Gëzim Saliu
Kosta kundër kandidaturës së Jaçes në Përmet: Ka abuzuar me fondet publike. Rama as nuk e mori mundimin të më dëgjonte, krye kryeministri Ahmetaj me Ballën e kishin vendosur
Mes sherrit dhe debatit, asambletë e PS-së në qarkun e Gjirokastrës përzgjodhën dhe zyrtarizuan emrat e kandidatëve në bashkitë Tepelenë, Përmet dhe Memaliaj. Në asamblenë e PS-së në Tepelenë mbledhja zgjati vetëm 15 minuta, kjo si pasojë e debateve të forta mes të deleguarit të PS-së në qarkun e Gjirokastrës Arben Ahmetaj dhe kryetarit të Komunës Qendër në Tepelenë Redi Rama, i cili ishte një ndër emrat e propozuar nga baza. Pasi ministri bëri të ditur emrin e Tërmet Peçit, kreut aktual të kësaj Bashkie, si kandidatin e së majtës për Tepelenën, Rama ka shprehur kundërshtinë e fortë. “Kjo është kandidaturë humbëse, PS do të humbasë zgjedhjet, të gjithë socialistët nuk do ta votojnë. Zotohem që të gjithë socialistët nuk do të votojnë një kandidaturë të servirur që nuk gëzon mbështetje të socialistëve dhe të vetë popullit”, – tha ai duke u larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja. Ndërkaq, përkrahësit pranë kandidatit Redi Rama tentuan të godisnin ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, pas mbylljes së punimeve të asamblesë së PS-së në Tepelenë. Në momentin kur ata e sulmuan për të goditur ministrin, janë ndaluar nga disa persona të tjerë të pranishëm, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e sherrit mes palëve, që mund të kishte pasur edhe pasoja të tjera. Më pas përkrahësit e kandidatit Rama lëshuan kërcënime dhe sharje në drejtim të Ahmetajt, duke theksuar se kandidatura e Peçit do të sjellë humbjen e PS-së në Tepelenë. Po ashtu, mes pakënaqësive është përcjellë dje edhe zyrtarizimi i kandidaturës Durim Roshi në Memaliaj. Kreu i Komunës Qendër Memaliaj, Mynyr Memushaj, tha: “Kjo kandidaturë është prodhuar në periudhën 2003-2007, kur Durim Roshi ishte kryetar i Bashkisë Memaliaj. Nuk ka treguar performancë në detyrë. PS do të humbasë thellë”. Memushaj kërkoi që në Memaliaj të kandidohej Lulzim Meçi, i cili është aktualisht edhe kryetar i Bashkisë.
Largimi i Kostës
Ishte ministri Ahmetaj i cili konfirmoi rikandidimin e Gilberto Jaçes për në zgjedhjet e 21 qershorit në takimin që zhvilloi me strukturat e Partisë Socialiste në qytetin e Përmetit. Por ky rikonfirmim i Jaçes nuk është pritur aspak mirë nga deputeti i zonës, Vladimir Kosta. Ky i fundit, pasi shprehu të gjithë kundërshtitë e tij në mbledhje për këtë kandidaturë, dje përmes një letre drejtuar kolegëve të grupit parlamentar socialist bëri të ditur dorëheqjen nga PS-ja. Në letrën e tij, Kosta njoftoi deputetët se kundërshtinë e tij e ka bërë me fakte para Kryeministrit Edi Rama, por shefi i qeverisë, ministri Ahmetaj dhe nënkryetari i grupit parlamentar Tualant Balla vendosën rikandidimin e Jaçes. Nga ana tjetër, Kosta theksoi se ka qenë ai vetë që ka denoncuar për hetim të fondeve publike pranë KLSH-së kreun e Bashkisë së Përmetit. Mësohet se Kosta kishte propozuar si kandidat për Bashkinë e Përmetit Gentian Kukurecin, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Hipotekës. Që nga nisja e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, deputetët në disa raste kanë shprehur rezerva të forta për riciklimin e krerëve aktual të Bashkisë, siç është rasti i Qazim Sejdinit që kërkon mandatin e tretë. Për këtë të fundit nuk kanë munguar kritikat e Ben Blushit në takimin që Kryeministri Rama zhvilloi me deputetët e Elbasanit, si edhe deklaratën, sipas së cilës me lëshimet që kreu socialist po bën ndaj aleatëve dhe emrat që po përzgjedh po vë në rrezik zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës.
Tri kandidaturat që sollën përçarje te PS e qarkut Gjirokastër
Gilberto Jaçe – Bashkia Përmet
Tërmet Peçi – Bashkia Tepelenë
Durim Roshi – Bashkia Memaliaj
Letra e Kostës për deputetët e PS-së
Të nderuar Kolegë!
Kandidatura e Përmetit është vendosur kundër dashjes sime. E kundërshtova me fakte para Kryeministrit aktual, por krye kryeministri Ahmetaj bashkë me Taulantin dhe te fortët e gazetës “Dita”, vendosen Gilberto Jaçen, të cilin unë personalisht e kam denoncuar për hetim të fondeve publike pranë KLSH. Edi Rama as nuk mori mundimin të më dëgjonte për sa i shpjegova. Për sa më sipër dhe për sa s’jam dëgjuar deri më sot në këtë Parti, me keqardhje largohem nga Partia Socialiste, si deputet i pavarur. Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin!
PS e Urës Vajgurore kundër emrit të Tiranës: S’duam kandidat me kokën në Tiranë e këmbët këtu
Baza e PS-së në Urën Vajgurore shprehet kundër emrit të përzgjedhur nga kryesia në Tiranë për këtë Bashki. Në një takim që u zhvillua dje mes strukturave socialiste të kësaj njësie me deputetët e qarkut Berat, ku i pranishëm ishte edhe nënkryetari i PS-së Taulant Balla, anëtarët e bazës theksuan se nuk mund të pranonin një emër nga Tirana. “Një kryetar Bashkie që do të na vijë nga Tirana. Ai kokën do ta ketë në Tiranë dhe këmbët në Urën Vajgurore. Ne kemi një numër të madh intelektualësh, nuk është e nevojshme të importojmë nga kryeqyteti”, – kanë theksuar në fjalën e tyre socialistët e Urës Vajgurore. Nga ana tjetër, krerët e strukturave të kësaj njësie kanë shprehur mbështetje për kryetarin aktual Syrja Ormenaj, i cili, sipas tyre, duhet të rikandidohet në 21 qershor. “Ne e kemi kandidatin tonë për kryetarë bashkie që ka fituar dy herë radhazi me rezultate të mëdha. Ai është kryetari i Bashkisë aktuale, z. Ormenaj. Prandaj mos krijoni anomali zotërinj deputetë. E vetmja bashki socialiste që ka qarku i Beratit, Ura Vajgurore, ju doni ta humbisni”, – tha kryetari i këshillit zonal socialist Gëzim Selemaj. Në të njëjtën linjë kreu i Këshillit Bashkiak, Halit Dyrma, ka kritikuar emrin e propozuar nga Tirana duke theksuar: “Nuk do lejojmë që të na vinë kandidatë nga Tirana, ne e kemi kandidatin tonë”, – tha ai. Këto deklarata hasën në mbështetjen e socialistëve të Urës Vajgurore, të cilët kërkuan që kreu i qeverisë të merrte parasysh kërkesat e tyre.





