Ronaldo: Deri në 2015 do të jem i Realit, më pas nuk e di

 Përgatiti Altin Vorpsi

ronaldo“Dua të respektoj kontratën që kam me Realin e Madridit. Sa i përket të ardhmes, nuk di se çfarë do të ndodhë”

 

 

Humbja e “Topit të Artë” nuk e ka dëshpëruar aspak Kristiano Ronaldon. Ylli i Realit të Madridit dhe Portugalisë tregoi dje, në një intervistë të publikuar në sajtin e FIFA-s, se është i lumtur, pasi bën atë çfarë kërkon. Në ceremoninë që u mbajt në Zyrih vetëm pak ditë më parë, portugezi “u mjaftua” me vendin e dytë të radhës. Për të tretën herë në katër vitet e fundit ai rezulton të jetë lojtari më i mirë… pas Mesit. Ky fakt nuk e shqetëson, pasi thotë se një gjë e tillë tregon vazhdimësi.

 

Siguria

“Dua të respektoj kontratën që kam me Realin e Madridit. Sa i përket të ardhmes, nuk di se çfarë do të ndodhë”. Fjalët e Ronaldos ishin të qarta. Lojtari tregoi se është i vendosur që të vazhdojë bashkëpunim me Realin deri në përfundim të kontratës. Kjo deklaratë për skuadrën “mbretërore” ka qenë e mirë dhe e keqe në të njëjtën kohë. Së pari, Perezi është i sigurt se “ylli” i vet do të qëndrojë deri më 2015, pra nuk do të largohet në fund të sezonit, siç thonë në Paris. Ndërkohë, ana negative e kësaj deklarate ishte se portugezi nuk pranoi që të fliste për të ardhmen. Pra nëse ai qëndron deri në 2015 dhe nuk rinovon kontratën detyron Realin që një vit para fundit të kontratës ta shesë për të mos e humbur me parametra zero. Në atë rast, “blerësit” nuk do të mungonin… Ronaldo do të rikthehej tek “djajtë” e tij të dashur.

 

Asgjë nuk është humbur

Një pjesë shumë e rëndësishme e bashkëbisedimit mes gazetarit dhe Ronaldos ishte edhe ajo ku flitej për gjendjen e ekipit këtë vit. “Nuk e nisëm mirë kampionatin, por asgjë nuk është humbur ende. Në futboll nuk ka asgjë të pamundur. Gjithsesi mund të them se jemi në garë për të fituar Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Mbretit, – tha CR7 që zbuloi edhe prioritet. – Të gjithë madrilenët duan ‘të dhjetën’ (deri më tani Reali ka nëntë kupa në Ligën e Kampioneve). Vitin e kaluar i shkuam shumë pranë kësaj ëndrre dhe këtë sezon do të bëjmë gjithçka për ta fituar”.

 

Në mbrojtje

Edhe pse është mësuar të shënojë shumë gola, Ronaldo tregoi se di të mbrojë shumë mirë. Asi portugez i doli dje në krah njërit prej bashkëkombësve të tij që punon tek Reali. Duke ditur se është një nga beniaminët e klubit dhe tifozëve, Ronaldo i thuri elozhe Murinjos. “Tifozët duhet të kenë më shumë durim me Murinjon. Ai gjithmonë kërkon të bëjë më të mirën për klubin dhe unë do ta mbroj deri në vdekje. Të gjithë ne që punojmë pranë tij e dimë se duhet të respektojmë mendimin e publikut, por nga ana tjetër për mua ai është tekniku më i mirë në botë. Ka shumë përvojë dhe ka fituar gjithçka që ishte për t’u fituar”, – tha Ronaldo.

 

Për vete

Në fund Ronaldo tregon se kritikat që i vijnë nga jashtë nuk i ka përtypur lehtë. “Nuk mendoj se ajo që shkruhet nëpër gazeta ka shumë rëndësi. Njerëzit që më njohin ose ata që kanë luajtur me mua e dinë se çfarë tipi jam unë. Ndërsa të tërë ata që nuk më njohin mund të thonë e të mendojnë ç’të duan. Respektoj ata që më kritikojnë. Me këto të fundit duhet të mësohemi që të bashkëjetojmë pasi janë pjesë e jetës”, – përfundoi ylli nga Madeira.

 

Londër

Çelsi “injoron” rekordin e Lampardit

Ditën që Frenki Lampard shënoi golin që i dha vendin e dytë në listën e golashënuesve të tërë kohërave për Çelsin, klubi londinez bëri zgjedhjen më të gabuar duke injoruar gjithçka.

Londinezët nuk kanë përmendur askund faktin që futbollisti shënoi golin e tij të 194-t me fanellën e kësaj skuadre dhe kaloi legjendarin Kerri Dikson. Sikur të mos mjaftonte kjo, në një intervistë të Petër Çeh të dhënë për faqen e internetit të klubit, janë fshirë pjesët ku portieri lavdëronte “besnikërinë, rëndësinë dhe aftësinë për të qenë në nivelet maksimale” të mesfushorit. Për më tepër, faqja e klubit ka vënë një intervistë të Lampard, ku flitet vetëm për të ftohtin në fushën e Stouk dhe paraqitjen e skuadrës gjatë suksesit 4-0. Në artikullin e Çeh, është hequr krejtësisht pjesa më e rëndësishme e asaj që tha portieri për shokun e tij, me të cilin është bërë pjesë e historisë së klubit londinez. “E njoh atë prej shumë kohësh. Ai ka qenë një lojtar fantastik për këtë klub dhe ka qëndruar shumë vite në të njëjtën skuadër. Ai ka qëndruar në kohë të mira dhe në kohë të këqija, por kjo tregon besnikërinë e lojtarit. A është ai aq i mirë sa zakonisht? Skuadra ka ndryshuar, ashtu si mosha e tij, por ai vazhdon të mbetet shumë i rëndësishëm”, – ishte pjesa e deklaratës për gazetarët që klubi ka fshirë nga faqja e internetit. Lampard është 8 gola pas Bobi Tambling që është bomber i të gjitha kohëve i klubit londinez dhe kërkon që deri në fund të sezonit ta kalojë atë duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Çelsit.

 

Deklarata

Dino Baxho: Unë zbulova “Calciopoli”-n

Dino Baxho ka qenë një nga ata mesfushorë që jepte gjithçka në fushë. Gjatë karrierës së tij ka veshur si fanellën e Parmës dhe atë të Juventusit. Të shumtë janë ata që e kujtojnë për gjestin e bërë gjatë sfidës Parma-Juventus në vitin 2000, kur me anë të duarve i bëri shenjën e marrjes së ryshfetit arbitrit që drejtonte takimin, Stefano Farina. Ja si e ka kujtuar atë episod për “Gazzetta dello Sport” vetë Baxho: “Në atë ndeshje arbitri gjykonte në sens unik. Unë u përjashtova nga fusha për një faull të lehtë ndaj Zambrotës. Kur pashë gjyqtarin që më nxori kartonin e kuq, i bëra gjestin e parave dhe pështyva në tokë. Nuk jam penduar për atë veprim, sepse kam qenë i pari që kam akuzuar Juventusin përpara skandalit “Calciopoli”. Dhe gjashtë vjet më pas, faktet më dhanë të drejtë. Pas atij gjesti mua nuk më grumbulluan më në kombëtare. Mund të kisha marrë pjesë në Euro 2000, por di që presidenti i federatës ka qenë kundër grumbullimit tim. Zofi çmendej pas meje, e megjithatë nuk më grumbulloi”.

 

Statistika

Barça më e mirë e tërë kohërave

Barcelona fitoi mbrëmjen e së dielës me rezultatin 3-1 ndaj Malagës, duke regjistruar kështu fazën e parë më të mirë në historinë e kampionatit spanjoll. Katalanasit shënuan tre gola me anë të Mesit, Fabregasit dhe Tiago Alkantarës, duke e shtuar diferencën me Real Madridin në +18 pikë dhe duke grumbulluar plot 55 pikë pas 19 ndeshjeve të para të kampionatit. Rekordi i mëparshëm mbahej sërish nga Barcelona që me Guardiolën në stol kishte arritur të grumbullonte 52 pikë në fazën e parë të sezonit 2010-2011.

Skuadra që tashmë drejtohet nga Tito Vilanova, është e vetmja që ka shënuar në 37 ndeshje radhazi dhe është ekipi që ka shënuar më shumë në transfertë në 19 ndeshjet e këtij kampionati. Gjithashtu, Barcelona ka barazuar edhe një rekord tjetër: atë të fitoreve radhazi në transfertë (10, sezoni 2010-2011).

Share it :