Vendimi/ Gjykata shpëton autorin e katër vrasjeve nga burgimi i përjetshëm

Alma Çuka

 Xhuvani ne burgKostandin Xhuvanit i pranohet gjykimi i shkurtuar. Nuk tha asnjë fjalë para trupit gjykues. Kërkesa u kundërshtua nga akuza, e cila nuk ka dhënë asnjë reagim për këtë skandal

Mund të quhet skandal i lejuar me ligj ajo që dje bëri trupi gjykues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, teksa pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurin Kostandin Xhuvani, autor i katër vrasjeve në një prej lokaleve të natës në Tiranë. Trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Sokol Tona pranoi kërkesën e të pandehurit Xhuvani për t’u proceduar me gjykim të shkurtuar, duke e argumentuar vendimin me faktin se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet e sjella nga organi i Prokurorisë. Vet i pandehuri, brenda kafazit të hekurt, dukej shumë i qetë. Dukej se nuk i bënte përshtypje se çfarë thuhej për të, madje ishte aq i qetë, sa çdokush mund të shihte qartë se ai e dinte më parë vendimin e Gjykatës dhe e priste. Nuk kishte në krahë avokat mbrojtës, madje në sallë nuk ndodhej asnjë prej familjarëve të tij. Ishte braktisur nga të gjithë, por jo nga ligji. Në këto kushte, Kostandin Xhuvani pavarësisht se çfarë thotë akuza, e cila nuk ishte dakord me gjykimin e shkurtuar, i shpëtoi burgimit të përjetshëm. Kjo do të thotë se Xhuvanit do t’i ulet 1/3 e dënimit dhe praktikisht nga dënimi me burgim të përjetshëm ai do të marrë maksimumin 25 vjet heqje lirie. Pas këtij dënimi, Xhuvanit i lind e drejta për të përfituar ulje për çdo vit. Xhuvani është nën akuzë për vrasjen e katërfishtë të ndodhur më 4 nëntor të vitit 2014 në lokalin “Antegrand” në Rrugën e Elbasanit, ku mes viktimave ishte dhe shoku i tij Arbër Demiraj. Viktimat e tjera ishin Ena Xhaji, Edison Jaho dhe një shtetas Italian Gianpaolo Azzolo. I pandehuri nuk ka preferuar të flasë gjatë seancës së djeshme, duke deklaruar se do të flasë kur të ketë radhën e mbrojtjes. Ndërkohë, prokurori lexoi kërkesën për gjykim. Seanca e datës 10 shkurt priten edhe konkluzionet përfundimtare të akuzës.

 

Ngjarja dhe akuzat

Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se autori i dyshuar ka qëlluar për vdekje në drejtim të shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Po ashtu, nga dinamika e ngjarjes, rezulton se nga plumbat e qitur prej armës së përdorur nga i dyshuari Xhuvani, kanë mbetur të vdekur edhe shtetasit Arbër Demiraj dhe Gianpaolo Azzola. Sipas ekspertizës, rezulton se faktorë plotësues të qitjes me armë janë gjetur vetëm në trupin e shtetasit të dyshuar Xhuvani dhe konkretisht në dorën e djathtë të tij. Në këtë mënyrë, krahas dëshmive dhe rindërtimit të ngjarjes, provohet edhe shkencërisht që autori i vrasjes së 4 personave është shtetasi Kostandin Xhuvani. Sipas dinamikës së ngjarjes, rezulton se shtetasi Kostandin Xhuvani ka pasur një grindje të çastit me shtetasit Jaho dhe Xhaj në lokalin ku gjendeshin në tavolina të ndryshme. Pas një bisede me tone të larta, shtetasi Xhuvani dhe miku i tij, viktima Demiraj, fillimisht kanë dalë nga lokali dhe më pas janë kthyer brenda një kohe shumë të shkurtër. Pas rikthimit në lokal, shtetasi Xhuvani i është drejtuar shtetasve Jaho dhe Xhaj “keni ndonjë problem” dhe menjëherë u ka qëlluar me armë tip pistoletë, duke lënë të vdekur këta dy shtetas. Por, nga plumbat e qëlluar prej armës së tij, janë goditur edhe shtetasit Arbër Demiraj, i cili ishte në shoqërinë e Xhuvanit, si edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola. Si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij, Kostandin Xhuvani dhe Erald Side (ky i fundit rezulton që nuk ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e goditjeve, por ka qenë shumë pranë lokalit) dhe është deklaruar i vdekur në spital shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

 

Vrasja

Më datë 4.11.2014 rreth orës 04:20 është njoftuar salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë se në vendin e quajtur Rruga e Elbasanit në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur. Pas këtij momenti autopatrulla e komisariatit të policisë nr. 1, e cila ka qenë në afërsi ka shkuar te lokali ku në rrugën kryesore ka konstatuar nj automjet “Mercedes-Benz ML” me targa TR 0250 N në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip “Mercedes-Benz ML” dhe në këtë moment një person i veshur me kostum tuta gri ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë. Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Xhuvani i datëlindjes 1989. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se vendi i ngjarjes është bar “Antegrand” në Rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes është konkretisht lokali i sipërcituar, i cili është një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyrë në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkallëve janë gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jahaj dhe Enea Xhaj. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë model 54 me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të çrregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara.

 

Provat

Nga këqyrja e këtij ambienti janë gjetur fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të rrugës së Elbasanit përballë hyrjes se lokali është gjetur një automjet me targa TR 0250 N me dyer të hapura ku në ndenjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj. Po kështu, në distancë 52 metra nga hyrja e lokalit në oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike me krehër të vendosur dhe pa fishekë. Vendi ku është gjetur pistoleta korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i shtetasit Kostandin Xhuvani. Nga aktet hetimore ka rezultuar se Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij e cila rezulton te ishte pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka pasur një konflikt. Gjatë këtij konflikti shtetasit Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj kanë pasur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit A. B., roje sigurie në lokal shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas në spital edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

 

Share it :