetëm në rrugë elektronike

 

Tatimet, në një njoftim të fundit, tërheqin vëmendjen se duke filluar nga periudha tatimore janar 2013, deklarimi i listëpagesave Esig 025 dhe formularëve të ndryshimit të numrit të punonjësve Esig 027 do të kryhet vetëm në mënyrë elektronike.

Vendimi për deklarimin elektronik të listëpagesave është marrë që në pjesën e parë të vitit të kaluar dhe fillimisht pritej të hynte në fuqi në korrik, por më pas tatimet lanë gjashtë muaj kohë, gjatë të cilës listëpagesat mund të dorëzoheshin si elektronikisht ashtu dhe dorazi. Sipas njoftimit të tatimeve, “Në zbatim të Ligjit nr. 9920 datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore” i ndryshuar si dhe të VKM, nr. 55, datë 3.2.2010, “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, periudha tatimore dhjetor 2012, është periudha e fundit për të cilën ju keni detyriminpër të dorëzuar pranë Administratës Tatimore Qendrore, listëpagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore Esig-025 dorazi dheelektronikisht. Afati i fundit i dorëzimit është data 20 janar 2013”.

 

Buxheti i Shtetit, tashmë krejtësisht operativ; nisin prokurimet

 

Buxheti i shtetit 2013 është bërë operativ. Pas hyrjes në fuqi më 12 janar, ditën e sotme ka nisur lëvrimi i parave për shpenzime dhe investime publike. Tashmë çdo institucion apo ent publik mund të tërheqë fonde apo të bëjë prokurime të mundshme, pasi këtë gjë ia lejojnë dhe ndryshimet e fundit që iu bënë në fund të vitit të kaluar, ligjit “Për prokurimet publike”.

Fondet e çelura deri më sot nga buxheti i shtetit për paga, pensione apo shërbime jetësore, janë kryer me anë të një udhëzimi të ministrit të Financave, pasi buxheti i shtetit nuk kishte hyrë në fuqi. Ligji për “Buxhetin e shtetit 2013”, nuk u bë efektiv në fillim të vitit, pasi dekretimi nga Presidenti i Republikës dhe më pas botimi në “Fletoren zyrtare” i këtij ligji janë bërë me vonesë.

Konkretisht, ligji u dekretua më 27 dhjetor 2012 dhe një ditë më pas u botua në “Fletoren zyrtare”. Kështu, që ligji mori fuqi ligjore më 12 janar 2013. Në këtë mënyrë, për të siguruar një proces sa më normal të zbatimit të buxhetit vjetor, ministri i Financave iu referua nenit 34 të këtij ligji, dhe nxori një udhëzim për detajimin e fondeve. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve, Drejtoria e Thesarit ka kryer pagesa vetëm për shërbimin e borxhit, për shpenzime emergjente spitalore, pagat e punonjësve dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, pagesa për pensionet, ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë.

Share it :