Erneta Shevroja
Emri i guvernatorit: Presidenti ka përmbushur obligimet e tij kushtetuese. Edhe Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore
Pas një takimi me Kryeministrin Rama dje paradite, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi se mazhoranca është e hapur për të çuar përpara çdo propozim të opozitës për rikthimin e saj në Kuvend. Dhe nëse u referohemi kërkesave të opozitës, një prej kërkesave të saj është pikërisht verifikimi i figurës së deputetëve të Parlamentit për përfshirje në vepra penale. Ndërkohë, çështja për të cilën ngelet pezull është ajo e zgjidhjes së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Kjo çështje, sipas kreut të Kuvendit, nuk është diskutuar mes dy aleatëve të qeverisë.
Dekriminalizimi i Kuvendit
Dekriminalizimi i Kuvendit është një prej kërkesave kyçe të Partisë Demokratike, e cila në thelb synon që partitë politike të bëjnë publike para zgjedhjeve informacionin për kandidatët me precedentë të mëparshëm penalë. Në këtë pikë, opozita ka treguar se nuk lejon asnjë lëshim dhe tani aq më pak kur kreu i PD-së mori mbështetje të plotë nga institucionet me të larta evropiane. Kjo kërkesë duket se do të pranohet nga drejtuesit e qeverisë. Kështu, dje, kreu i Kuvendit, njëherësh dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se qeveria është e hapur për çdo diskutim dhe propozim të opozitës. I pyetur nëse është pro apo kundër kërkesës për hartimin e një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit, Meta dha një përgjigje pro. “Ne jemi të hapur për të diskutuar dhe për të çuar përpara çdo propozim të opozitës që ndihmon në rritjen e transparencës së Kuvendit dhe njëkohësisht edhe të vetë deputetëve”, – deklaroi kreu i Kuvendit. Meta tha se mazhoranca i ka plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës për rikthimin e saj në Kuvend, duke përfshirë këtu ngritjen e komisioneve hetimore dhe të drejtën e një përfaqësuesi të flasë në foltore aq sa Kryeministri. “Ne besojmë se i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës dhe ato për komisionet hetimore, edhe për të drejtën e fjalës së përfaqësuesit të opozitës pas Kryeministrit, që do të thosha është edhe një rast unik në historinë e parlamentarizmit, pasi nuk besoj se ka një rast të dytë në Evropë, që është edhe kontinenti më demokratik deri më tani”, – u shpreh Meta.
Vizita e Kukanit
Pas dy javësh, më 22 dhjetor, pritet që në vendin tonë të mbërrijë eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për thyerjen e bojkotit. Ardhjen e tyre Meta e komentoi si një përpjekje për të mbështetur Shqipërinë. “Kukan është një personalitet i nderuar i Parlamentit Evropian dhe i politikës evropiane. Gjithmonë në krye të përpjekjeve të Parlamentit Evropian për të mbështetur Shqipërinë për t’u integruar në Evropë dhe për të arritur standardet evropiane. Z. Kukan është gjithmonë i mirëpritur dhe çdo përfaqësues tjetër i Parlamentit Evropian”, – tha Meta.
Djegia e mandateve
Referuar çështjes së djegies së mandateve, Meta edhe një herë përsëriti se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk ka arsye që të shkohet drejt këtij hapi nga ana e deputetëve të opozitës. “Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe janë pjekur të gjitha kushtet që opozita të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj në Kuvendin e Shqipërisë. Janë pjekur të gjitha rrethanat që opozita të përmbushë të gjitha detyrimet e saj kushtetuese dhe parlamentare para votuesve të saj në radhë të parë dhe para vendit”, – tha Meta.
Guvernatori i BSH-së, në seancat e vitit të ardhshëm
Më pak se një javë nga dekretimi i Genti Sejkos për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zgjedhja e Presidentit Bujar Nishani është shtyrë për t’u diskutuar dhe votuar në sesionin e ri parlamentar, i cili nis punën javën e tretë të janarit. Këtë e bëri të ditur vetë kreu i Kuvendit, i cili u shpreh se në takimin e djeshëm me Kryeministrin Rama nuk u diskutua çështja e guvernatorit. “Jo, për këtë çështje nuk kemi diskutuar me Ramën”, – tha kreu i Kuvendit. Në lidhje me procedurën e ndjekur nga Presidenti, e cila është kontestuar nga disa deputetë të qeverisë, Meta tha se kreu i shtetit ka përmbushur detyrimin e tij ligjor dhe të njëjtën gjë do të bëjë edhe Kuvendi në seancat e vitit të ardhshëm. “Presidenti ka përmbushur obligimet e tij kushtetuese. Edhe Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore”, – deklaroi Meta.
Udhëzuesi i ri/ Qytetarët, më shumë lehtësi për të takuar deputetët
Qytetarët shqiptarë do të kenë më shumë mundësi t’u afrohen deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë. Këtë parashikon një udhëzues i ri i hartuar nga Kuvendi, me qëllim rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë para qytetarëve. Hartimin e udhëzuesit për qytetarët e prezantoi dje në Kryesinë e Kuvendit, kryetari Ilir Meta, i cili tha se “opinioni publik tashmë është vendimmarrës në Kuvend”. Ndërsa, kreu i OSBE-së, Florian Raunig, i pranishëm në takim, e vlerësoi mjaft këtë dokument, që i shërben përforcimit të marrëdhënies së shoqërisë civile me Kuvendin. “Në Shqipëri, kjo marrëdhënie po përforcohet gjithmonë e më shumë. Shoqëria civile dhe Kuvendi po fillojnë t’i shtrijnë duart njëri-tjetrit”, – tha ai. “Prezenca mbështet Kuvendin me një gamë të gjerë aktivitetesh që informojnë qytetarët në lidhje me funksionet e parlamentit dhe mënyrat se si ata, qytetarët, mund të marrin pjesë në vendimmarrje. Ne kemi organizuar takime të parlamentarëve me zgjedhësit e tyre dhe kemi krijuar pika informimi në ambientet publike të Kuvendit me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit, si dhe për ta sjellë atë më afër votuesve individual. Ne po punojmë për të nxitur një kulturë dialogu dhe gjithëpërfshirje, për të krijuar një shkëmbim pozitiv informacioni dhe opinionesh. Kjo për arsyen se sa më shumë të dijë publiku mbi aktivitetet e parlamentit, aq më mirë mund t’i shprehë preferencat e veta dhe t’i mbajë përfaqësuesit e vet të përgjegjshëm. Sa më shumë parlamentarët të dinë në lidhje me nevojat dhe shqetësimet e elektoratit të tyre, aq më shumë mund të vihen në lëvizje”, – theksoi Rauning.
Seancat e Kuvendit deri më 24 dhjetor, Gjykata e Lartë dhe reforma territoriale
Dy seancat e ardhshme të Parlamentit pritet të kenë debate, aq më pak nëse në Kuvend futen dhe deputetët e opozitës. Kështu, në kalendarin e punimeve të Kuvendit deri më 24 dhjetor, parashikohet që të diskutohen tri projektligje, për të cilat mazhoranca dhe opozita kanë pasur mosdakordësi. Në dy javët e ardhshme pritet të diskutohet ligji për ndarjen e re administrative territoriale, ligj që sot është çuar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita. Organizimi dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë do të jetë një tjetër projektligj. Ky projektligj parashikon ngritjen e një komisioni, i cili do të kualifikojë dhe listojë kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë. Sipas draftit, kreu i shtetit Bujar Nishani duhet të propozojë kandidatë vetëm nga lista e shpallur nga ky komision. Për këtë projektligj pritet të ketë reagim nga Presidenti dhe Partia Demokratike duke çuar atë për ankimin në Gjykatën Kushtetuese.
3 projektligjet
“Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrative- territoriale të njësive të qeverisjen vendore në Republikën e Shqipërisë”
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” të ndryshuar””
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”




