Deputeti socialist, Alket Hyseni, tha në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se ligji parashikon tre raste, kur merret masa për mbylljen e një portali. Por, teksa përmendi këto raste, ndërhyri analisti Fatos Lubonja, i cili tha se asnjëri prej tyre nuk ka të bëjë me shpifjen.
Pjesë nga debati:
Lubonja: Në një vend si Shqipëria është problem mungesa e gazetarisë së vërtetë, veçanërisht asaj investigative, që duhet të luftojë lidhjet e politikës me mafien, që janë katastrofike, siç pamë dhe me ngjarjen e fundit në Shijak. Për këtë kërkohet inkurajim, por ju nuk e bëni dot.
Hyseni: Po e bëjmë me rregullimin e ligjit. Kemi tre raste, njëri kur ka pornografi, ku ne duhet të ndërhyjmë për të mbrojtur fëmijët; rasti i dytë ka të bëjë me sigurinë kombëtare; rasti i tretë është për terrorizmin. Këto janë rastet, kur bllokohet portali, ndërsa në asnjë rast tjetër nuk mbyllet.
Lubonja: Këto që the ti nuk janë shpifje fare, kanë të bëjnë me nxjerrje sekreti, por jo me shpifjen. Ky ligj nuk është bërë për këtë mo, është për shpifjen.
Hyseni: Gjithë bota këtë po bën, interesat kombëtare cenohen nga shpifja.
Dashamir Shehi: Shqipërisë hallin më të madh ja bëjnë kryeministrat. Po i vika rreziku botës nga portalet shqiptare.




