Vendimi / Gjykata, 30 ditë burg për autorin e vrasjes së dy të rinjve në Selitë

13vrasja selite

Alma Çuka

Dyshohet se autori ka manipuluar skemën e krimit. Dyshimi, pas gjetjes së një predhe ndryshe nga ajo e armëve të autorit. Prokuroria, në kërkim të gjetjes së armës

Shtohen dyshimet për mënyrën e ekzekutimit të dy të rinjve pak ditë më parë në banesën e shtetasit Flamur Ymeri në zonën e Selitës në Tiranë. Provat e grumbulluara në vendin e ngjarjes nuk e kanë bindur akuzën për të vulosur në dosje deklarimet e autorit, sipas të cilit, vrasjen e kreu për vetëmbrojtje, pasi dy të rinjtë i kishin hyrë në banesë të armatosur. Flamur Ymeri vrau me armë zjarri të rinjtë Ervin Shabani dhe Adnan Luli. Pikërisht për këtë qëllim Prokuroria e çoi dosjen e tij në Gjykatë, me akuzën e vrasjes në kapërcim të kushteve të nevojshme, për të cilën Ymeri nëse vërtetohet se është kështu, rrezikon dënimin deri në shtatë vite burg. Por teksa depozitoi dosjen në Gjykatë, organi i akuzës qëndroi pak skeptik në paraqitjen e të gjitha provave, të cilat do të mund të ishin në favor apo kundër të pandehurit. Për këtë qëllim dje gjatë seancës së masës së sigurimit, Gjykata teksa vlerësoi provat dhe arrestin si të ligjshëm, i la kohë Prokurorisë 30 ditë për të përfunduar të gjitha aktet e ekspertimit dhe plotësuar dosjen me prova. Në të kundërt, Flamur Ymeri mund të lihet i lirë, kjo për faktin se ende nuk është gjetur arma nga e cila është qëlluar një predhë.

 

Hetimi

Nga ana e saj Prokuroria shprehet se ekzekutimi i dy të rinjve Ervin Shaba dhe Andan Luli në banesën e Flamur Ymerit në zonën e Selitës është një ngjarje e cila do të kërkojë sërish kohë për t’u zbardhur. Për këtë arsye nga Gjykata akuza kërkoi masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë për Ymerin. Sipas Prokurorisë, Flamur Ymeri vazhdon të mbajë qëndrimin se vrasjet i ka kryer për vetëmbrojtje, por mosgjetja e armës nga është shtënë një predhë e sekuestruar në vendngjarje ka ngritur dyshime se skena e krimit është e manipuluar. Avokati mbrojtës i Ymerit, Sajmir Vishaj, ka kërkuar që klienti i tij të hetohet në gjendje të lirë, pasi si qëllim nuk ka pasur vrasjen por mbrojtjen e pronës private. Flamur Ymeri është nën akuzë nga prokuroria për vrasje në kapërcim të kufijve të vetëmbrojtjes dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pritet që nga tabulatet telefonike të zbardhet nëse autori ka komunikuar më parë në telefon me viktimat apo jo. Një tjetër detaj që ka ngritur pikëpyetje për prokurorët është dhe fakti se viktimat janë vrarë në një distancë të afërt ç’ka ka ngritur dyshime se versioni i deponuar nga Ymeri se grabitësit i vrava me armën e tyre nuk qëndron.

 

Ngjarja

Vrasja e dy të rinjve ndodhi në 17 dhjetor. Ishte ora 08:30 minuta e mëngjesit, kur Policia e kryeqytetit njoftoi se në zonë në zonën e Selitës ishin vrarë dy të rinj dhe autori ishte shtetasi Flamur Ymeri. Autori u dorëzua vet në polici dhe rrëfeu për ngjarjen dhe mekanizmin e vrasjes së të rinjve. Pas tij rrëfeu edhe bashkëshortja. Versioni i të dyve ishte i njëjtë. Të rinjtë kishin hyrë si hajdut në shtëpinë e Ymerit dhe në përpjekje për të mbrojtur pronën ai i vrau me armën e tyre. Madje gjatë dëshmisë autori është shprehur se një prej viktimave i kishte marrë peng gruan dhe në një moment ajo u kishte shpëtuar duke lënë të lirë bashkëshortin të qëllonte mbi ta. Por ky version i ngritur nga autori, duket se nuk ka bindur akuzën e cila ka marr menjëherë të dhënat e para. Deri tani është zbuluar se mes familjes së viktimës dhe autorit të krimit ka pasur një konflikt pronësie. Bëhet fjalë për një borxh që Ymeri i kishte dhënë kohë më parë familjes së viktimës dhe që ende nuk i ishte kthyer. Një tjetër fakt është edhe gjetja e një predhe në vendin e ngjarjes, e cila nuk i përket armëve me të cilat ishin të pajisur viktimat. Për këtë qëllim prokuroria pritet të zbuloj prova të tjera.

 

 

Elbasan

Qëlloi me shuplakë drejtoren e Arsimit, arrestohet mësuesja

 

Policia e Elbasanit vuri në pranga ditën e djeshme një mësuese, pasi dyshohet se ka qëlluar me shuplakë drejtoren e Arsimit të këtij rrethi. Sipas policisë, Arta Gugu u vu në pranga pasi dhunoi drejtoren Arsimore Jonida Cungu, pasi kjo e fundit nuk e mori në punë. 40-vjeçarja banuese në qytetin e Elbasanit, prej vitesh ishte e papunë. Mësohet se ajo ka debatuar ashpër më drejtoren e DAR Elbasan, Jonida Cungu, duke i kërkuar asaj t’i sigurojë një vend pune. Më pas sherri mes tyre ka degjeneruar deri aty sa Arta Gugu ka goditur drejtoren. Mësuesja e papunë do të procedohet penalisht për “Goditje për shkak të detyrës”. Ndërkohë, pritet dëshmia e drejtores së Drejtorisë Arsimore, Jonida Cungu për të mësuar shkaqet e këtij konflikti. Drejtoresha Jonida Cungu është me profesion mësuese e Gjuhës Shqipe dhe u zgjodh në këtë post në dhjetor të 2013-ës, ku në garë ishin edhe 5 kandidatët të tjerë.

 

 

Tiranë

Humbin jetën dy persona nga aksidentet, një mbetet i plagosur

 

Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e dy aksidenteve të ndryshme në kryeqytet. Një motor është përplasur me bordurën ndarëse të autostradës Tiranë – Durrës rreth orës 06:30. Drejtuesi i mjetit Kujtim Ismaili, rreth 30 vjeç, ka gjetur vdekjen si pasojë e dëmtimeve të marra. Një tjetër aksident ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm në Fushë-Prezë, në periferi të kryeqytetit, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Mësohet se viktima, një burrë rreth 50 vjeç udhëtonte me një motor dhe është përplasur nga një makinë.

 

 

Lezhë

Falsifikoi dokumentet, ndiqet penalisht 59-vjeçari

 

Një 59-vjeçar nga Lezha po ndiqet penalisht për falsifikim dokumentesh. Zef P., me banim në Ishull-Lezhë, po hetohet pasi në ngarkim të tij ka bërë kallëzim shtetasja K. M. Gruaja e kallëzon të sipërpërmendurin se ka falsifikuar tre copë kartela pasurie në pronësi të tij me qëllim realizimin e transaksioni shitblerje për këto pasuri, për tre sipërfaqe toke arë në total 5232 m2 të ndodhura në Ishull-Shëngjin, Lezhë. Lidhur me këtë denoncim materialet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” .

 

 

Share it :