Bode: Largimi i CEZ-it nuk është një lajm i mirë!

Ervin Kaduku

bodePër herë të parë, një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare ka pranuar dje se largimi i një investitori të fuqishëm dhe me emër të madh, si CEZ Group, nga Shqipëria nuk është një zhvillim pozitiv për ekonominë shqiptare.

I pyetur për CEZ-in, në konferencën e tij për shtyp kushtuar performancës njëvjeçare të financave publike, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se “çështja energjetike, ashtu si dhe Albpetroli, janë pjesë e Ministrisë së Ekonomisë. Nga pikëpamja e përgjithshme, lidhur me atë se sa influencon ikja e CEZ-it nuk është lajm i mirë. Nuk është lajm i mirë ikja e një investitori, për më tepër që ai është investitor i madh”. Kjo ka qenë deklarata e ministrit më të rëndësishëm në qeverinë “Berisha”.

Një pohim i tillë pritej prej kohësh. Kjo ka të bëjë me një “mea culpa” të qeverisë shqiptare, që po sheh, pa qenë e aftë të bëjë asgjë, se si largohet, qetësisht, nga vendi një investitor, i cili ka pasur një performancë të padiskutueshme pozitive në të gjitha vendet evropiane, ku ka investuar. CEZ-i është praktikisht, sipas operatorëve të bursave, më i madhi subjekt që operon në bursa në Evropën Qendrore, duke lënë pas shumë kompani të vjetra dhe me më shumë emër se ajo. Në vende të ndryshme evropiane ajo ka treguar gjatë vitit 2012 se, edhe në kohë krize, ka menaxhuar mirë resurset e saj financiare, teknike e njerëzore, duke arritur një fitim neto 27 për qind më të lartë në nëntë muajt e parë të vitit, krahasuar me një vit më parë.

Në rast se vetëm në Shqipëri kanë ekzistuar probleme, kjo nuk duhet parë si një situatë, ku fajet i përkasin vetëm njërës palë. Ta stigmatizosh këtë gjigant të energjetikës dhe financave evropiane më tepër flet për paaftësi të ndërmarrjeve të tilla si Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes apo Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dikaster, i cili, me të drejtë, tregohet nga ministri Bode si segmenti qeveritar, që duhej të bënte çmos që të shfrytëzonte përvojën dhe mundësitë e jashtëzakonshme financiare të një investitori të tillë për të arritur atë çka synojnë të gjithë shqiptarët: një sektor energjetik që të garantojë furnizim pa ndërprerje gjatë gjithë vitit, pavarësisht nga kushtet e motit, një furnizim për familjet, bizneset, në shërbim të sektorëve socialë, mbrojtjes, rendit publik, shëndetësisë.

A mund të thuhet se në rastin e qëndrimit ndaj CEZ-it ky dikaster ka bërë gjithçka për të përfituar nga prania e një investitori serioz evropian? Është e vështirë ta pranosh një gjë të tillë. Është shumë e lehtë të “ndërsesh” kundër tij gjykatat me gjoba të padëgjuara ndonjëherë, por nuk duhet harruar se veç gjykatave shqiptare, ekziston edhe një sistem i pavarur gjyqësor evropian, që me siguri do të jepte verdikte në disfavor të shtetit dhe në favor të kompanisë.

Share it :