Deklarimi/ Kredia sindikale, pyeten në Prokurori ish-anëtarët e komisionit të vlerësimit

Alma Çuka

 Ministri i Financave, Shkëqim Cani, kallëzoi në prokurori ish-ministrin Bode për marrjen e kredisë prej 230 mln euro. I kallëzuar dhe Sherefedin Shehu

prokuroria e pergjithshme Prokuroria e Tiranës nis marrjen në pyetje të anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Financave, të cilët kanë qenë pjesë në marrjen e kredisë prej 230 mln euro, e njohur tashmë si kredia sindikale. Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se të gjithë anëtarët e komisionit të vlerësimit janë shprehur se kredia sindikale prej 230 mln eurove, e marr nga Ministria e Financave është miratuar nga qeveria dhe më pas është votuar në Kuvend. Para prokurorëve anëtarët e komisionit të vlerësimit janë mbrojtur duke deklaruar se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe se kredia është marrë në bazë të rregullave dhe ligjeve të shtetit. Anëtarët e Komisionit janë marrë në pyetje në lidhje me kallëzimin ndaj ish-shefit të tyre Ridvan Bode dhe Sherefedin Shehut. Ata kanë pretenduar se e gjithë procedura e ndjekur prej tyre është miratuar me vendim kolegjial të Këshillit të Ministrave dhe më pas kuvendit. Sipas tyre, si në ndjekjen e procedurës dhe më pas shpalljen e fituesit për kredinë sindikale prej 230 mln euro ka një vendim kolegjial dhe jo veprime individuale të ish-ministrit apo ish-zëvendës ministrit.

 

Deklarimi

Mësohet se para prokurorëve personat e marrë në pyetje kanë treguar se të gjitha veprimet e tyre monitoroheshin nga struktura të veçanta ndërkombëtare financiare, për të mos lejuar qeverinë shqiptare të binte në kolapsin e krizës financiare ndërkombëtare, pasi në vitin 2009 në disa shtete kishte ndodhur kjo krizë. Në kallëzim, sipas hetuesve është pretenduar se anëtarët e komisionit në dijeni të ish- ministrit Ridvan Bode dhe ish zëvendësit të tij Sherefedin Shehu nuk kanë respektuar procedurat e ligjit për prokurime publike për hapjen e ofertave, kushteve të caktuara dhe përzgjedhjes së fituesit. Por, të pyeturit në prokurori kanë argumentuar se kredia sindikale është marr mbi bazën e ligjit për Buxhetin e Shtetit dhe ligjin për huamarrjet. Në të dy këto ligje, ish- anëtarët e komisionit kanë sqaruar se veprimet e tyre janë bazuar aty. Mësohet se grupi hetimor, tashmë ndodhet në fazën e analizës së të dhënave të siguruara nga dëshmitë e personave të pyetur dhe kallëzimit të dorëzuar nga ministri Shkëlqim Cani. Pas studimit të provave, prokurorët thonë, se do të vendoset nëse do të thirren apo jo në prokurori ish-ministri Ridvan Bode dhe ish-zëvendësi i tij Sherefedin Shehu të akuzuar për “Shkelje të barazisë në tendera” dhe “Shpërdorim të detyrës”. Në kallëzim, thuhet se dy ish -zyrtarët e lartë në vitin 2009 kanë marr një kredi sindikale me arsyetimin e mbështetjes buxhetore për investimet e qeverisë, por që ka përfunduar në buxhetin e ndërtimit të Rrugës së Kombit Durrës – Kukës – Morinë.

 

Korçë/ Gjykata, “Detyrim paraqitjeje” për kërcënuesin e kryebashkiakut

Gjykata Korçë ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për shtetasin Petrit Xhelollari, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosje për shkak të detyrës” në dëm të shtetasit Sotiraq Filo, me detyrë Kryetar i Bashkisë Korçë. Në datë 10.12.2014, para oficerit të policisë gjyqësore, ka bërë kallëzim shtetasi Sotiraq Filo, me detyrë kryetar i Bashkisë Korçë. Në kallëzimin e tij, ky shtetas shprehet se Bashkia Korçë, po vazhdon një projekt për ndërtimin e një aksi rrugor në qytetin e Korçës, konkretisht në lagjen nr. 5 të tij. Sipas kallëzuesit, një nga subjektet që do të shpronësohet, është shtetasi Petrit Xhelollari, i cili është pronar i një objekti katër kate + bodrume, që korrespondon me fillimin e aksit rrugor që do ndërtohet. Kallëzuesi shprehet se objekti i mësipërm, duhet të prishet i gjithi me qëllim realizimin e projektit. I pandehuri ika thënë kryebashkiakut, “bëji llogaritë mirë se tek ajo ndërtesë kam vënë djersën time dhe të fëmijëve të mi dhe nuk ndahemi mirë nga kjo punë”. Pas disa kundërshtimesh, i pandehuri ka thënë “në rast se mua me prishet ky objekt, unë me atë do të jem në gjak”.

 

 Shkrihet task-forca e Policisë Rrugore, nuk dihen arsyet e vendimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, shkriu task-forcën e Policisë Rrugore. Struktura, e cila vepronte kryesisht në zonën e Laprakës dhe Unazës së Re, nuk funksionon më, ndërkohë që ende nuk dihen arsyet e këtij vendimi. Përgjatë punës së saj task-forca e Policisë Rrugore bllokoi mbi 1 mijë patenta si dhe arrestoi dhjetëra drejtues automjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur por edhe shkelje të rregullave të qarkullimit. Për veprimtarinë e saj kishte dhe mjaft ankesa nga qytetarët kjo për mënyrën e punës së tyre me makina private dhe pa logo policie.

 

 Kapshticë/ Fusnin goma makinash kontrabandë nga Greqia, pranga pesë personave

Pesë persona u vunë në prangat e policisë kufitare të Kapshticës, nën akuzën e kontrabandimit të mallrave. Eduard Ozuni, 34 vjeç, nga Durrësi; Valmir Kutrolli, 18 vjeç, nga Kapshtica; Amarildo Mulla, 19 vjeç, nga Kapshtica; Ernest Kutrolli, 19 vjeç, nga Kapshtica dhe Erikend Avxhi, 18 vjeç, nga Kapshtica, u arrestuan rreth mesnatës së lënë pas. Pesë të rinjtë në kufirin e gjelbër me Greqinë janë kapur në flagrancë duke futur goma automjetesh të përdorura kontrabandë nëpërmjet kufirit të gjelbër mbi Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë. Të ndaluarit pasi futnin kontrabandë gomat nga Greqia, i transportonin për në qytetin e Durrësit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete, një “Ford” i bardhë me targë AA 941 AG, në pronësi të Eduart Ozunit dhe automjeti tip “Mercedes-Benz” me targë AA 419 DL në pronësi Amarildo Mulla si dhe 88 goma autoveturash të përdorura. Në ngarkim të tyre materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për ndjekje të mëtejshme për veprat penale “Kontrabandim të mallrave të ndaluara e kryer në bashkëpunim” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

 

Share it :