Tatimi i ri mbi të ardhurat varfëron në masën 50% shqiptarët

paketa e re fiskale

Ervin Kaduku

–  Ekspertët mendojnë se bilancet publike nuk rregullohen duke rritur taksat, por duke i lënë më shumë para popullatës, e cila i menaxhon ato më mirë se çdo nëpunës shteti…

Që nga 1 janari, pritet që tatimi mbi interesat bankare, ashtu si dhe mbi dividendët dhe qiratë, të rritet në 15%, nga 10% që është aktualisht. Kjo rritje, në masën 50 për qind, shton ndjeshëm nivelin e tatimit mbi të ardhurat e tjera të individëve, pasi vitin e kaluar u vendos tatimi progresiv deri në 23% mbi pagat. Rritja e forcon pozicionimin e Shqipërisë mes vendeve ku të ardhurat nga interesat tatohen, ndryshe nga një pjesë e mirë e ekonomive të Evropës Perëndimore. Vende si Gjermania, Holanda, Norvegjia, Finlanda, Hungaria, Luksemburgu, etj. nuk i tatojnë të ardhurat të interesat. Eksperti i ekonomisë Ilir Binaj thotë se mostatimi i të ardhurave nga interesat është një masë tipike për vendet me ekonomi më të zhvilluar dhe tregues makroekonomikë të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, vendet ende në rrugën e zhvillimit dhe sidomos ato me tregues fiskalë të pasigurtë, siç është rasti i Shqipërisë, në përgjithësisht i tatojnë të ardhurat nga interesat.

Sipas Binajt, Shqipëria ndodhet para domosdoshmërisë për të ulur borxhin dhe kjo është një faturë që duhet paguar. Ai mendon se zgjedhja për të rritur tatimin mbi të ardhurat nga burime pasive, si interesat apo qiratë, është e kuptueshme. Me rritjen që pritet të ndodhë që nga Janari, Shqipëria bëhet vendi i dytë me tatimin më të lartë mbi interesat në rajon, mbas Serbisë.

 

Kushtet

Marrëveshja e huasë me Fondin Monetar Ndërkombëtar e ka detyruar qeverinë shqiptare për masa të tjera shtrënguese, pas atyre të ndërmarra vitin e kaluar. Sidoqoftë, statistikat e deritanishme fiskale dëshmojnë se ato tatime që vitin e kaluar u rritën, këtë vit po dëshmojnë në shumicë mosrealizim të të ardhurave. Kjo tregon se rritja e taksave mund të mos jetë mënyra më e përshtatshme për të garantuar rritja të të ardhurave fiskale.

Nga ana tjetër, ekspertët mendojnë se rritja e tatimit mbi interesat e depozitave mund të favorizojë daljen e parave nga tregu financiar drejt kanaleve informale, me efekte negative në ekonominë e vendit.

 

Kursimet

Masa për të taksuar shumë më tepër depozitat se sa deri tani bëhet në një kohë kur depozitat po njohin situatën e tyre më të keqe. Ndonëse sistemi bankar zotëron likuiditete të bollshme, rritja e depozitave bankare në vitin e fundit është drejt staniacionit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator sistemi bankar zotëronte depozita në vlerën e 959 miliardë lekëve, në rritje me vetëm 0.35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Stopimi i rritjes së depozitave lidhet sa me zbehjen e rritjes ekonomike, aq edhe me politikën monetare ekspansioniste, që ka synuar të ulë stimujt për të kursyer. Normat e interesit për depozitat 12-mujore në fund të shtatorit zbritën mesatarisht në 1.6%, niveli më i ulët historik. Kjo rënie drastike e interesave reflekton qoftë normë shumë të ulët bazë të interesit, qoftë gjendjen e mirë të likuiditetit të bankave dhe dobësinë e kërkesës për kredi bankare. Të gjithë këta faktorë po e çojnë rritjen e depozitave drejt ndalimit.

Rritja e tatimit mbi të ardhurat nga interesat mund të jetë një faktor i mëtejshëm frenues, që mund të çojë në rënien e depozitave bankare. Ndonëse për momentin gjendja e likuiditetit nuk është një shqetësim serioz për sistemin bankar, rrjedhja e parave nga sistemi financiar formal mund të jetë i dëmshëm për ekonominë.

Ekspertët sinjalizojnë se një problem është tregu informal i huasë, ndërsa një tjetër mund të jetë rrjedhja e parasë jashtë vendit.

 

Rritja e barrës fiskale

Por, edhe në përgjithësi, po të nisesh nga fryma e paketës së re fiskale, për vitin 2015, politika e qeverisë, që pretendon të ulë deficitin duke rritur taksat, është e gabuar.

Ekspertët mendojnë se shpenzimet nuk ulen duke mbledhur taksa, apo, edhe më keq, duke i rritur ato. Shpenzimet ulen duke mos bërë shpenzime, e si rrjedhojë, kur nuk bën shpenzime, nuk mbledh taksa, por i le paratë në popullatë. Dhe dihet mirë se kush i administron më mirë paratë, popullata apo burokrati, që nuk i ka paratë e veta…

Nga ana tjetër, mbledhja e taksave është gjithnjë dhe në vetvete diçka negative. Ndërkohë që rritja e tyre, sidomos në forma të kamufluara, është një e keqe edhe më e madhe.

Sa i përket borxhit, ai është krijuar nga qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare, të majta e të djathta dhe u rrit në mënyrë tejet drastike nga qeveria Rama-Meta sapo erdhi në pushtet, paçka se kishte kritikuar atë të Berishës se edhe ajo e kishte rritur me disa pikë përqindjeje borxhin ndaj prodhimit të brendshëm kombëtar. Borxhi fryhet kur qeveria shkon, jo vetëm përtej bilancit, por shkon edhe përtej kompetencave të veta, duke kërkuar kompetenca gjithnjë e më të reja, që gjoja i shërbejnë publikut, siç po ndodh aktualisht.

——-

 

 

Drejt uljes së tarifave celulare

 

Operatorët celularë do të detyrohen të aplikojnë tarifa të njëjta për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, bazuar në analizën e tregut, ka vendosur një masë të re rregullatore në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.

Që nga muaji i ardhshëm, operatorët nuk duhet të aplikojnë diferenca për thirrjet brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit, përfshirë këtu edhe paketat ofertë. Sipas zyrtarëve, kjo do ta bëjë komunikimin më praktik dhe përdoruesit nuk do të kenë nevojë të mbajnë më disa numra celularë. Ofertat tashmë do të kenë një numër të barabartë njësish komunikimi, si brenda rrjetit, ashtu edhe jashtë rrjetit. Masat e marra nga AKEP pas analizës së tregut synojnë nxitjen e konkurrencës dhe kryesisht korrigjimin e problemit të përqendrimit të trafikut brenda rrjeteve.

Vitin e kaluar, 93% e thirrjeve celulare dalëse kryheshin brenda rrjetit, element që përbën jo vetëm kufizim për konsumatorët, por edhe barrierë për operatorët me pjesë më të ulët tregu. Në përfundim të sondazhit të kësaj jave në faqen e internetit të RTV SCAN shumica e pjesëmarrësve mendojnë se pas këtij vendimi bisedat me celular do të jenë më të lira. Ky vendim është marrë pas shqetësimeve të shprehura nga dy operatorët me pjesë tregu më të vogël, që prej vitesh ankohen se operatorët e mëdhenj po aplikojnë tarifa diskriminuese për thirrjet jashtë rrjetit, me qëllim mbajtjen e përdoruesve në rrjetet e tyre.

Rregullimi i këtij problemi është edhe rekomandimi kryesor i Autoritetit të Konkurrencës, në përfundim të hetimit të kryer vitin e kaluar. Besohet se kjo masë do të krijojë hapësira më të mëdha konkurrence për operatorët me pjesë më të ulët në treg. Gjithashtu, AKEP ka vendosur uljen e mëtejshme të tarifave të thirrjeve me shumicë, që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për kryerjen e thirrjeve në rrjetet respektive.

Që nga 1 Prilli 2014, tarifa e terminimit të thirrjeve në rrjetet “AMC” dhe “Vodafone” ulet në 2.66 lekë për minutë, ndërsa për rrjetin celular “Albtelecom” në 4 lekë për minutë. Ndërsa, duke filluar nga i Dhjetori 2014, kjo tarifë do të ulet në 1.48 lekë për të tre operatorët. Nga ana tjetër, AKEP ka vendosur të ruajë të pandryshuar tarifën për operatorin “Plus”, në 6.52 lekë për minutë. Kjo do të thotë se “Plus” do t’i lejohet një tarifë terminimi 4.4 herë më e lartë krahasuar me operatorët e tjerë.

=====

 

 

Ja cilat janë zonat me shpenzimet më të larta për jetesë në botë

 

“Fifth Avenue” ose “Bulevardi i Pestë” në Nju Jork është sërish rruga më e shtrenjtë për të bërë pazar në botë. Pasi u rrëzua nga “podium” për dy vite me radhë nga rruga “Causeway Bay” në Hong Kong, arteria kryesore e metropolit amerikan është rikthyer në krye. Në këtë rrugë gjenden dyqanet e markave më të njohura në botë. Ndërsa rruga “Monte Napoleone” në Milano renditet në vendin e gjashtë.

Sipas raportit “Rrugët Kryesore në të gjithë botën”, të përpiluar nga gjiganti imobilar Exor, që është në pronësi të familjes, qiratë vjetore në pjesën veriore të “Fifth Avenue” kanë arritur në një rekord prej 29.822 euro për metër katror, në rritje me 13.3% krahasuar me një vit më parë. Për shkak të rënies së blerjeve të mallrave të luksit në Kinë, çmimet e qirave në “Causeway Bay” të Hong Kongut kanë rënë në 23.307 euro për metër katror në vit, ose në rënie me 6,8%.

Ndërkohë, dyqanet në “Champs Elysees” në Paris renditen në vendin e tretë me rreth 13.255 euro për metër katror në vit, të pandryshuara me një vit më parë. më pas vjen rruga “New Bond” në Londër që ka regjistruar një rritje të çmimit të qirasë prej 4,2% në 10.361 euro për metër katror. Mbyll 5 vendet e para “Pitt Street Mall” në Sidnej të Australisë me 8.658 euro, në rritje me 25% krahasuar me 2013.

Ndërsa, përgjatë rrugës “Monte Napoleone”, qiratë e dyqaneve kushtojnë 8.500 euro për metër katror, në rritje vjetore prej 13.3%. Në përgjithësi, qiratë e dyqaneve në nivel global janë rritur me 2.4% në 12 muajt e fundit, deri në shtator të 2014-ës.

=======

 

 

Spostohet vëmendja nga projekti i gazit South Stream

Ministrja italiane e Industrisë Federica Guidi tha këto ditë se projekti i tubacionit të gazit South Stream, i cili është vënë në dyshim, pas aneksimit të gadishullit të Ukrainës, Krimesë nga Rusia, nuk përbën më një përparësi.

Planet për ndërtimin e tubacionit prej 40 miliardë dollarë që ka një kapacitet të mjaftueshëm me gaz rus për të përmbushur pothuajse 15 për qind të kërkesës evropiane duke anashkaluar Ukrainën ka krijuar përçarje në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe po shkon kundra rrymës së Komisionit Evropian.

Italia, prodhuesi shtetëror i naftës së të cilit, Eni është e përfshirë në këtë projekt, do të jetë një nga vendet që do të furnizohet nga tubacioni.

‘Kjo është një infrastrukturë e dobishme, por ndoshta nuk është më në listën e prioriteteve,’ u tha gazetarëve Guidi në Romë. ‘Edhe në qoftë se në njërën anë ajo ndihmon në diversifikimin e transitit (të gazit), nga ana tjetër, nga pikëpamja e furnizimit të parë ajo ka shumë për t’u kritikuar.’

————–

 

 

Parlamenti Evropian, ligj kundër ambalazhit plastik

 

Politikëbërësit evropianë kanë miratuar unanimisht një ligj, për të ulur përdorimin e qeseve plastike, me shpresën që të frenojnë ndotjen e mjedisit. Sipas shkencëtarëve, qeset plastike kërcënojnë krijimin e një “shtrese plastike” mbi oqeanet e botës. Masa, e cila është hartuar së bashku me Parlamentin Evropian, është kritikuar nga ekzekutivi i ri i BE-së, sipas të cilëve shtetet mund të hasin probleme në implementimin e një ligji të tillë, që propozon përdorimin e çmimeve të lira ose metoda të tjera, për të ulur me 80% numrin e qeseve plastike në një periudhë 10-vjeçare.

Miratimi i këtij ligji është përshëndetur edhe nga industria e plastikës, pasi ligji favorizon dhënien fund të ofrimit falas të këtyre qeseve nga supermarketet. Ligjvënësit kanë miratuar një plan për t’i dhënë qeverive një zgjidhje mes ndalimit të dhënies falas të qeseve plastike, ose vendosjen e objektivave të detyrueshme për të ulur konsumin vjetor të qeseve plastike në më pak se 90 copë për person, deri në fund të vitit 2019, dhe në 40 qese për person në dhjetor të 2025-s.

Mesatarja në BE e përdorimit të qeseve plastike për individ ka qenë 176 në vitin 2010, shumë pak prej të cilave janë ricikluar. Një mesatare e cila është e përafërt me atë të vendeve të pasura, përfshi SHBA-të, ku janë ndërmarrë tashmë nisma lokale për të ulur këtë shifër. Ndërkohë, janë disa vende që nuk do të duhet të marrim masa, pasi për shembull Danimarka e ka mesataren e përdorimit të 4 qeseve plastike për person në vit.

 

Share it :