Përmbytjet/ Basha: Rama, i zhytur në korrupsion, blen energjinë me dyfishin e çmimit që e shet

Erneta Shevroja

lulzim bashaKryedemokrati: KESH e ka shitur energjinë mesatarisht me 30 euro megavatin, OSHEE e ka blerë energjinë me 57 euro për megavat, dyfishin e çmimit që e ka shitur korporata

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë se po përfitojnë mijëra euro nga përmbytjet në Jug të vendit. Sipas Bashës, në kohën kur qytetarët po luftojnë me përmbytjet, kreu i qeverisë ka përfituar 4 milionë euro nga shitja e energjisë. Këtë kryedemokrati e fakton duke thënë se OSHEE ka blerë energjinë me dyfishin e çmimit që mund ta blinte, pasi nuk e ka blerë drejtpërdrejt nga KESH-i, por nga kompanitë private. “Dokumenti tregon qartë se KESH e ka shitur energjinë mesatarisht me 30 euro megavatin, sipas profileve. Ky është dokumenti tjetër, që tregon se OSHEE e ka blerë energjinë me 57 euro për megavat, pra dyfishin e çmimit me të cilin e ka shitur korporata shtetërore energjetike”, – denoncoi Basha. Abuzimi shkon në 4 milionë euro, që sipas kreut të opozitës nuk i shkojnë të përmbyturve në Jug, por në xhepat e zyrtarëve. Basha i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisin menjëherë hetimet për këtë rast abuzimi. Kreu i demokratëve edhe një herë përsëriti thirrjen ndaj qeverisë që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të bëjë transparencë shifrat, me të cilat do të dëmshpërblehen familjet e përmbytura në Vlorë dhe në Fier.

Denoncimi

Në një kohë kur vendi ndodhet në vështirësi të madhe dhe ka nevojë për ndihmë nga shteti, drejtuesit e shtetit po shohin mënyrat si të përfitojnë për xhepat e tyre. Kjo është deklarata që bëri dje kreu i opozitës për çmimin e energjisë, me të cilin shitet dhe blihet javën e fundit kur prurjet e ujit jo vetëm që janë rritur, por kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa zona në Jug të vendit. Kreu i opozitës tha se Kryeministri dhe qeveria kanë përfituar 4 milionë euro nga blerja e energjisë. Skema e përfitimit, sipas Bashës, është e tillë: “Blerja e fundit e energjisë që ka bërë OSHEE, është dy herë më e shtrenjtë sa ç’mund të ishte. Këtu kemi dokumentin zyrtar që tregon çmimin me të cilin KESH ka tregtuar energjinë për kompanitë private. Dokumenti tregon qartë se KESH e ka shitur energjinë mesatarisht me 30 euro megavatin, sipas profileve. Ky është dokumenti tjetër, që tregon se OSHEE e ka blerë energjinë me 57 euro për megavat, pra dyfishin e çmimit me të cilin e ka shitur korporata shtetërore energjetike. I gjithë ky abuzim në harkun e dy javëve, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë të paktën 4 milionë euro. Në qoftë se OSHEE do ta kishte blerë energjinë direkt nga KESH-i, taksapaguesve shqiptarë do t’u ishin kursyer të paktën 4 milionë euro”, – tha Basha dje nga selia blu. Me pak fjalë, qeveria ka shitur energji dhe e ka blerë atë me dyfishin e çmimit jo drejtpërdrejt nga KESH-i, por nga kompanitë private. Basha akuzoi shefin e qeverisë që në këto ditë në vend që t’u vijë në ndihmë qytetarëve në nevojë, ai përfiton për interesa personale. Ka një anë tjetër të tmerrshme të qeverisjes së Edi Ramës në këtë ditë. Qeverisja e tij është inekzistente në terren, por shfaqet me mënyrën më të pabesueshme të korrupsionit, pikërisht në këto ditë të fatkeqësisë natyrore. Në kulmin e përmbytjeve, kur mijëra familje janë të rrethuara nga uji, Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në korrupsion. Miliona euro që mund t’u shkonin në ndihmë të përmbyturve, të dëmtuarve, të sëmurëve, fëmijëve e të moshuarve, kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve të korruptuar përmes një skeme kriminale abuzimi. Jo vetëm që nuk u shkohet në ndihmë banorëve, jo vetëm nuk shpallet gjendja e emergjencës, jo vetëm nuk bëhet transparencë nëse ka vënë fonde në dispozicion dhe sa janë këto fonde, por Edi Rama ka vendosur të nxjerrë fitime marramendëse nga përmbytjet për vete dhe për klientët e tij”, – tha kreu i demokratëve, duke vijuar më një thirrje drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme. “Unë i bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të nisë menjëherë, sot, tani, hetimet për këtë vjedhje, për këtë përfitim të qeveritarëve në kurriz të të përmbyturve dhe gjithë taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë, i bëj edhe një herë thirrje të shpallë gjendjen e emergjencës”, – bëri thirrje kryedemokrati.

Thirrja për qeverinë

Edhe një herë, kreu i opozitës i bëri thirrje kreut të qeverisë që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të bëtë transparente shumat e fondeve, me të cilat do të dëmshpërblejë dëmet në jug të vendit që janë shkaktuar nga përmbytjet. “I bëj edhe një herë thirrje të shpallë gjendjen e emergjencës. Pikërisht sot, në këtë ditë të vështirë për qindra mijëra banorë në zonat e përmbytura dhe për qindra mijëra shqiptarë të tjerë që janë në ankth për shkak të përkeqësimit të motit, në këtë ditë të vështirë të regjistrimit të viktimës së parë, edhe njëherë i përcjell ngushëllimet e mia familjes, Kryeministri, në vend që të shpallte gjendjen e emergjencës civile që po ia kërkon gjithë Shqipëria, jo vetëm opozita politike dhe në vend që dalë me një plan të qartë qeveritar të ndihmës për zonat e përmbytura, në vend të garantimit të mbështetjes së fuqishme jo me fjalë por me mjete, u shfaq para mediave më keq se ata dy të dehurit e grupit që bëjnë sikur vlerësojnë dëmet në terren. Edi Rama e çoi dëm këtë mundësi për të bërë transparencë, për t’iu përgjigjur pyetjeve që kanë sot jo vetëm mijëra të përmbytur që gjenden në ditën më të vështirë të jetës së tyre, por edhe gjithë shqiptarët kudo ku janë, që ndjekin me shqetësim situatën e bashkëkombasve të tyre. E çoi dëm këtë mundësi Kryeministri i vendit, sepse për një orë, nuk tha sa fonde ka vënë në dispozicion, cilat struktura janë në terren, si po ndihmohen konkretisht banorët. Çfarë po bën për ato familje që s’kanë ushqim, ujë të pijshëm medikamente. Çfarë po bën për ato familje që po u ngordhin bagëtitë sepse nuk kanë ushqim për to”, – tha Basha.

Ristani në Vlorë e Fier, shpërndahen ndihma, thirrje për solidaritet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ishte dje në zonat e prekura nga përmbytjet, ku u shpërndanë dhe ndihma për njerëzit dhe gjënë e gjallë. “Njerëzit janë në nevojë urgjente për ushqime dhe materiale të tjera tepër të domosdoshme. Ka një nevojë tepër të madhe për ushqim bagëtish. Ato që kanë mbijetuar kanë nevojë edhe për ilaçe pasi bagëtitë po ngordhin edhe nga të ftohtët. Një shqetësim tjetër është nevoja për të pasur autobote për të pastruar puset e ujërave të zeza pasi janë tejmbushur”, – u shpreh Ristani. Sekretari i Përgjithshëm mori shqetësimin e banorëve për ndihmat e dhëna. Sipas tyre ndihma janë selektive. Ristani u ndal edhe në ambulancën e fshatit e cila është totalisht e përmbytur dhe jashtë funksionit. “Shumë prej banorëve ankohen për selektivitet në dhënien ndihmash. I ribëjmë thirrje Kryeministrit të shpallë gjendjen e emergjencës civile pasi do të bënte të mundur ndjekjen e një protokolli ligjor për të vënë në punë të gjitha resurset shtetërore në ndihmë të banorëve dhe mobilizim të gjithanshëm”, – u shpreh Ristani në Vlorë.

Share it :