Shkodër / Ekzekutohen dy persona me armë zjarri, plagoset nipi i një prej viktimave

vrasje_1

Alma Çuka

Policia, ende e paqartë për pistat e hetimit. Dyshohet se viktimat u ekzekutuan nga dy persona që lëviznin me një motor. Të dhënat flasin se ata kanë qenë me precedentë penalë

Qyteti i Shkodrës u trondit dje në mesditë nga breshëritë e një automatiku, i cili u mori jetën dy personave dhe plagosi një djalë të ri, vetëm 20 vjeç. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se vrasja u krye rreth orës 13:30 minuta në lagjen “Dudas”. Edmond Batraj, 40 vjeç, gjeti vdekjen menjëherë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pak më vonë ndërroi jetë në spital edhe Edmir Aliaj, 37 vjeç. Nga krimi i ndodhur në lagjen “Dudas” të qytetit verior, u plagos edhe Amarildo Pirani, 20 vjeç, nipi i njërit prej të vrarëve, Edmir Aliaj. Pas plagosjes 20-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin rajonal, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Dudas”, ku një person në motoçikletë ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të 3 personave. Menjëherë ka humbur jetën Edmond Batraj, 40 vjeç, ndërsa i plagosur rëndë fillimisht ka qenë Edmir Aliaj, 37 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spital si dhe ndodhet i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën, 20-vjeçari, Amarildo Pirani.

 

Pistat e hetimit

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka marrë një pjesë të parakolpit të motorit me të cilin po lëviznin autorët, si provë. Po ashtu grupi hetimor ka shoqëruar punonjësin e një lavazhi aty pranë pasi ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes dhe mund të ketë të dhëna për sa u përket atentatorëve. Nuk dihet akoma se cili ka qenë objektivi i ekzekutimit pasi viktimat nuk kishin lidhje me njëri- tjetrin, megjithatë sipas burimeve mësohet se të dy të vrarët kishin precedentë penal. Policia tha se hetimet janë shtrirë në dy pista. E para është mundësia që viktimat të kenë hapur zjarr duke vrarë njëri-tjetrin. Versioni i parë sipas policisë është se “Edmond Batraj, 40 vjeç, ka qenë në këmbë në anë të rrugës kur është qëlluar me kallashnikov nga Edmir Aliaj që po lëvizte me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”. Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i plagosur rëndë Amarildo Pirani 20 vjeç, nipi i Edmir Aliajt”. E dyta është pista e një vrasjeje nga një person mbi motor që dëshmitë në vendngjarje e përfshijnë në krim. “Po hetohet edhe në një pistë tjetër që Batraj e Aliaj të jenë qëlluar nga një person me motor i cili më pas është larguar nga vendngjarja”. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se autori ishte i hipur në një motoçikletë dhe mbante një skafandër të zezë në kokë. Nuk dihet ende se kush ka qenë objektivi i vrasësit, i cili, sipas kësaj piste hetimi, pasi ka qëlluar ndaj tyre është larguar me shpejtësi. Policia tha se Aliaj ka qenë person me precedentë penalë për tentativë vrasjeje, kurse Batraj, me precedentë për vrasje. Ndërsa i plagosuri Pirani rezulton me precedentë penalë për grabitje me armë. Policia thotë se ende nuk dihen shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

 

 

Shkodër

Kapet me 15 gramë marijuanë, ndalohet 20-vjeçari

 

Një djalë i ri është ndaluar nga Policia e Shkodrës pasi u kap me drogë. Mbrëmjen e djeshme u bë arrestimi në flagrancë i 20-vjeçarit Vilson Tatiçaj, banues në Goraj, Komuna Kastrat, Malësi e Madhe, sepse u kap në flagrance në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Shkodrës, duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin veturë tip Audi me targa AA 226 GD. Gjatë kontrollit të policisë, në çorapen e këmbës Tatiçaj iu gjet një qese e mbushur me 15 gramë lëndë narkotike marijuanë. Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan nga uniformat blu, ndërsa materialet në ngarkim të të riut i kaluan Prokurorisë së Shkodrës.

 

 

Trafiku

I vetëquajturi “Lionel Mesi” i Shqipërisë, në pranga për trafik droge

 

Shqiptari Bledar Pajana, 38 vjeç, u arrestua pas dy muaj hetimesh në aeroportin e Eindovhenit në Holandë, teksa po përcillte një mikun e tij, falë bashkëpunimit mes policisë së Breshas në Itali me atë holandeze. Bledari prej ngjashmërisë të madhe fizike me futbollistin argjentinas kishte marrë nofkën “Mesi”, akuzohet se është ndër drejtuesit e trafikut të kokainës me origjinë nga Amerika e Jugut, ku nga Madridi dhe Lisbona trafikonte kokainë, e cila pritej nga shqiptarë të tjerë në Itali. Pajana arrinte që të trafikonte mbi 200 kilogramë kokainë në muaj dhe nga shitja e kësaj lënde narkotike xhiroja vjetore shkonte në 100 milionë euro në vit. “Mesi”, i cili qendrën e aktivitetit të tij e kishte përqendruar në Bresha dhe Bergamo të Italisë, u arratis nga ky vend në muajin tetor, kur dy nga të besuarit e tij, u arrestuan me 20 kilogramë kokainë. Pajana u strehua fillimisht në Belgjikë dhe më tej në Holandë ku zhvillonte një jetë të qetë, duke frekuentuar shpesh kazinotë. Arrestimi i tij nga autoritetet holandeze u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

 

 

Siguria në shkolla

Ministri i Brendshëm, prindërve: Na jepni informacion për fëmijët në shkolla

 

Pas disa ngjarjeve radhazi, ku fëmijë të mitur janë kapur në ambientet e shkollave me sende të ndaluara, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, takon bordet e prindërve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës. Gjatë takimit, ministri Tahiri kërkoi nga prindërit mbështetje për të ndërtuar, sipas tij, një brez që nuk e sheh policinë si mjet represiv, por si trup në shërbim të qytetarëve. Për këtë arsye, Tahiri kërkoi nga prindërit ndërtimin e një marrëdhënieje permanente që nuk thirret sa herë ka probleme, por të jetë një marrëdhënia sipas tij për të shkëmbyer informacion periodik. “Ne kemi zhvilluar një seri takimesh me nxënës të shkollave sepse besojmë që duhet të ndërtojmë një brez të ri që nuk e sheh policinë si mjet represiv, por e sheh si trupë në shërbim të qytetarëve. Në kuadër të këtyre takimeve ne i shohim si të domosdoshëm edhe takimet me prindërit”, – është shprehur ministri Tahiri. Takimi është zhvilluar në formën e një bashkëbisedimi, ku ministri i Brendshëm u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e bordeve të prindërve. Ai i ka siguruar të pranishmit për gatishmërinë e plotë që ka MPB dhe Policia e Shtetit për të qenë sa më aktivë në bashkërendimin e veprimeve mes trupave pedagogjike, prindërve dhe uniformave blu për të bërë të mundur parandalimin e çdo shfaqjeje të tendencave të dhunshme te fëmijët.

 

Share it :