PS dhe LSI duhet të bashkohen në një, pse Kryeministri s’po ndjek politikë të majtë, duheshin zgjedhje brenda partisë për kryetarin
Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, njëkohësisht anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste, në një intervistë në emisionin “Debati në Channel One” me gazetarin Roland Qafoku, foli dje lidhur me situatën brenda partisë më të madhe në vend, koalicionin mes PS-së dhe LSI-së si edhe qeverisjen e së majtës.
Komenti juaj për 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ajo që lë përshtypje është që mbrapa politikanëve dalin fotot e Enver Hoxhës?
Për mendimin tim, ai është një provokacion sesa qëndrim politik i koalicionit të majtë. Ky i fundit një nga problemet kryesore që ka pasur ka qenë ndarja e LANÇ me Partinë e Punës.
Si ta ndajmë?
Ka kritere për ndarje të tilla. Duhet të vlerësohet për atë kohë kur ka qenë në krye të luftës së LANÇ, lufta ka qenë pjesë e lavdishme e popullit shqiptar. Ne në atë kohë kemi luftuar në anën e duhur të historisë.
Elementë të luftës civile ka pasur?
Elementë të tillë mund të gjesh në përplasjet e partizanëve, ka pasur elementë.
Arvizu e cilësoi si fyerje për shqiptarët, nuk duhet një ligj që t’i nxjerrë PKSH-të?
Kur janë pranuar si parti që dalin jashtë Kushtetutës, duke qenë si të tilla kanë të drejtë të ekzistojnë. Fakti që kanë mbetur të shpërndara tregon se nuk kanë peshë dhe jo vlerë të madhe për t’u bërë pjesë e debateve dhe diskutimeve. Figura e Hoxhës si drejtues i luftës duhet parë nga historianët.
A ka ardhur koha që të bëhet një vlerësim real i luftës, protagonistëve dhe rivlerësim të figurave?
Ajo duhet, por është ende herët, në radhë të parë duhet të punojnë historianët. Në momentin kur situata politike të shtensionohet, atëherë mund të vihen gjërat në vend. Një popull që nuk zgjidh çështje të tilla madhore, nuk mund të ketë respektin e duhur. Duhet të zgjidhen sipas historianëve, sipas kritereve shkencore.
Duhet vlerësuar Enveri si komandat i luftës?
Patjetër që duhet vlerësuar.
Ambasadori e cilësoi mostër…
Ai tha një gjë të drejtë, por te pjesa e komandantit ka gabuar, sepse në atë kohë ai udhëhoqi një popull drejt luftës.
Çfarë Kryeministri është Edi Rama? Si e përcaktoni ju?
Është më i gjatë se të tjerët, nuk them vetëm nga shtati, por edhe nga pasioni për të kryer detyrën e tij si Kryeministër. Sigurisht ka edhe mangësitë e veta.
Cilat janë?
Nuk e vlerëson sa duhet rolin e PS-së, mbështetet tek ajo, pastaj e harron atë. Nuk mund të thuhet që PS është qeveria dhe grupi, të gjithë, si në qendër ashtu edhe në bazë janë lënë jashtë loje, Asambleja nuk është mbledhur fare. Mund të thuhet pse i the në televizion dhe jo në parti e në këtë kuptim mua më duket se Kryeministri atë pasion që tregon në qeveri, duhet ta tregojë edhe tek këto gjëra, edhe tek anëtari i thjeshtë i PS-së.
A mendon Rama të merret me atë anëtarin e thjeshtë?
Pikërisht se nuk e mendon po e them, duhet ta bëjë.
Çfarë rrezikon kjo?
Edhe në Evropë partitë nuk kanë dalë nga skena, do vijë një kohë kur ato do fshihen, por realisht në kushtet tona ato kanë peshë. Kjo rrezikon që qeverisja të shkëputet nga masa e njerëzve, kjo rrezikon fushatën e ardhshme elektorale, kjo mund ende të riparohet.
Pak kohë më parë u hap debati nëse duhej votuar Rama si kryetar i PS-së, u shmangën zgjedhjet si kryetar i PS-së?
Me atë mbase mendoj se vlerësoi vota e 1 milionë shqiptarëve, por edhe këtu ka bërë një akt të gabuar. Mund të gjendet ndonjë praktikë në ndonjë vend, por kurdoherë zgjedhjet bëhen në parti dhe fuqizohet më shumë roli i tij. Çfarë do t’i ndodhte Ramës mbasi fitoi zgjedhjet të bënte një asamble, ku të votohej si kryetar dhe si Kryeministër? Në qoftë se ke konceptin se çka të duhet partia, është gabim. Loja bëhet me skuadrën dhe kapitenin. Partia nuk është kështu, nuk mund të fitohet vetëm me një skuadër dhe një kapiten. PS nuk mund ta lesh në harresë.
Mund të gjendet ndonjë detyrim për ta detyruar Ramën të mbledhë forumet?
Është kryetari i Asamblesë që ka peshën e tij për ta mbledhur, z. Ruçi.
Po ka faj ai në këtë mes?
Po, doemos, nuk mjafton vetëm të quhesh senator, por duhet të kryesh edhe detyrat. I kanë besuar një parti të tërë dhe nuk mund të braktiset në këtë formë.
Po qeveria vetë, si po punon?
N.q.s. do bëjmë një bilanc, do thosha që atë situatë negative që gjeti dhe e përballoi emergjencën. Viti i parë ka qenë jashtëzakonisht i vështirë. Mbas vitit të parë bëhen edhe ndryshime në qeveri, jo të gjithë ecin me ritmin e Kryeministrit. Vetvetiu bëhen ndryshime përkatëse, para zgjedhjeve vendore duhet të bëhet bilanci në fund të vitit, duke bërë disa ndryshime. Në trajtimin e taksave është e majtë, në aspektet e tjera nuk është. Politika, që të mbrojë shtresat në nevojë, të luftojë varfërinë. Në replikën me Majkon, Rama tha se neve na duhet dobia. Po the se ne na duhet kredibiliteti, dobia, nuk je më i majtë, nuk ka program të majtë, nuk ka politikë të majtë.
Si po funksionon koalicioni PS-LSI?
Mendoj se nga e majta është më i miri, por n.q.s. lart funksionon shumë mirë, poshtë ka probleme të mëdha. Poshtë ka diferencë mes elektoratit të LSI-së dhe PS-së, ndoshta ka të bëjë me faktin se LSI ka treguar më shumë interes për njerëzit e saj. Elektorati socialist e bën diferencën dhe ka një lloj pakënaqësie, por këta që janë poshtë, mund të bëjnë presion edhe lart… Është plotësisht e mundshme që këto dy parti të shkrihen në një dhe këto dy parti në zgjedhjet e ardhshme mund të shkrihen bashkë. Fragmentarizmi i partive është në disfavor e ndërsa bashkimi është në favor.
Ju i grupit të të urtëve do t’ia këshillonit Ramës dhe Metës të bashkoheshit?
Unë s’jam më pjesë e grupit të të urtëve, por do t’u sugjeroja të bashkoheshin.
Ben Blushi: Shqipëria duhet të bashkohet me Kosovën. Pabarazia, problemi kryesor në vend
Deputeti i Partisë Socialiste deklaroi dje se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen në një shtet të vetëm, edhe pse kjo, sipas tij, tani për tani duket e pamundur. “Është dëshirë imja që Shqipëria të bashkohet me Kosovën, që besoj edhe fakti që kemi qenë shumë të vegjël demokratikisht nuk na ka bërë mirë gjatë historisë. Besoj se ka shumë njerëz që mund të kenë shumë argumente për të kundërshtuar, por besoj se një popull i vogël e ka të vështirë të krijojë begati, paqe dhe mungesë izolimi dhe kulturë, siç ka qenë edhe rasti ynë. Tani kemi mundësitë, jemi një popull më i madh, por sigurisht kjo për kontekstin ku jetojmë është e pamundur, se nuk është në vullnetin tonë. Besoj se ky bashkim do të ishte në të mirë të Shqipërisë, megjithëse duket e pamundur”, – tha Blushi në një intervistë për “ABC News”. Nga ana tjetër, deputeti socialist tha se Shqipëria ka statistika jo të mira lidhur me lumturinë si popull. “Ne kemi ardhur duke rënë si popullsi, kemi qenë 4 milionë dhe regjistrimi i fundit na nxori 2.8 milionë. Ndiejmë që Shqipëria ka rënë vitet e fundit dhe është në rënie të theksuar, sepse jemi një popull pesimist. Kemi shumë vështirësi sot dhe besoj se ditët që do vijnë nuk do jenë kaq të mira”. Ndërkaq, sipas Blushit, pabarazia midis shqiptarëve është problemi kryesor i shoqërisë. “Pabarazia është problemi themelor i shoqërisë sonë, ka shumë të varfër dhe shumë pak të pasur dhe raporti mes të pasurve dhe të varfërve është shumë i madh. Problemi i pabarazisë është se po kthehet në një problem të trashëgueshëm. Pabarazia ekonomike kthehet në pabarazi kulturore dhe këtu është fundi besoj”.




