Drafti i ri, ja çfarë përfitojnë mësuesit dhe nxënësit

mësuesit dhe nxënësitDisa kategori përfitojnë trajtim, bursa studimi, shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe mbulimin e kostos së teksteve mësimore

Drafti i ri për arsimin parauniversitar parashikon një sërë ndryshimesh, duke filluar nga mësuesit te nxënësit. Sipas draftit, shpenzimet për transportin e mësuesve, që punojnë jashtë qendrave urbane, larg vendbanimit të përhershëm të tyre, në distancën mbi 5 km dhe kthehen brenda ditës, si dhe shpenzimet për transportin e nxënësve që ndjekin arsimin bazë larg vendbanimit, në distancën mbi 2 km, përballohen nga fondet publike. “Përfitojnë shpenzime nga fondet publike rreth 8-10% e nxënësve të arsimit 9-vjeçar dhe rreth 35% e mësuesve të SAPU-së. Janë dhënë falas tekstet për nxënësit romë, për nxënësit e shkollave të pakicave kombëtare, për fëmijët shqiptarë emigrantë, për nxënësit nga familjet me ndihmë sociale dhe për ata që kanë statusin e të verbërve. Çmimi i blerjes së tyre mbulohet tërësisht nga buxheti i Ministrisë. Bursat dhe mbështetja financiare për nxënësit nga shtresat sociale në nevojë apo me rezultate në mësime miratohen çdo vit me VKM. Nxënësit që ndjekin studimet në IA-të publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera të parashikuara në këtë vendim; shpenzimet për kuotën ushqimore / bursa mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë. Bursat për çdo nxënës përfitues miratohen nga këshillat e NJBQV-ve dhe nga institucionet e arsimit të lartë, duke u dhënë përparësi nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre nga shtresat në nevojë, si dhe administrohen nga NJBQV-të dhe nga institucionet e arsimit të lartë publik. Bursat akordohen mbështetur në kritere ekonomike (të ardhura të ulëta të familjes) dhe në rezultatet e larta në mësime”, – thuhet në draft. Me qëllim nxitjen e të nxënit, vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve romë dhe egjiptianë, me VKM përfitojnë trajtim, bursa studimi, shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe mbulimin e kostos së teksteve mësimore një numër i madh nxënësish e studentësh romë e egjiptianë.

 

Çfarë ndryshon

Nga viti 2015 e në vijim, sigurohen tekstet shkollore të reja dhe të njësuara, sipas qasjes së re kurrikulare, për të gjitha nivelet arsimore. Nga viti 2015, tekstet shkollore për pakicat kombëtare plotësojnë standardet evropiane. Nga viti 2016, zgjerohet rrjeti i shkollave qendër komunitare që ofrojnë modele pozitive të sjelljes dhe u mundësojnë fëmijëve të kultivojnë vlerat demokratike. Nga viti 2016, funksionojnë shoqatat e sportit dhe federata kombëtare e sportit. Nga viti 2017, të gjitha shkollat kanë shërbime psiko-sociale. Nga viti 2018, 95% fëmijët e grup-moshës 5-6 vjeç (përfshirë dhe ata me AK) përfshihen në klasat përgatitore, ndërkaq 90% e grup-moshës 3-5 vjeç përfshihet në forma të ndryshme të edukimit parashkollor që funksionojnë bazuar në kurrikulat përkatëse. Nga viti 2018, funksionon harta digjitale e shkollave dhe optimizohet rrjeti i shkollave të mesme. Nga viti 2018, shkollat e mesme janë të pajisura me infrastrukturën e sigurt dhe funksionale që ofron mundësi për përdorimin e përmbajtjeve digjitale në procesin mësimor. Nga viti 2019, funksionon sistemi që mundëson gjithëpërfshirjen e nxënësve në arsimin e detyrueshëm, i ndjeshëm ndaj nxënësve nga familje të shtresave në nevojë dhe të disavantazhuara(26). Nga viti 2019, zbatohet kurrikula e re që bazohet në kompetenca, në të gjitha nivelet e APU-së, e shoqëruar me përmirësimet e nevojshme në metodologjitë e të nxënit dhe të vlerësimit. Nga viti 2020, ka shërbime mbështetëse për fëmijët me AK, në IA-të dhe çdo bashki. Nga viti 2017, sigurohet prania e mësuesve ndihmës për fëmijët me AK gjatë orëve të mësimit.

 

Debati/ Mësuesit pa kontratë pune, paralajmërim qeverisë

Të gjithë arsimtarët janë pa kontrata kolektive pune. Në 31 dhjetor të 2014-ës ka përfunduar afati i kontratave që kishin nënshkruar në 2010 dhe që prej disa muajsh mësuesit janë pa këto kontrata. Sindikalistët që janë pala nënshkruese me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit shprehen se prej disa kohësh i kanë kërkuar kësaj të fundit, që të nënshkruajnë këtë dokument që mbron interesat e arsimtarëve, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare. Madje po të njëjtat burime nga sindikatat thonë se do t’i lihet një afat Ministrisë, në të kundërt do të ndiqen rrugë të tjera ligjore. Gjatë një takimi me zv.ministren Nora Malaj, përfaqësuesit e sindikatës së arsimit në vend ngritën shqetësimin e krijuar te mësuesit për zvarritjen qëllimshme dhe të pajustifikuar për nënshkrimin e kontratës së re kolektive nga ana e grupit të punës të ngritur nga Ministria si dhe u kërkua tërheqja e MAS nga testimi i mësuesve i parashikuar për në muajin maj 2015.  Sipas sindikalistëve, nëse mësuesit nuk e kanë një kontratë të tillë, nuk janë të mbrojtur ligjërisht përpara punëdhënësve, ku këta të fundit mund të ndryshojnë rregullat e pranimeve apo heqjes nga puna, sipas kushteve të tyre. Ndërkaq, pas kalimit nga një janari i 2015-ës të arsimit profesional nën varësinë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për herë të parë për arsimin profesional do të ketë një kontratë më vete nga arsimi parauniversitar, por edhe me këtë Ministri nuk është nënshkruar një kontratë e tillë.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :