“Përjashtimi i Doshit s’ka lidhje me akuzat për vrasje, çfarë bisedova me Metën dhe Llallën”
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se nuk ka pasur asnjë tentativë për vrasje ndaj deputetit Tom Doshi, duke e cilësuar dëshmitarin e paraqitur si një aktor. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV “Klan” me gazetarin Blendi Fevziu, Kryeministri foli gjerë për çështjen e akuzave të deputetit, duke i qëndruar variantit të shprehur me kronologji të ngjarjeve nga ministri i Brendshëm. Po ashtu ai tha se nuk ka asnjë lidhje mes përjashtimit të deputetit dhe akuzave të tij për vrasje.
Si e mësuat çështjen?
Pretendimin e kam mësuar nga vetë deputeti, i cili më shprehu shqetësimin se ishte në dijeni të një komploti ku përfshiheshin personat që dihen tani.
Ju kërkoi ndihmë?
Më vuri në dijeni dhe e kemi ndjekur hap pas hapi me ministrin e Brendshëm. Është vënë në dijeni dhe prokurori dhe ministri i Brendshëm. Kam diskutuar dhe me prokurorin e Përgjithshëm sa jam vënë në dijeni. Por kallëzimin deputeti s’ka pranuar ta bëjë.
Drejtori i Policisë e ka thënë se nuk ka dijeni…
Është e pavërtetë është një shtrembërim. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka mohuar faktet. Është njësoj si të vish ti në zyrë me një person të panjohur dhe të më thuash se ky person ka dashur të më vrasë dhe më ka treguar se Sandri i ka dhënë qindra mijëra euro për të më vrarë Doktori, sepse Doktori nuk më duron dot më. Unë të them bëj kallëzim. Ti më thua jo. Atëherë personit i krijohet gjithë procedura e mbrojtjes për të bashkëpunuar me drejtësinë. Ai s’e bën këtë gjë. Atëherë ju përcilleni nga zyra me personin tjetër dhe policia në rrugën e vet ndjek këtë pretendim dhe arrin në konkluzione. Dhe ministri dje në mënyrë besnike tha kronologjinë.
Një person që deklaron në zyrën e ministrit të Brendshëm se ka marrë para për të vrarë të duket normale?
Deputetët, personat publikë mund të shfaqen në derë të ministrit… ai është shfaqur me një aktor që është futur në një rol dhe faktikisht ministri ka kontaktuar dhe policia thotë se ky është aktrim. Policia ka ndjekur në bazë të indiceve të marra të gjithë rrugën e treguar dhe ka arritur në konkluzionin që tha ministri.
Dhe vrasësi…
Nuk ka vrasës Fevzi. Është aktor, mund të dalë nesër një video tjetër me një aktor tjetër, ku pagues jam unë, Sandri etj. dhe ç’do bëjmë ne? Do ngrihet shoqëria në këmbë? Policia e ka ndjekur këtë çështje dhe ka fashikuj për të.
Ministri tha se personi ishte në nderin e deputetit…
Në bazë të ligjit nuk ka deklarime vrasësish po s’pati kallëzim. Ndërkohë që policia për të kuptuar që dikush është i çmendur apo i penduar bën punën e vet. I kanë thënë deputetit hiq dorë nga kjo, sepse këtu nuk ka komplot.
Çfarë i kërkuat prokurorit?
Unë i kërkova me këmbëngulje që çështja të zbardhet. Duke pasur tashmë, jo më një person që aktron, por një person që është arrestuar nga policia pas denoncimit të deputetit kur tha se dëshmitarit të tij i është vënë eksploziv. Në këtë moment ka filluar hetimi zyrtar. Ajo që kam kërkuar nga prokurori kam vënë në dispozicion gjithë vullnetin tonë që jemi në dispozicion të hetimit.
Pse u mbajt e fshehtë?
E fshehtë për çfarë? Nuk ka pasur çështje more…
A ju tha Doshi pse donin ta vrisnin?
Unë me deputetin jam përpjekur maksimalisht për këtë çështje. Duhet të sqaroj se deputeti nuk është përjashtuar për këtë çështje. Kjo është një histori që nuk ka bazë faktike dhe është e kotë që të nxirret si e vërtetë një gjë imagjinare dhe unë vetë s’e kuptoj se ka qenë i mbërthyer nga paranoja apo ka qenë pjesë e farsës.
Keni folur me Metën?
Po, që në momentin e parë dhe kemi qenë të shqetësuar. Derisa nga policia na është thënë se këtu nuk ka bazë reale. Dhe se këta persona që nuk janë të kampit tonë, por që vijnë nga kampi tjetër. Përfshirja e këtyre personave është reale për të nxitur këtë proces, për të krijuar këtë zallamahi apo është imagjinare, këtë do ta nxjerrë hetimi. Sot në parlament u duk qartë se kush ishin të interesuar për këtë farsë. Se nuk ka mendje logjike në botë që të besojë në këtë gjë.
Meqë Prokuroria ka nisur çështje si për eliminimin e zotit Doshi dhe Fufi dhe përmendet emri i Metës a duhet të ishte e ndershme të dorëhiqej Meta?
E para e punës në Shqipëri qeveria ka vrarë njerëz në bulevard dhe Kryeministri i ka thënë prokurores lavire dhe ky person i kërkon kreut të Kuvendit të japë dorëheqjen sepse një aktor dhe një deputet përgatiten këtë. Dhe Kryetari i Kuvendit do të jetë nesër në Prokurori dhe ai ka marrë dijeni sikurse unë dhe ministri i Brendshëm.
Pse u përjashtua Tom Doshi? Ju negociuat deri vonë për ta mbajtur…
Kush e tha këtë? Këtë jua tregoj unë…
(Shfaqet videoja ku Koço Kokëdhima flet me Tom Doshin)
Çfarë është ky, film pa zë në Parlament?
Të bëhemi seriozë, po patët mundësi. Nëse më keni thirrur për film pa zë këtu atëherë kam veshët e mi.
A u përjashtua Tom Doshi?
Arsyet e përjashtimit të deputetit nuk kanë lidhje me çfarë erdhi më pas. Por një vazhdë qëndrimesh të papranueshme në shkelje të kontratës së bashkëjetesës e cila nuk mund të pranojë deputetë që marrin përsipër ti shpallin luftë qeverisë, t’i thonë publikut se janë në luftë në qeverisë dhe se do i tundin leqet mazhorancës.
Çfarë bëri Tom Doshi?
Në bashkëjetesën tonë nuk ka vend për njerëz që kanë qëndrime që nuk përputhen me vlera. Nuk është çështje marrëdhëniesh. Për mua njerëzit në grupin parlamentar janë njerëz të afërt dhe është e qartë dhe e prerë. Shoqëria është shoqëri dhe puna është puna. Dhe nëse nuk përputhen, nuk prishet puna por prishet shoqëria.
Thjesht se akuzoi për mosqeverisje?
Akuzoi duke shkelur rëndë etikën e bashkëjetesës sonë. Kush ngre akuza të kësaj natyre nuk mund të jetë pjesë e grupit të PS dhe e mazhorancës. Por duhet të ballafaqojë akuzat me popullin. Ne baltën e Saliut nuk e importojmë në PS.
Cili është roli i Tom Doshit në 21 Janar?
Ai që dukej publikisht.
I keni kërkuar të hyjë me forcë në Kryeministri?
Çfarë janë këto idiotësira? Tom Doshi është e drejta e tij ka pasur mundësi ta bëjë. Nëse ka të reja të vazhdojë t’i dëshmojë.
A është Doshi sponsor i PS-së. Kreshnik Spahiu ka deklaruar…
Ah, sorra, unë refuzoj me neveri të humbas të komentoj sorrën e Aleancës Kuq e Zi.
A keni pasur frikë nga Tom Doshi?
Unë s’kam frikë nga askush.
A ishte largimi i Tom Doshit për dekriminalizim të Kuvendit?
Ishte përjashtim i një pjesëtari i grupit të PS ku nuk mund të bashkëjetonim më. Sepse shkeli kontratën tonë për të zbatuar kontratën me popullin shqiptar.




