Kinema/547 vjet nga vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, figura e Heroit tonë Kombëtar përkujtohet nga Arkivi i Filmit
Arkivi Qendror i Filmit, në rastin e 547-vjetorit nga vdekja e Skënderbeut shfaq premierën e dokumentarit “Skënderbeu i pagjumë”, me autorë Angjelina Xhara dhe Bujar Kore, me konsulencë nga dr. Moikom Zeqo. Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu “vjen i pagjumë” për fatin e shqiptarëve edhe në agimin e mijëvjeçarit të tretë… Troku i kalit të tij në dyert e Europës si një mik i madh i vjetër… Ai bisedon me humanistët e mëdhenj evropianë si Bajroni e Edit Durham, apo piktorët Rembrand e Delacrua… e sa e sa të tjerë miq që përhapën kudo famën e tij si mbrojtësi i Evropës e Krishtërimit , që në shekullin e XV.
Ndërsa në arkivat e Evropës, studiuesit e huaj e historianët flasin me fjalët më të zgjedhura për prijësin tonë të madh. Gjenerali Xhejms Uollf thotë: “Skënderbeu shkëlqeu midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra e të sotme, si një udhëheqës i madh i një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Ndërsa historiani Zhan Filip Falmerajen thotë: “Gjergj Kastrioti është një nga kryeluftëtarët më të përkryer, më faqebardhë e më të mëdhenj të botës”.
Angjelina Xhara Papalilo lindi në Tiranë në vitin 1949. Nga viti 1969 deri në vitin 1977 ka qenë një nga spikeret e para të lajmeve në Televizionin Shqiptar përkrah Kiço Fotiadhit. Pas studimeve për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës filloi punë në Kinostudio dhe realizoi skenarët e dhjetëra filmave kronikalë e dokumentarë me temë, kulturore, historike dhe shkencore popullore. Gjatë viteve të punës në Kinostudio Angjelina kreu një kurs pasuniversitar për skenariste e kritike filmi dhe teatri. Skenarët e saj për filmat “Piktura mesjetare shqiptare” dhe “Profesor doktor Aleksandër Xhuvani” kanë marrë çmime në festivale të filmit. Filma të tjerë si “Onufri”, “Piktori Buza”, “Veshjet popullore”, “Fëmijt tanë një këngë e bukur”, janë shfaqur me shumë sukses në aktivitete filmike jashtë atdheut.
Në vitet e demokracisë emigroi në Greqi ku u aktivizua në faqet e shtypit shqiptar atje por edhe si spikere në edicionet e lajmeve në gjuhën shqipe në Radion greke të Bashkisë së Athinës “9.84”, duke punuar për shtatë vjet radhazi.
Vitet e fundit, Angjelina Xhara është marrë me letërsi duke botuar romanin e saj të parë “Enigma” me temë nga emigracioni. Romani ka marrë çmim në konkursin kombëtar të shpallur nga Shtëpitë botuese “Toena” dhe “Onufri”. Sapo ka dalë nga botimi libri “Margarita e artë”, kushtuar Artistes së Popullit Margarita Xhepa dhe ka gati për botim librin “Personalitete femërore shqiptare në kinematografi”. Gjithashtu, Angjelina ka përkthyer librin e Alberto Moravias “Gruaja leopard” që u prit me shumë sukses nga lexuesit.
Pas kthimit nga emigracioni realizoi, si skenariste, disa filma dokumentarë për një kohë të shkurtër, si: Kthim në Redina, Pak diell edhe për ne, Lirikë shpirti, Vatra e shqiptarëve të Amerikës, Margarita…, Skënderbeu i pagjumë.






