Knut Hamsun
Nobelisti norvegjez në shqip me kryeveprën, romanin “Misteret”, përkthyer nga Afrim Koçi. Konsiderohet një nga shkrimtarët më të mëdhenj e më me ndikim në letërsinë moderne
Vitin që kaloi, në mesin e beharit, një qytet i vogël bregdetar i Norvegjisë u bë arenë e disa ngjarjeve tejet të jashtëzakonshme. Në qytet çalltisi një i huaj, një farë Nageli, një sharlatan i çuditshëm dhe i veçantë që pasi bëri një mori veprimesh të bujshme, u zhduk po aq papritur siç edhe kishte ardhur. Ky njeri priti vizitën e një zonje të re dhe misterioze, që vetëm Perëndia e di se si dhe qysh u gjend aty, që nuk guxoi të qëndrojë në qytet më shumë se disa orë dhe që pastaj u largua nga kishte ardhur. Por ky nuk është fillimi…
Fillimi është atëherë kur aty nga ora gjashtë e pasdites avullorja u ankorua në skelë dhe në kuvertën e saj u dukën nja dy a tre udhëtarë, njëri prej të cilëve i veshur me një kostum të verdhë skandaloz dhe me një kasketë strehëgjerë prej kadifeje. Kjo ndodhi mbrëmjen e 12 qershorit, ditë që mbahet mend sepse, me rastin e fejesën së zonjushës Hjeland, e shpallur pikërisht në 12 të qershorit, në shumë vende të qytetit ishin ngritur flamurë. Djali i hotelit “Central” hipi menjëherë në bord dhe burri me kostum të verdhë i dorëzoi bagazhin e vet, ndërkohë që i jepte edhe biletën e tij bocmanit të avullores, por pastaj, në vend që të zbriste në stere, filloi të ecë tutje-tëhu nëpër kuvertë. Dukej shumë i tronditur. Kur sirena e avullores çau ajrin për të tretën herë ai nuk kishte arritur të paguante as faturën e ushqimit të ngrënë.
Teksa u nis për të mbaruar këtë punë, ai vuri re se anija po shkëputej nga kalata, shtangu për një çast në vend, mori vrull sakaq për të vrapuar, por pastaj ia bëri më dorë djalit të hotelit poshtë dhe i thirri që matanë relingut të anijes:
– Mirë, merreni bagazhin tim dhe sidoqoftë ma bëni gati një dhomë.
Ndërkaq avullorja e mori me vete drejt daljes së fjordit.
Ky njeri ishte Johan Nilsen Nageli
Djali i hotelit i ngarkoi bagazhet në karrocën e tij: dy valixhe të vogla dhe një qyrk – edhe pse ishte mesi i beharit, – si edhe një çantë dore dhe një këllëf violine. Të gjitha pa etiketë.
Të nesërmen, aty nga mesdita, Johan Nageli u gjend para hotelit, kësaj radhe i ardhur në rrugë tokësore, me karrocë. Kishte zgjedhur rrugën tokësore edhe pse po kaq mirë mund të kishte ardhur përsëri me det. Me vete kishte edhe bagazhe të tjera: një valixhe në ndenjësen e parë, një çantë udhëtimi pranë saj, një pelerinë dhe ca tesha të lidhura me një rrip manteli. Në rrip, të qëndisura inicialet J. N. N.
Pa zbritur mirë nga karroca pyeti të zotin e hotelit për dhomën dhe, kur pastaj e shoqëruan në katin e dytë, filloi të kontrollojë sa ta trashë ishin muret dhe se a dëgjohej ndonjë gjë në dhomën fqinje. Pastaj papritur pyeti vajzën e shërbimit:
– Si ju quajnë?
– Sara.
– Sara. Bukur fort. Sara, mund të më përgatisni diçka për të ngrënë? Aha, domethënë ju quajnë Sara. Dëgjoni, – vazhdoi ai, – a ka pasur ndonjëherë farmaci në këtë ndërtesë?
– Po, – u përgjigj Sara mjaft e habitur, – por para shumë vjetësh.
– Aha, para shumë vjetësh. Më shkoi mendja me të hyrë në korridor; jo se nuhata ndonjë gjë, por seç e pata një parandjenjë. Ja kështu.
Kur zbriti poshtë për të ngrënë, nuk e hapi një herë gojën gjatë gjithë kohës. Qoftë edhe për një fjalë të vetme. Dy bashkudhëtarët e mbrëmshëm të avullores, të ulur në cepin tjetër të tryezës, u zgërdhinë, madje filluan të bëjnë hapur shaka me tersllëkun e tij të djeshëm, por ai nuk jepte asnjë shenjë se po dëgjonte. Pasi hëngri shpejt e shpejt, i prapësoi ëmbëlsirat me një të tundur të kokës dhe u ngrit me të shpejtë, duke u rrotulluar në karrige. Pastaj futi menjëherë një puro në gojë dhe u zhduk sakaq tatëpjetë rrugës.
Dhe qëndroi jashtë deri pas mesnatës. U kthye vetëm pak përpara se ora të binte tri herë. Ku kishte qenë? Më vonë doli se kishte shkuar deri në qytezën fqinje, pra tërë atë rrugë të gjatë që paradite e kishte bërë me karrocë, tani vajtje-ardhje e kishte bërë në këmbë. Me siguri, duhej të kishte pasur ndonjë punë shumë të rëndësishme për të mbaruar. Kur Sara i vajti për t´i hapur derën, e gjeti të mbytur në djersë, por sidoqoftë ai i buzëqeshi disa herë dhe dukej shumë në qejf.
– O perëndi, ç´qafë të magjishme keni, moj vajzë! Ka ardhur ndonjë postë në emrin tim gjatë kohës që nuk isha këtu? Pra, në emrin Nagel, Johan Nagel? Tre telegrame, ç´thoni! Ah, dëgjoni, mund të më bëni një nder dhe ta hiqni atë tablonë aty nga muri? Që të mos jem i detyruar ta kem gjithnjë para sysh. Për më tepër që Napoleoni III nuk ka pasur asnjëherë mjekër të gjelbër. Faleminderit, jeni shumë e mirë.
Kur Sara iku, Nageli vazhdoi të qëndroi në këmbë në mes të dhomës. Me një vështrim të përhumbur, të ngulur një pike të caktuar në mur dhe pavarësisht se koka sa vinte dhe i anohej në njërën anë, ai nuk lëvizte. Dhe kështu një copë herë të mirë.
Ai kishte një shtat nën mesataren, një fytyrë të zeshkët e një vështrim çuditërisht të rëndë, si edhe një gojë të brishtë, thuajse femërore. Në një gisht mbante një unazë të thjeshtë, plumbi a hekuri. Me shpatulla shumë të gjera, atij mund t´i jepeshin njëzet e tetë-tridhjetë, gjithsesi jo më shumë se tridhjetë vjeç. Në tëmtha flokët kishin filluar t´i thinjeshin.
U zgjua nga shtangimi me një të hovur të shtatit, por kaq të fortë sa të thuash se kishte qenë veprim i vetëdijshëm, i paramenduar prej kohësh, edhe pse ishte vetëm në dhomë. Pastaj nxori nga xhepi i pantallonave një tufë çelësash, disa para të vogla dhe një si farë medalje, me një kordon të vjetër e të mjeruar dhe të gjitha këto sende i vendosi në komodinën pranë krevatit. Pastaj e futi portofolin nën jastëk, nxori sahatin nga xhepi i jelekut, si edhe një shishkë me etiketën e njohur të helmit. Sahatin e mbajti për disa çaste në dorë përpara se ta vinte mbi komodinë, kurse shishkën e futi përsëri me të shpejtë në xhep. Paskëtaj hoqi rrethin nga gishti dhe u la, shtroi me gishta flokët mbrapa, gjithë pa u vështruar asnjëherë në pasqyrë.
Kur shkoi në shtrat u kujtua befas se nuk e kishte rrethin në gisht, e kishte harruar në sqoll dhe, a thua se nuk mund të rrinte pa të, u ngrit dhe e vuri rrethin sërish. Së fundi i hapi të tre telegramet, por pa e lexuar deri në fund të parin, një buzagaz i shkurtër dhe i lehtë iu përvijua në fytyrë, pastaj u shtri dhe qeshi heshtazi, si për vete; dhëmbët i kishte shumë të bukur. Pastaj fytyra e tij u bë përsëri serioze dhe përnjëherësh i flaku tej telegramet, me shpërfilljen më të madhe. E pra ato kishin të bënin me një punë të madhe dhe shumë të rëndësishme; ishte fjala për dyqind e gjashtëdhjetë mijë korona, vlera e një prone në fshat dhe jo vetëm kaq, por në rast blerjeje të menjëhershme gjithë shuma duhej paguar menjëherë në dorë. Një njoftim i thatë dhe i shkurtër biznesi pra, që nuk kishte asgjë për të qeshur, por puna qe se mungonte nënshkrimi përkatës. Disa minuta më vonë Nagelin e kishte zënë gjumi. Të dy qirinjtë që ai harroi t´i fikte, ndriçonin fytyrën e rruar dhe kraharorin e tij dhe hidhnin një dritë të qetë përmbi telegramet e hapura aty mbi tryezë.
Të nesërmen në mëngjes Nageli dërgoi djalin e hotelit në zyrën e postës, nga ku i sollën disa gazeta, edhe të jashtme, por asnjë letër. Këllëfin e violinës e vendosi në mes të dhomës, mbi një karrige, si për të tërhequr vëmendjen e cilitdo, por për ta hapur nuk e hapi dhe nuk e preku veglën me dorë.
Gjatë tërë paradites nuk bëri tjetër veçse shkroi disa letra dhe të lexojë një libër, duke ecur tutje-tëhu nëpër dhomë. Përveç kësaj bleu në një dyqan një palë dorashka dhe pak më vonë, kur doli në pazar, pagoi dhjetë korona për një këlysh qeni të kuq, një velp, të cilin ia dhuroi menjëherë pronarit. Pastaj, duke i bërë të tërë njerëzit të qeshin, i vuri këlyshit emrin Jakobsen edhe pse doli që ishte femër.
Tërë asaj dite pastaj nuk bëri gjë tjetër. Nuk kishte asnjë punë në qytet, nuk bëri asnjë vizitë gjëkundi, nuk shkoi në asnjë zyrë dhe nuk njihte frymë njeriu. Të gjithë në hotel habiteshin me shpërfilljen e tij thuajse të plotë ndaj gjithçkaje, madje edhe ndaj punëve të veta. Kështu të tre telegramet në tryezën e dhomës e tij rrinin të hapur për cilindo, ai nuk i kishte zënë me dorë që mbrëmjen e kaluar. Madje nuk u përgjigjej as pyetjeve të drejtpërdrejta që i bëheshin. Pronari ishte përpjekur dy herë që t´i afrohej, duke e pyetur se cili ishte dhe se përse kishte ardhur në këtë qytet, por të dy herët kishte rrahur ujë në havan. Ndërkaq, në rrjedhë të ditës doli në pah edhe një tipar tjetër i çuditshëm i tij: edhe pse nuk njihte njeri në qytet dhe nuk kishte kërkuar askënd, në hyrje të varrezave, duke u ndeshur me një vajzë të re të qytetit, kishte ndaluar, e kishte vështruar dhe, pa thënë asnjë fjalë, kishte bërë një shtatpërkulje të thellë para saj, duke e bërë vajzën të skuqej flakë në fytyrë. Pastaj, pa e zgjatur, ky njeri i paturpshëm kishte marrë tatëpjetë fushës, deri në shtëpinë e priftit, por dhe më tej, gjë që, me që ra fjala, e bëri edhe në ditët e ardhshme. Paskëtaj u bë, të thuash, si rregull që t´i hapej dera, pasi hoteli ishte mbyllur, kaq vonë kthehej ai nga shëtitjet e veta.
(fragment)




