Çdo tatimpagues është i detyruar të bëjë dorëzimin e deklaratave dhe dokumenteve tatimore, të parashikuara më poshtë, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga data 1 janar 2015, sipas afateve ligjore të përcaktuara dhe formës së deklaratës apo të dokumentit të miratuar me udhëzim të ministrit të Financave. “Për identifikimin e punonjësve, që deklarohen në deklaratë, përdoret numri personal i letërnjoftimit të çdo individi, sipas ligjit nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin e shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar. Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme dhe Agjencia Kombëtare Shoqërisë së Informacionit, me udhëzime të përbashkëta, të përcaktojnë rregullat e komunikimit online për përdorimin e bazës së të dhënave për numrin personal të letërnjoftimit të shtetasve. Ndërkohë, vetëm për punonjësit e huaj të përdoret numri i sigurimit dhe, në rastet kur nuk ekziston një i të tillë, të përdoret numri i identifikimit personal, që punonjësi ka në pasaportën e tij”, – përcakton vendimi i qeverisë. Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës, Agjencia Kombëtare Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik, në bashkëpunim ndërmjet tyre dhe në mënyrë të pavarur, sipas përkatësisë, të përcaktojnë nomenklaturën dhe procedurat për shkëmbimin e të dhënave, certifikimin dhe transmetimin elektronik të tyre, rregullat e përpunimit të të dhënave si dhe të ruajtjes në regjistra elektronikë të historikut të kontributeve të paguara dhe të fondit të pagave, për çdo tatimpagues dhe individ.
Vendimi
“Me fillimin e zbatimit të këtij vendimi, organet tatimore të dërgojnë në organet e sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve të kujdesit shëndetësor, në mënyrë periodike, të dhënat e deklaratës “Listëpagesë e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”, në total dhe për çdo individ, vetëm në format elektronik”, – thuhet në vendim. Organet tatimore të dërgojnë, gjithashtu, në Inspektoratin Shtetëror të Punës, deklaratën “Listëpagesë e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” dhe formularin e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi si dhe të të larguarve nga puna.
Deklarata tatimore që duhet të dorëzohen online janë:
– formulari i deklarimit të TVSH-së
– formulari i deklarimit të tatimit mbi fitimin
– formulari i të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe i të larguarve nga puna
– formulari i deklarimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin
– formulari i deklarimit të tatimit, të mbajtur në burim, mbi të ardhurat
– formulari i deklarimit të tatimit mbi lojërat e fatit
-formulari i deklarimit të taksës së rentës minerare
– formulari i deklarimit të taksave kombëtare
– formulari i deklarimit të tarifave kombëtare
– formulari D1 – deklarata individuale vjetore të ardhurave
– formulari D2 – deklarata individuale vjetore të ardhurave për individët e huaj
– deklarata “Listëpagesë e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”.
– librat e shitjes së tatimpaguesve, të regjistruar për TVSH-në
– librat e blerjes së tatimpaguesve, të regjistruar për TVSH-në
– pasqyrat financiare vjetore, shënimet shpjeguese dhe tabelat shoqëruese
– vendimi për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimin e fitimit pas tatimit.
BQE do të nisë një program stimulimi monetar
Vlera e euros kundrejt dollarit ra në nivelin më të ulët në nëntë vjet, ndërkohë që frika mbi paqëndrueshmërinë në Eurozonë u thellua më tej në javën e parë të vitit të ri. Siç njofton “Zëri i Amerikës”, investitorët kanë ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me mundësinë që Banka Qendrore Evropiane të nisë një program stimulimi monetar në vitin 2015. Gjatë një interviste për radion franceze, Presidenti François Hollande u pyet lidhur me mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona. Ai thotë se populli grek është i lirë të zgjedhë udhëheqësit që dëshiron. Ai më vonë shtoi se vetëm Greqia mund të vendosë nëse dëshiron të qëndrojë në Eurozonë apo jo. Muajin e kaluar, anëtarët e Parlamentit grek nuk arritën të zgjidhnin Presidentin e ri, duke i hapur rrugën organizimit të menjëhershëm të zgjedhjeve më 25 janar. Partia e krahut të majtë Syriza, është duke udhëhequr në anketat e opinionit. Kjo parti ka premtuar se do t’u japë fund masave shtrënguese, nëse fiton dhe thotë se do t’i kërkojë Evropës të fshijë pjesën më të madhe të borxhit të saj, duke bërë që shumë analistë të parashikojnë një dalje të mundshme greke nga Eurozona. Komentet e zotit Hollande erdhën pas njoftimeve se qeveria gjermane është e gatshme të lejojë Greqinë të dalë nga Eurozona – një raport që është mohuar nga zyrtarë të qeverisë gjermane. Të hënën, zëdhënësja e Bashkimit Evropian tha se anëtarësimi në Eurozonë ishte “i pakthyeshëm” dhe sugjeroi se Greqia mund të lejohet të rinegociojë disa kushte të anëtarësimit të saj. Kriza politike në Greqi është një nga problemet e shumta që kanë rënduar Eurozonën. Broker Joe Rundle është shef i Shkëmbimeve Financiare në firmën ETX Capital në Londër. “Mendoj se Gjermania është i vetmi vend që po e mban të bashkuar Eurozonën. Por ndoshta këtu kemi të bëjmë me një çështje edhe më të madhe, një mosmarrëveshje mes Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Eurozonës dhe se ata do të duhet të bëjnë më shumë për të stimuluar pjesën tjetër të Eurozonës”. Të hënën euroja shënoi një rënie prej 1,2 për qind kundrejt dollarit, duke arritur nivelin e saj më të dobët që nga marsi i vitit 2006. Rënia vjen pasi presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, dha sinjale se banka së shpejti mund të fillojë një program të ri stimulimi monetar, atë të blerjes së borxheve të vendeve të Eurozonës.





