Modeli shqiptar i paqes rajonale

Çelo Hoxha

 

paqaNë 25 nëntor 2012, me fjalimin e tij në Shkup, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ktheu çështjen e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, pas 69 vjetësh mungesë, në qendër të kuvendit kombëtar. Hera e fundit që bashkimi ishte artikuluar si shqetësim kryesor i politikës së nivelit më të lartë ishte mbledhja e Mukjes, Krujë, më 1-2 gusht 1943. Në atë takim, forcat kryesore politike (të cilat ishin kishin edhe forca të armatosura, sepse vendi ishte i pushtuar), Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste, ranë dakord të luftonin kundër pushtuesve, me qëllim final bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në Ballkan me Shqipërinë.

Fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan sipas planit të parashtruar në marrëveshjen mes tyre. Pak ditë më vonë, komunistët e shkelën fjalën e dhënë. Jugosllavët në krye të PKSH-së nuk e pranuan Marrëveshjen e Mukjes dhe i urdhëruan forcat komuniste t’i shpallnin luftë Ballit Kombëtar. Kështu nisi lufta civile në Shqipëri.

Gjatë gjithë diktaturës komuniste, Tirana zyrtare nuk e artikuloi kurrë çështjen e bashkimit kombëtar. Retorika patriotike e viteve ‘80, me rastin e protestave në Kosovë, e cila e ka ngulitur Enver Hoxhën si një figurë kombëtare në kujtesën e shumë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ishte retorikë boshe, të cilën ai e përdori për të larguar vëmendjen e publikut nga problemet e brendshme. Shumë nga aktivistët e Kosovës që asokohe kërkuan shpëtim në Shqipëri, përfunduan në burgje. Policia shqiptare u soll ndaj tyre më keq se ajo jugosllave.

Diktatura komuniste në Shqipëri ishte një tentativë vetëvrasjeje kombëtare që zgjati afërsisht pesë dekada. Vendi u vetizolua, qeveria po shkatërronte qytetarët e vet.

Pa kontakte me botën e jashtme, sidomos me vendet e rajonit, edhe sikur Tirana të punonte për çështjen kombëtare, rezultati do të ishte zero. Çështja kombëtare e shqiptarëve është një çështje rajonale dhe nuk mund të zgjidhet pa komunikim rajonal.

Sidoqoftë, vetizolimi i Shqipërisë nuk ishte e keqja më e madhe. Regjimi i Tiranës shkoi më tej, duke shpallur armik të saj qytetarin me identitet të pastër shqiptar, qytetarin nacionalist. Nacionalistët u vranë, u burgosën, u internuan, u zhveshën nga pasuria, u bënë të paaftë për të punuar për kauzën.

Jehona e zhdukjes së analfabetizmit gjatë regjimit komunist akoma vazhdon të përcillet si një sukses kombëtar në zhvillimin e shoqërisë. Në fakt, shkollat e diktaturës u kthyen në armë të shkatërrimit në masë. Ato shkatërruan formimin natyral të njeriut dhe e mbushën me dije artificiale, të huaj për shqiptarin, siç ishte teoria kriminale e komunizmit. Ja disa nga titujt e librave që u hoqën nga qarkullimi në 1945: “Familja shqiptare”; “Shqiptari zot në shtëpi”; “Problemet shqiptare”; “Raca shqiptare”; “Njëmendësia shqiptare”; “Kosova, djep i shqiptarizmit”; “Nana Kosovë”. Në disa qytete të Shqipërisë këta libra, dhe shumë të tjerë, u dogjën në sheshe publike.

Në 1991, kur diktatura komuniste u shemb, iu hap rruga edhe zgjidhjes së çështjes së bashkimit ose trajtimit të saj, por shteti shqiptar ishte shumë i brishtë të ndërmerrte sipërmarrje të mëdha. Shoqëritë, ashtu si individët, nuk mund të artikulojnë ide të mëdha, ndërkohë që nevojat e tyre janë bazike, në nivel të uriturish. Bashkimi i kombit ishte një shqetësim i pranishëm në gjirin e saj, por jo i pari në listën e prioriteteve. Sigurisht, idealistët nuk munguan, ashtu siç nuk kanë munguar në çdo kohë, por ata ishin pakicë, të lënë mënjanë ose të stigmatizuar nga ata që nuk shikonin tej nevojave të ditës. Uria e zbeh shikimin e njeriut.

Zërat që kanë artikuluar çështjen kombëtare gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë shumë të pakët, të margjinalizuar, të prezantuar si gjurmë historike, si diçka që kujtonte një të shkuar të largët pa shpresë kthimi. Dhe më e keqja, edhe mes nacionalistëve pati spekulantë gjatë kësaj kohe, të cilët ishin pjesë e një skenari për ta dëmtuar riorganizimin e tyre pas shembjes së komunizmit.

Sidoqoftë, në 25 nëntor 2012, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, artikuloi çështjen e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe u bëri thirrje fqinjëve të mos e pengonin atë, sepse kjo do t’i ndihmonte edhe ata të ishin njerëz më të lirë. Kjo i befasoi të gjithë, asnjë politikan i një niveli kaq të lartë (më lart se kaq nuk ka ku shkon, Presidenti i Shqipërisë është thjesht një formalitet) nuk kishte guxuar më parë të artikulonte bashkimin e shqiptarëve, i cili deri atëherë konsiderohej argument i ekstremistëve.

Kryeministri i Shqipërisë dhe idetë e tij kanë kundërshtarët e tyre. Në jetëshkrimin e tij politik mund të ketë edhe veprime që bien ndesh me njëri-tjetrin, por ato nuk ia vlen të përdoren për të dobësuar kauzën e bashkimit. Rëndësi ka që idetë të jetë të dobishme, që kauza të jetë e drejtë, që qëllimi të jetë i arritshëm dhe të nisë puna për përmbushjen e tij.

Reagimi i shteteve ballkanike ndaj deklaratave të Kryeministrit shqiptar ishte i menjëhershëm. Me një të rënë të masatit, Shqipëria fitoi autoritet rajonal. Dikush mund ta vërë në dyshim këtë autoritet, duke e konsideruar negativ, por nuk është kështu. Me artikulimin e bashkimit kombëtar, një çështje jo fort e pëlqyer nga fqinjët e Shqipërisë, i siguroi Tiranës vëmendjen e nevojshme, tashmë është detyra e saj – jo vetëm e politikës – të shpjegojë me hollësi pse shqiptarët duhet të bashkohen, si duhet të bashkohen, cili është qëllimi i bashkimit dhe cili do të jetë ndikimi i këtij bashkimi në rajon.

Dy shtetet më qejfmbetura nga bashkimi i shqiptarëve janë Maqedonia dhe Greqia. Kush e njeh historinë e Ballkanit, duhet t’u japë të drejtë. Shqiptarët thjesht duhet të ofrojnë shpjegimet e tyre.

Në Konferencën e Londrës, 1913, u vendos krijimi i shtetit shqiptar. Parimi i vendosjes së kufijve ishte parimi etnik: vendbanimet shqiptare do të përfshiheshin në shtetin e ri shqiptar, vendbanimet greke në shtetin grek, vendbanimet malazeze në shtetin malazez dhe vendbanimet serbe në shtetin serb. Harta e Ballkanit edhe sot është dëshmi që ky parim nuk është respektuar. Shumë vendbanime në Malin e Zi janë krejtësisht shqiptare, siç ishin edhe në 1913. Gati gjysma e Maqedonisë është e banuar nga shqiptarë, ashtu siç ishte e banuar në 1913. Shumë vendbanime në veri të Greqisë së sotme ishin të banuara nga shqiptarë deri në mesin e shekullit të kaluar, para se qeveria greke të kryente spastrimin etnik të tyre, përmes një praktike gjenocidi të pastër. Në ato troje ka ende shqiptarë, të besimit ortodoks, të cilët nuk kanë kurajë të krenohen për origjinën e tyre, sepse ndëshkohen. Edhe pas pavarësimit të Kosovës, në Serbi kanë mbetur krahina shqiptare të pastra etnikisht, të cilat kanë lidhje natyrale me Kosovën. Kjo është gjendja faktike në terren, pa përfshirë shumë territore në shtetet fqinje, të cilat ose janë pastruar nga shqiptarët, ose janë populluar me forcë me etni të tjera, ose shqiptarët janë detyruar të fshihnin (derisa e kanë humbur) identitetin e tyre, siç ishte rasti i një akademiku maqedonas. Nga ana tjetër, çështjen shqiptare e mbrojnë edhe dokumentet historike. Tashmë nuk janë më një sekret (janë botuar edhe në shqip) dokumentet e komisionit të ndarjes së kufijve, në të cilat anëtarët e saj, sidomos britanikët, u shkruanin qeverive të tyre se Shqipërisë po i shkaktonin një tragjedi, duke u dhënë vendeve të tjera vendbanime tërësisht shqiptare.

Shqiptarët s’kërkojnë asgjë të ekzagjeruar. Ajo që ata kërkojnë, mbrohet nga të drejtat e njeriut dhe e drejta historike. Kundërshtarja më e egër e çështjes shqiptare është Greqia, një shtet i krijuar artificialisht dhe i unifikuar, duke spastruar etnitë jogreke me masakra ose duke u fshirë identitetin me presione politike dhe ligjore. Reagimi i Athinës ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha ishte një thirrje që Shqipëria të shikojë përpara dhe jo mbrapa. Ky qëndrim i saj tregon se Athina ka frikë nga rishikimi i së kaluarës, frika buron nga sekrete jo fort të këndshme për të dhe për gjithë botën. Mirëpo, bashkëjetesa paqësore nuk mund të realizohet, nëse ajo nuk bazohet në parime të drejta. Nëse zbatojmë teorinë e mosshikimit mbrapa, atëherë shqiptarët mund të thonë se le t’i marrim territoret tona, me hir ose me pahir, dhe pastaj le të shikojmë përpara. Ajo që sot është e ardhme, nesër do të jetë e shkuar dhe kështu do të paraqitet mundësia e zbatimit të këshillës greke për të mos e kthyer kokën mbrapa.

Sigurisht, shqiptarët nuk duhet ta shkojnë në mendje dhunën për realizmin e bashkimit të tyre. Dhuna nuk është pjesë e stofit të tyre qytetar. Rruga paqësore me anë të së cilës shqiptarët e kthyen çështjen e Kosovës nga një çështje lokale në çështje globale dhe pastaj realizuan pavarësinë e saj, është ilustrimi emblematik i karakterit paqësor të shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë asnjë burrë shteti në historinë e tyre që të ketë urdhëruar masakra ndaj grupeve etnike joshqiptare. Edhe Enver Hoxha që ishte një kriminel, ka vrarë vetëm shqiptarë.

Në Ballkan e më gjerë, paqja nuk mund të realizohet pa u zgjidhur konfliktet historike mes popujve. Në misionin e tyre kombëtar, shqiptarët mund t’i japin botës një model të zbatueshëm aty ku është e nevojshme. Nëse bota do të vazhdojë ta kërkojë paqen në teorinë evropiane të ekuilibrimit të forcave, atëherë përpara e presin shumë kongrese e konferenca si ato të Vjenës, Berlinit, Londrës, Parisit, Teheranit, Jaltës etj. Ironia është se në tavolinën e fuqive të mëdha të së ardhmes mund të mos ketë asnjë shtet evropian, ashtu siç nuk ka qenë Shqipëria në kongreset dhe konferencat e fuqive të mëdha evropiane në dy shekujt e fundit.

Share it :