Dekretet për Gjykatën e Lartë/ Mazhoranca paralajmëron Presidentin: Konsultë me shumicën për emrat, ndryshe rrëzohen

0
110

Vasili: Bojkoti deri në djegien e mandateve s’përkthehet në sukses. Opozita t’i përdorë mandatet politikisht, nuk është pronare e tyre

nishani vasili Përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatën e Lartë është kthyer në një ngërç të ripërsëritur mes mazhorancës së majtë dhe Presidentit të Republikës. Për tri herë me radhë, shumica ka rrëzuar emrat e propozuara nga Nishani, duke mos shprehur në shumë raste kundërshti ndaj tyre, por duke argumentuar votën kundër me mungesën, sipas saj, të konsultimeve nga ana e kreut të shtetit në këtë proces. E ndërsa dy ditë më parë Presidenti çeli garën për 2 vende vakante ne Gjykatën e Lartë, mazhoranca paralajmëroi dje përmes kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, se nëse nuk ndryshon procedura për përzgjedhjen e kandidateve, ato do të rrëzohen sërish. “Unë nuk besoj që gjithçka ka ndodhur në këto muaj të gjatë, por njëkohësisht edhe nevoja për t’i dhënë përgjigje këtij ngërçi të krijuar, sepse kemi një ngërç, një mungesë funksionimi të plotë të Gjykatës së Lartë, sepse thashë që kemi një trupë të kufizuar, na bën të besojmë që kjo procedurë që do të ndjekë Presidenti nuk do të jetë e ngjashme si të tjerat. Duam të shpresojmë se do të ketë një proces konsultimi më të gjatë, më konstruktiv dhe më transparent në mënyrë që t’i hapim udhë miratimit të kandidaturave në mënyrë që Gjykata e Lartë të plotësohet”, – tha ai në intervistën për VP. Nga ana tjetër, mazhoranca duket e vendosur për ta zgjidhur në favor të saj këtë çështje, ku vetëm pak ditë më parë depozitoi në Parlament ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë, ku parashikohet ngritja e një këshilli pranë Presidentit, pikërisht për kandidatët për anëtarë të kësaj gjykate. “I gjithë thelbi i vështrimit dhe i konceptimit të kësaj është një transparencë dhe një kolegjialitet sa më i madh në mënyrë që edhe zgjidhjet të jenë të natyrshme, të pakontestuara dhe pa pasur nevojën e aktivizimit të mekanizmave politike të bllokimit reciprok të palëve, President – Parlament dhe anasjellas. Por duke krijuar sa më shumë mekanizma të cilët shkojnë gjithmonë e më afër zgjidhjeve objektive”, – pohoi Vasili.

 

Mandatet e opozitës

Nga ana tjetër, kreu i grupit kuvendor të LSI-së komentoi dje edhe bojkotin e opozitës si edhe mundësinë e djegies së mandateve të deputetëve, nëse mungesa në Kuvend do të shtrihet për 6 muaj. Sipas Vasilit, strategjia e bojkotit, qoftë deri në djegien e mandateve, nuk përkthehet në sukses për një parti politike. “Nuk dua as ta mendoj një veprim të tillë, jo për të mirën apo për leverdinë apo të çfarëdolloj takticizmi të politikës në përgjithësi, por mendoj që opozita natyrshëm përdor takticizmin e saj. Në këtë mënyrë beson se faktorizohet më shumë, i duket sikur i shtohet rëndësia, ndonëse është provuar qartë katërçipërisht, që politika e bojkoteve as ia rrit dhe as ka faktorizuar kurrkënd në politikë. Nuk është nevojë që ta kërkojmë gjëkundi dhe besoj që opozita ka detyrën dhe do t’i përdorë mandatet e saj politikisht, sepse nuk është pronare e tyre. Nëse opozita mendon se ka 50 e ca mandate të cilat janë pronë e saj, atëherë ka zhgënjyer besimin e zgjedhësve sepse ata kanë besuar. Disa qindra mijëra shqiptarë u kanë besuar një detyrë të tillë dhe besoj se konfliktin nuk do ta kenë me mazhorancën, por konfliktin do ta kenë me qytetarët të cilët nuk do të kenë zë në Parlament”, – u shpreh ai. Nga ana e saj opozita përmes përfaqësuesve më të lartë të saj ka bërë të ditur se nuk do të ketë rikthim në Parlament, edhe pse kjo mund t’u kushtojë ligjvënësve demokratë mandatin e deputetit, nëse më parë nuk sigurohet marrëveshje me mazhorancën e majtë e garantuar nga partnerët ndërkombëtare.

 

 Rrezikon përjashtimin/ Thyerja e bojkotit, Doda: Do të jem në Kuvend për të mbrojtur ligjin e lustracionit

Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, ka deklaruar dje se ligji për hapjen e dosjeve do të mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe ish-studentët e Dhjetorit. Në një postim në faqen e saj në “Facebook”, Doda deklaroi se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga iniciativa dhe se tashmë projektligji i lustracionit ndodhet në Kuvend. “Të dashur miq! Ju falënderoj nga zemra për mesazhet tuaja mbështetëse. Asnjë shqetësim! Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin sot është në Kuvendin e Shqipërisë dhe do mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe studentët e dhjetorit. Asnjë tërheqje! Spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq duhet të largohen se kanë çerek shekulli që i marrin frymën këtij vendi”, – shkruante Doda në “FB”. Më tej, ajo u ka bërë thirrje mbështetësve të bashkohen me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, 8 Dhjetorin, për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të projektuar një të ardhme ndryshe. “Pas disa ditësh do kemi mundësi të festojmë së bashku 8 dhjetorin. Le ta kthejmë në një ditë reflektimi mbi të kaluarën dhe të gjejmë së bashku rrugën e së vërtetës duke projektuar një të ardhme larg dhunës, paligjshmërisë, korrupsionit dhe klientelizmit. E ardhmja duhet të ndërtohet ndryshe!”, – u shpreh deputetja e PD-së. Ndërkaq në intervistën e dy ditëve më parë, kryetari i PD-së Lulzim Basha i pyetur lidhur me vendimin e deputetes për ta mbrojtur ligjin në Kuvend, duke thyer kështu edhe vendimin e partisë për bojkot,iu përgjigj duke pohuar: “Unë i qëndroj faktit se çdo deputet duhet të ketë raport me vendimet e PD-së. Kush nuk e respekton, bëhet ajo që bëhet në çdo parti”.

 

 Eurodeputeti/ Plenkoviç: BE do të mundohet të krijojë marrëveshje PS-PD, dhuna në Kuvend, negative

Eurodeputeti Andrej Plenkoviç deklaroi dje se Bashkimi Evropian përmes instrumenteve të tij do të mundohet për të lehtësuar mundësitë e krijimit të një marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për të bërë të mundur rikthimin e PD-së në Kuvend. Duke theksuar nga njëra anë se bojkoti nuk është diçka ideale, eurodeputeti pohoi nga ana tjetër se dhuna në Kuvend është tepër negative për kulturën e demokracisë. “Kam dijeni për sulmet fizike ndaj deputetëve të opozitës brenda Kuvendit, që mesa mbaj mend unë ka ndodhur 5 muaj më parë. Kjo është diçka shumë negative për kulturën politike në Shqipëri. Ne gjithashtu mendojmë, se bojkoti i Parlamentit nuk është diçka ideale. Por në rastin e Shqipërisë supozoj që ka pasur arsye konkrete për bojkotin. Kjo është çështje e brendshme. Megjithatë, në nivelin evropian, ne do mundohemi të lehtësojmë një marrëveshje midis të dy palëve. Ne me partinë simotër, atë demokratike do të mundohemi të gjejmë një zgjidhje, që të jetë e pranueshme edhe për ta dhe jo vetëm gjetjen e një marrëveshjeje që nuk adreson problemet që janë në zemër të shqetësimeve aktuale”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency