KQZ kërkesë Kuvendit: Ja nenet që krijojnë mosfunksionim, të zgjidhet problematika
Ndarja e re administrative-territoriale me 61 bashki do të sjellë probleme të mëdha në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryesisht për komisionet e administrimit zgjedhor. Nënkryetari i këtij Komisioni, i sapozgjedhuri Denar Biba, pranoi dje për “AS” se ndarja e re sjell probleme si në lidhje me fletët e votimit ashtu edhe për numërimin e si pasojë rezultatet e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. “Një zonë e administrimit zgjedhor mund t’i korrespondoj disa bashkive, më shumë se një bashkie. Përfytyroni që në zgjedhjet vendore, fletët e votimit janë me ngjyra të caktuara të dallueshme nga njëra bashki në tjetrën, që çfarë situatash do të krijohen kur një ZAZ që mund të ndodhë të bjeri në më shumë se sa një bashki, do të ketë fletë votimi me ngjyra nga më të ndryshmet, përfytyroni konfuzionin që do të krijohet. Akoma më tej problematikë do të krijohet edhe në lidhje me regjistrimin e kandidaturave dhe së fundmi do të ketë vonesa në lidhje me nxjerrjen e rezultatit përfundimtar me numërimin e votave”, – tha Biba.
Kodi Zgjedhor
Në kushtet kur mazhoranca vendosi të mos paraqesë draftin e saj me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në kuadër të kundërshtive të mëparshme të opozitës, për konsensus lidhur me këtë çështje, duket se kjo vonesë do të ndikojë në punën e KQZ-së. Nëse nuk do të bëhen ndryshimet e Kodit, sipas nënkryetarit të KQZ-së, zgjidhjet janë vetëm dy: shkelja e Kodit Elektoral ose shkelja e ndarjes së re administrative. “Të dy ligjet kanë probleme të harmonizimit me njëri-tjetrin. Praktikisht Kodi aktual detyron KQZ të kryejë zgjedhje, fjala vjen në lidhje me Tiranën dhe për minibashkitë, ndërkohë që e dimë fare mirë që tani Bashkia e Tiranës nuk do të ketë më ndarje në minibashki. Po ashtu Kodi i vjetër ka dhe elementë të tillë si komuna, të cilat gjithashtu nuk ekzistojnë më. Këto dhe elementë të tjerë bëjnë që të krijohet një situatë mosfunksionale, është më e pakta mund të them, sepse me shumë gjasa mund të kemi dhe përplasje ligjore ndërmjet këtyre dy akteve”, – u shpreh Biba. Për këtë ai bëri të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në datë 5 shkurt i dërgoi një letër Kuvendit, ku specifikonte nenet të cilat nuk përputhen me ndarjen e re territoriale dhe që bllokojnë punën. “KQZ përpara pak kohësh ua ka bërë me dije këtë situatë Kuvendit duke qenë se ky i fundit është organi që i ka prodhuar të dyja këto akte dhe që është organi që uroj që pas kësaj vërejtje të nxitur nga KQZ të marr sa më shpejt masat për të harmonizuar situatat, të cilat mund të krijojnë probleme”, – pohoi nënkryetari i KQZ-së. Shumica paraqiti tri ditë më parë në Kuvend vetëm ndryshimet në ligjin për pushtetin vendor, duke mënjanuar draftin për Kodin Elektoral. Ky qëndrim i mazhorancës erdhi edhe falë kundërshtive të PD-së për ndryshime të tij pa marrë më parë konsensusin e opozitës. Në këtë formë, e vetmja mundësi për ndryshimin e Kodit, nëse kjo do të ndodhë, do të jetë adresimi i KQZ-së ndaj Parlamentit, por, sipas demokratëve, kjo gjë nuk mund të ndodhë. “Kjo do të ishte diçka e paprecedentë. E vetmja herë është kur një KQZ totalisht e dominuar nga qeveria e asaj kohe, në vitin 2001 bëri propozime që vinin nga qeveria, ia bëri propozimet Kuvendit, po kurrë nuk ka ndodhur më kjo”, – ka pohuar deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Replika dhe akuza/ Nishani: Bushati fsheh postën për Presidentin. Ambasadorët nuk i dekretoj, s’kam gjë me Zhitin
Konflikti i hapur mes Presidencës dhe mazhorancës qeverisëse duket se nuk ka fund. Këtë herë kreu i shtetit ka akuzuar Ministrinë e Jashtme, e cila, sipas tij, në më shumë se një herë i ka bllokuar postën dhe komunikimet zyrtare në adresë të Nishanit. Kjo gjë, sipas Presidentit, ka sjellë dyshime për rolin e kryetarit të shtetit përballë të huajve dhe partnerëve. “Ka pasur raste të përsëritura kur në Ministrinë e Jashtme janë bllokuar aktivitete ku është ftuar në evente ndërkombëtare për të marrë pjesë Presidenti i Republikës. Prej shumë muajsh, në mënyrë rastësore mora vesh që isha i ftuar nga komuniteti arbëresh në Itali dhe kjo ftesë e përcjellë nga ambasada jonë në Romë në Ministrinë e Jashtme ishte e bllokuar atje dhe Presidenti nuk kishte asnjë informacion. Ju e dini që në Kroaci ka pasur zgjedhje të reja presidenciale dhe Presidentja e re organizon ceremoninë e inaugurimit të saj dhe ka ftuar krerët, presidentët e rajonit të Evropës Juglindore, midis të cilëve ka dërguar një ftesë-notë edhe për mundësinë që mund të ketë pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Presidenti nuk ka pasur asnjë informacion për këtë, sepse ftesa dhe nota ka qenë e bllokuar në Ministrinë e Jashtme dhe vetëm pak ditë më parë në një takim krejt spontan me ambasadën tonë në Kroaci informohem që kam një ftesë të tillë”, – u shpreh Nishani. Ndërkohë, lidhur me bllokimin e emrave për ambasadorë, kreu i shtetit argumentoi: “Ka të bëjë me procedurën, nuk ka të bëjë me emra konkretë. Nuk kam asgjë për emrin e zotit Zhiti”. Lidhur me situatën e përmbytjeve, Presidenti theksoi se ajo nuk është e zakonshme, duke shtuar se vendimi mbetet në dorë të qeverisë. “Unë pashë se situata atje nuk ishte një situatë e zakonshme dhe kjo ishte evidente. Nëse unë do të kisha një obligim dhe një detyrim kushtetues dhe ligjor për të vendosur, të jeni të sigurt që unë do të merrja një vendim i cili do të t’u shkonte gjithmonë në favor situatës së qytetarëve”, – deklaroi kreu i shtetit.





