Erneta Shevroja
“Sot kemi vetëm 3 poste vakante, të cilat janë atje vakante prej pothuajse 2 vjetësh, nuk kanë asnjë pengesë për ta bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë në mënyrë të qëllimshme, me një qëllim të vetëm që të delegjitimojnë në maksimum KQZ-në”
Partia Demokratike në mënyrë absolute është shprehur kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që do të bëjë mazhoranca në kuadër të zbatimit të reformës administrative-territoriale, e miratuar me vetëm votat e mazhorancës në korrik të vitit që shkoi. Vetëm pas dy javësh të normalizimit të situatës politike, të marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës, ndryshimet e parashikuara nga e majta në Kodin Zgjedhor, sipas demokratëve, do të ishin një provë kundër thyerjes së bojkotit nga opozita. I gjithë debati ka në qendër të tij zbatimin e hartës së re territoriale, që demokratët këmbëngulin se ajo i jep fitoren e zgjedhjeve mazhorancës në tavolinë. Vetëm 5 muaj larg zhvillimit të zgjedhjeve lokale, demokratët vijojnë të theksojnë se me hartën që ndan territorin në 61 njësi bashkiake, nuk do të ketë zgjedhje. Vonesën e plotësimit të vendeve bosh të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deputeti demokrat Bylykbashi e shikon si të qëllimshme nga ana e mazhorancës. Ai thotë se e majta vonon plotësimin, me qëllim që të krijojë emergjencë dhe më pas të “kapë në mënyrë të dhunshme KQZ-në”.
Ndryshime në Kod
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, deklaroi dje se ndryshimet që kërkon të bëjë e majta në Kodin Zgjedhor do të ishin një provë kundër marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës që riktheu në normalitet jetën politike në vend. “Do të jetë prova e thyerjes së një marrëveshjeje të madhe politike. Një marrëveshje me rëndësi të jashtëzakonshme për qetësinë mes situatës politike në Shqipëri dhe kthimit të opozitës në Parlament”, – deklaroi Bylykbashi. Për hartuesin e dy Kodeve Zgjedhore, Bylykbashi, ndërhyrjet në ligjin e zgjedhjeve janë bërë kundër standardeve ndërkombëtare. “Për sa kohë ato ndryshime bazohen vetëm ose janë thjesht instrumente për të bërë hartën territoriale të Edi Ramës dhe të Ilir Metës realitet, përmbajtja e tyre është politikisht e papranueshme njësoj si harta territoriale. Për herë të parë ne nuk kemi ndryshime të Kodit Zgjedhor që në vitin 2001 që bëhen kaq vonë përpara zgjedhjeve. Ajo që neve dhe gjithë shqiptarët presin, madje partnerët ndërkombëtarë është zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, janë 29 rekomandime të cilat nuk janë prekur me dorë”, – tha Bylykbashi.
Zgjedhjet
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, njësoj si në hartën e re territoriale kanë për qëllim fitoren e zgjedhjeve vendore nga të majtët, sipas nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, deputeti demokrat Bylykbashi. Për këtë arsye, demokratët, theksoi ai nuk pranojnë të hyjnë në zgjedhjet për pushtetin vendor, që janë parashikuar të mbahen më 21 qershor.
“Me këtë hartë zgjedhore që miratoi me nxitim, në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsensus kjo qeveri, nuk do të ketë zgjedhje. Çdo zgjedhje që do tentojë të bëjë kjo qeveri do të ishte përtej standardeve ndërkombëtare. Shqiptarët nuk ja kanë kusur Edi Ramës këtë”, – nënvizoi deputeti demokrat. “Opozita nuk mund të pranojë që kjo qeveri ka ndërmend të fitojë zgjedhjet në tavolinë, e cila policinë e ka kthyer në polici partiake dhe do ta riktheje në një problem zgjedhjesh si në vitin 2000-2001, apo të gjitha ato elementë të tjera të arritura me shumë mund deri në zgjedhjet e vitit 2013, ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë këtë cenim standardesh”, – vijoi Bylykbashi.
Vakanca në KQZ
Vonesën e plotësimit të 3 vendeve vakante të KQZ-së, që duhet të bëhet nga mazhoranca, sipas Bylykbashit është e qëllimshme. Sipas tij, e majta vonon plotësimin në mënyrë që të krijojë më vonë një urgjencë, që më pas të mund të uzurpojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Sot kemi vetëm 3 poste vakante të cilët janë atje vakante prej pothuajse 2 vjetësh, nuk kanë asnjë pengesë për ta bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë në mënyrë të qëllimshme, me një qëllim të vetëm që të delegjitimojnë në maksimum KQZ-në, të krijojnë një emergjencë tjetër në mënyrë që të ndërhyjnë në mënyrë të dhunshme dhe të njëanshme për të kapur në mënyrë të paligjshme KQZ-në. Ajo që duhet të ndodhë sot me urgjencë është rikthimi i tre anëtarëve që duhet ti propozojë mazhoranca në mënyrë që KQZ me katër anëtarët e tjerë dhe tre të rinj të fillojë punën”, – u shpreh deputeti demokrat.
Çfarë ndryshimesh parashikon mazhoranca në Kod
Mazhoranca ka përgatitur një draft për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime janë kryesisht teknike, që bëhen në kuadër të zbatimit të hartës së re administrative-territoriale. Një ndër ndryshimet e parashikuara është heqja e fjalës “komunë”. Një ndryshim tjetër i parashikuar nga mazhoranca lidhet me anëtarët aktual të saj në KQZ, që tashmë mungojnë prej dy vitesh. Mazhoranca është shprehur për anëtarë të rinj, që do të plotësojnë 3 vendet vakante të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që është institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve, si të përgjithshme ashtu dhe vendore.
PD: Ndreu presion Gjykatës, thotë se vetëm ka prekur Strazimirin
Partia Demokratike ka dënuar deklaratën e deputetit socialist, Pjerin Ndreu, i cili ka deklaruar se vetëm ka prekur dhe nuk e ka dhunuar deputetin demokrat, Gent Strazimiri, në mjediset e Parlamentit, në korrik të vitit që shkoi. Sipas PD-së, deputetit socialist Ndreu me këto deklarata kërkon t’i bëjë presion Gjykatës së Lartë, që ka në shqyrtimin çështjen. “Deputeti Pjerin Ndreu tentoi t’i bënte presion drejtësisë në derën e Gjykatës së Lartë, me një gënjeshtër publike. Ndreu, i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria, por është i pandehur edhe në sytë e mbarë qytetarëve të vendit, për goditje për shkak të detyrës, tha dje se vetëm e ka prekur deputetin Strazimiri”, – deklaroi deputeti demokrat, Bylykbashi, nga selia blu. Sipas tij, dhuna e shfaqur e ka burimin tek frika nga fjala e lirë. “Kjo është një dhunë e pështirë, që burimin e ka tek nxitja e Kryeministrit, tek urrejtja dhe frika e Edi Ramës për fjalën e lirë, për kundërshtimin dhe denoncimin e kriminalizimit të politikës dhe administratës publike”, – tha ai.
24-vjetori i PD Lezhë/ Paloka: Arroganca ndaj militantëve të PD-së bëri të pakënaqur shumë qytetarë
Drejtuesit e Partisë Demokratike u janë rikthyer bazave të tyre. Në festimet 24-vjetorit të themelimit të PD-së, dega e Lezhës, nënkryetari i kësaj partie, Edi Paloka, tha se është i nevojshëm një afrim më i madh me bazën e partisë. “Largimi nga baza, indiferenca dhe jo rrallë edhe arroganca ndaj militantëve të PD-së, bëri që një pjesë jo e vogël e qytetarëve shqiptarë të mbeten të pakënaqur nga ne”, – tha Paloka. Nënkryetari komentoi edhe ngjarjet e fundit të kronikës. Sipas tij, “Saimir Tahiri të gjithë e dinë në Tiranë, sepse e kanë parë është shoferi i Emiljano Shullazit”. Ndërkohë, deputeti i qarkut të Lezhës dhe kreu i PD së degës bënë thirrje për bashkim të demokratëve si mënyra e vetme për të fituar zgjedhjet vendore të 21 qershorit.





