Hedh poshtë deklaratat e kreut të LSI-së/ Dritan Prifti: Meta po hakmerret me Doshin, për shkak të videos së 700 mijë eurove të 2011-ës

Gëzim Saliu

Prifti... “Nuk ka asnjë video mes meje dhe Shkëlzen Berishës. Pse i thashë Doshit mos e bëj publike çështjen”

Ish-ministri dhe ish-deputeti Dritan Prifti reagoi dje pas përmendjes së emrit të tij nga Kryeparlamentari Meta në seancën parlamentare të së enjtes. Përmes një deklarate për media, Prifti iu kundërpërgjigj akuzave të kreut të Kuvendit, duke theksuar nga ana tjetër se kjo që po ndodh aktualisht me deputetin Tom Doshi është, sipas tij, një hakmarrje e kryetarit të LSI-së për videon e publikuar në vitin 2011 që solli më pas demonstratën e 21 Janarit. “E kam pritur, si një mik i deputetit Tom Doshi, që kjo situatë e ndezur politike do më përfshinte edhe mua brenda, sidomos pas publikimit të videos së të penduarit për krim. Siç e kanë parë tani një masë e madhe e shqiptarëve, afërsisht 100.000 persona vetëm nëpërmjet faqes së Tom Doshit në FB, duket qartë pse Ilir Meta paguante për të vrarë Tom Doshin. Vrasja porositet në shenjë hakmarrje për mbështetjen që Tom Doshi më dha mua për të publikuar videon me Metën, që në publik ka marrë emrin “video e 700,000 eurove”. Meta, tani i plotfuqishëm në pushtet, ka gjithë mundësinë të hakmerret ndaj meje dhe Tom Doshit”, – theksoi Prifti.

 

Reagimi

Në reagimin e tij, Prifti theksoi se nuk ka pasur asnjë informacion më parë për çështjen e Doshit, duke theksuar nga ana tjetër se e kishte këshilluar që mos e bënte publike. Historinë e Tom Doshit nuk e kam ditur. Një dite e pyeta pse kishte marr makine te blinduar dhe badigardë dhe atëherë me tregoi historinë qe tashme është bere publike. Ma ka treguar ne muajin tetor 2014. Me tha se kish njoftuar autoritetet e shtetit, por edhe Ilir Metën për këtë. Unë e këshillova te mos shqetësohej, sepse ne momentin qe ngjarja u be e njohur për porositësin, ai do ndalonte. Tom Doshi ishte shume i shqetësuar për djalin e penduar qe i kishte treguar atij te vërtetën. Do ma vrasin thoshte. Dhe ne momentin qe ndaj te penduarit u tentua atentat me eksploziv, Toma me tha se “…nëse nuk e bënte ngjarjen publike, do mbante përgjegjësi për jetën e atij djali”. Dhe ngjarja u be publike, pavarësisht se unë insistova qe mos te behej publike, sepse unë e provova qe ne Shqipëri nuk ka drejtësi te pavarur. Unë bëra një denoncim te njëjtë dhe askush nuk u dënua”, – theksoi ai. Më tej, Prifti tha se e cilësonte si të mbyllur historinë e armiqësisë me Metën, edhe pse ky i fundit sipas tij nuk është i të njëjtit mendim. Ndërkaq ai hodhi poshtë deklaratat e Kryeparlamentarit, sipas të cilave ka edhe një video mes Priftit dhe djalit të ish-kryeministrit Berisha. “Ilir Metës po i them se nuk kam dhe s’kam pasur kurrë video me Shkëlzen Berishën. Shkëlzen Berisha nuk është përmendur kurrë ne videot qe unë kam pasur për Metën apo te afërm te tij. Çdo insinuate ne këtë drejtim është vetëm shpifje. Kam takuar Ilir Metën shumë kohë pas përplasjes tone në Prokurori dhe Gjykatë dhe kisha kuptuar se kishim vendosur një paqe mes nesh. Për hir te kësaj paqe u prira te besoja qe ai nuk kishte gisht ne goditjet e ndryshme qe vinin drejt meje. Mbase jam i gabuar se mes nesh mund te ketë ndonjë here paq”, – deklaroi ai. Po ashtu Prifti i ka dhënë një përgjigje edhe deklaratave të Paulin Stërkaj në Parlament, i cili e cilësoi atë si njeriun më të pasur në vend dhe që duhet hetuar. “Sot kam një fondacion bamirësie dhe një firme konsulence dhe punoj kryesisht me te huajt qe kane investuar dhe duan te investojnë ne Shqipëri. Por, me beso Paulin, se pasuria ime me e madhe është familja ime. Kam një grua qe nuk me largohet nga krevati ne drejtim te paditur. Kam dhe 4 fëmijë te mbare dhe pa vese, qe nuk kane nevoje për detoksikim nga droga apo substanca te tjera. Kjo është pasuri e vërtetë”.

 

Shkëlzen Berisha: Meta është burri i Monikës apo shërbëtori im?

Pas deklaratave të Kryeparlamentarit Meta se nuk jep dorëheqje për herë të dytë se njëherë e kishte dhënë për Shkëlzenin, ka reaguar ky i fundit në rrjetin social Facebook, duke ngritur një pyetje. Sipas djalit të ish-kryeministrit, dilema ngelet nëse në krye të parlamentit është bashkëshorti i Monikës apo shërbëtori i Shkëlzenit? “Burri Konikes apo shërbëtori i Shkëlzenit ? Gjithë bota, e dëgjon me zë dhe e sheh me figure, duke vjedhur me bllok ne dore por Iliri thotë se paska dhenë dorëheqjen për Shkëlzenin. Gjithë bota dëgjon sesi akuzohet me zë dhe figure për vrasje, por kësaj radhe nuk e jep dorëheqjen prej Shkëlzenit. Qe nuk vlen as për kryetar partie e as për kryetar parlamenti kjo është krejt e qarte, dilema ngelet nëse ne krye te parlamentit është burri Monikës apo shërbëtori i Shkëlzenit”.

 

Ish-kryeministri/ Berisha: Meta më futi djalin në 2011-ën për të mos dhënë dorëheqjen, nuk pranova

Ish-kreu i qeverisë zbuloi dje një tjetër detaj të prapaskenës së zhvilluar në kohën e publikimit të videos “Meta – Prifti”, e cila çoi në dorëheqjen e kreut aktuale të LSI-së nga posti i zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Sipas Berishës, Meta i kishte dërguar djalin e tij, Shkëlzenin, që t’i lutej për ta mbajtur në qeveri. “Ilir Meta mendon se djali im, të cilit i ishte lutur Ilir Meta që të ndërhynte tek i ati, nuk ndërhyri, sepse Ilir Meta nuk donte të jepte dorëheqjen dhe u detyrua të jepte dorëheqjen. Unë e dua shumë djalin tim, por natyrisht detyra shtetërore është detyrë shtetërore për mua”, – u shpreh Berisha.

 

 Pas seancës/ Rama: Opozitë e një tufe politikejsh dhe rrugeçërish

Megjithëse nuk u përfshi drejtpërdrejt në debat, pavarësisht batutave nga vendi kundrejt Berishës dhe Topallit, Kryeministri Rama foli në oborrin e Kuvendit pas mbylljes së seancës së djeshme. Duke komentuar zhvillimet në Parlament, kreu i qeverisë akuzoi opozitën për sjelljen e saj, duke e cilësuar si rrugaçërore. “Kjo ishte një shfaqje shumë e trishtueshme, në të cilën janë përfshirë një “tufë politikejsh dhe rrugeçërish”. Kostoja e këtyre sjelljeve është e shqiptarëve, të cilët presin të dëgjojnë për reformat, për ligjet, për të cilat ka nevoje procesi i reformave dhe i modernizimit të vendit, për ekonominë. Është për të ardhur keq që Shqipëria sot, jo vetëm që nuk ka opozitë, por ka një opozitë, e cila përveçse ka braktisur misionin e saj për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që e kanë votuar, është kthyer në zërin e skutave më të errëta të një bote, me të cilën politika është e vendosur të ndahet”, – tha Rama. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit politike në vend pas deklaratave të Tom Doshit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo mazhorancë ka vendosur tashmë një standard të ri në marrëdhëniet me Prokurorinë. “I takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën e kësaj farse që na turpëron të gjithëve. Ne do ia lëmë drejtësisë që të merret me këtë çështje deri në fund. Nëse flasim për institucione, këto janë institucionet”, – deklaroi Rama.

 

Share it :