Debati në Kuvend/ Deputetët e PS-së, Beqajt: Shëndetësia, me probleme të mëdha, mjekët çojnë pacientë te privati

Erneta Shevroja

komisioni i ekonomise fototDeputetët socialistë të Komisionit të Ekonomisë, kritika të forta për mosfunksionimin e sektorit. Angjeli, Beqajt: Kur s’ke fonde mjaftueshëm, si mund të jesh i kënaqur me buxhetin?!

 Deputetët socialistë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave shprehën shumë pakënaqësi dje gjatë seancës dëgjimore me ministrin Ilir Beqaj lidhur me funksionimin e sektorit të shëndetësisë. Seanca u karakterizua nga debate të forta nga deputetët, në një kohë kur Beqja prezantonte projektet e Ministrisë së tij në kuadër të buxhetit të vitit të ardhshëm.

 

Fond i ulët

Deputeti socialist, Anastas Angjeli, i tërhoqi vëmendjen ministrit të Shëndetësisë lidhur me fondin e ulët që ka kjo Ministri, 4.6 miliardë lekë, në një kohë kur Beqaj prezantoi projektet e shumta të parashikuara për t’u realizuar në vitet në vijim. Angjeli u shpreh se situata në shëndetësi është shumë e vështirë dhe fondi i parashikuar në buxhet mund të mos mjaftojë. Për këtë arsye Angjeli i kërkoi ministrit Beqaj që në Komision të shprehet për problemet reale në shëndetësi, që nuk mund të mbulohen me një fond prej 4. 6 miliardë lekësh. “Me vjen jashtëzakonisht keq, këtu ne jemi mbledhur sot që nëse kemi ndonjë shans t’i akordojmë fond nga një sektor tjetër në sektorin e shëndetësisë. Ta mbështesin sektorin e shëndetësisë. Po nëse ju jeni ne të vërtetë të kënaqur që gjatë vitit të ardhshëm, me të gjitha problematikat e mëdha që ka shëndetësia, do të menaxhohen, do të zgjidhen, këto probleme me këtë fond, na e thoni, ne nuk kemi shqetësime. Shqetësime keni ju. Le të kthejmë kokën dhe le ta hedhin topin aty ku duhet”, – iu drejtua Angjeli Beqajt, i cili nuk kthehu asnjë përgjigje.

 

Pacientët nga publiku në privat

Një problematikë tjetër e theksuar që u ngrit në Komision dje, ishte drejtimi i pacientëve nga publiku tek privati, në një kohë kur këta persona paguajnë sigurime shëndetësore gjatë gjithë jetës së tyre. “Fatkeqësi e madhe është kur një doktor specialist i drejton pacientët e tij tek spitali privat. Kur do të ketë një strukturë, që kjo situatë që mjekët specialistë të mos çojnë pacientët që t’i zhvatin në spitalet private? Dhe, a do të ketë një strukturë që do të rregullojë spitalet private sa u përket tarifave? Pse ndodh që një person që punon gjithë jetën, paguan siguracione dhe kur shkon në spital, paguan sërish tarifë maksimale? Kur do të ndërhyjë siguracioni i jetës së tij që ta zbatojë sadopak edhe spitali privat?”, – tha deputeti socialist Paulin Stërkaj. Në lidhje me tarifat, Beqaj u përgjigj se në vend tarifat rregullohen nga vetë tregu, ndërsa deri më sot nuk ka spital që merr parasysh faktin që një pacient që trajtohet në privat, të përfitojë ulje tarife nga sigurimet. Po kështu, pakënaqësi në lidhje me shëndetësinë shprehu edhe deputeti Koço Kokëdhima, i cili u shpreh se spitalet janë në gjendje të mjerueshme dhe kanë mungesa të theksuara në personel, në mjekë dhe specialistë.

 

Debatet në Komision

Paulin Stërkaj: Fatkeqësi e madhe është kur një doktor specialist e orienton në një spital mik, privat.

Ilir Beqaj: Do t’ia financojmë 100% edhe kur ta kryejë në spitalin privat, për çdo paketë që do të miratojmë dhe do të kostojmë.

Stërkaj: A ka përfituar kush në raste urgjence me një pagesë nga shteti deri më sot? Këtu dua të dalë unë.

Beqaj: Jo pra, nuk ka përfituar. Unë e thashë që në fillim.

Braçe: Stërkaj bëri një pyetje konkrete. Po kur do marrin fund realisht që një mjek në spital të adreson në një klinikë private, të tijën, të mikut të tij, të shokut të tij?

Kokëdhima: Spitali i Sarandës është në një situatë të turpshme dhe materniteti ndodhet në një gjendje të neveritshme. Dua të di cili është vizioni juaj për këto shërbime? Pyetja tjetër që kam unë është kjo: Periferia ose pjesët e largëta të Shqipërisë, pa dyshim janë në vështirësi për burime njerëzore, mjekë dhe specialistë. A parashikoni ju masa dhe zgjidhje në 2015-ën apo më pas për këtë problem?

Beqaj: Ne kemi hapur specializime dhe besoj së shpejti do të kemi një pasqyrim të boshllëqeve.

Kokëdhima: Ju lutem, përgjigjuni seriozisht!

Beqaj: Kur bëj deklarata publike, patjetër që e kam seriozisht, pavarësisht se çfarë mendoni ju. E njoh gjendjen personale në maternitetin e Sarandës dhe të Delvinës, kemi dhe plane për brenda mundësive të financimit që parashikohen në buxhet, po bëjmë ato që unë fola në prezantimin. (ndërkohë Beqaj po largohet nga salla)

Kokëdhima: Pyetja ishte konkrete: Kur do të marrë fund praktika e çuarjes së pacientëve tek spitalet private, tek shoku i tij, tek miku i tij, familjari i tij e të tjera me radhë? Kur do të marrë fund kjo gjë?

Braçe: Ministri do të largohet për një mbledhje me qeverinë.

Kokëdhima: Duhet të them vetëm kaq. Jam shumë i pakënaqur nga përgjigjet që dhatë. Shpresoj që punën ta bëni shumë më mirë nga përgjigjet që jepni këtu.

 

Rama në Kuvajt/ Takime me biznesin privat, nënshkruhen 4 marrëveshje bashkëpunimi

 Shefi i qeverisë i ka bërë thirrje sektorit privat kuvajtian që të investojë në Shqipëri

Dje, Kryeministri Rama ishte në Kuvajt, ku u takua më zyrtarët më të lartë, mes tyre edhe homologun e tij Jaber Al-Mubarak Al-Hamad Al-Sabah. Mes Shqipërisë dhe Kuvajtit dje u nënshkruan 4 marrëveshje bashkëpunimi në sektorin ekonomik. Gjatë takimit me homologun kuvajtian, Sheikh Jaber Al-Mubarak Al-Hamad Al-Sabah, shefi i qeverisë shqiptare kërkoi nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, sidomos në fushën e turizmit dhe sektorin e ujit. Po ashtu, shefi i qeverisë shqiptare njohu homologun e tij kuvajtian me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe potencialin që vendi ynë ofron për sipërmarrjet e huaja të interesuara për të investuar në Shqipëri. Në përfundim të takimit, ministri i Jashtëm Bushati dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë Ahmetaj nënshkruan katër marrëveshjet me homologët e tyre në fushën e bashkëpunimit dhe zhvillimit të eksporteve industriale, mbrojtjen e mjedisit, ruajtjes së burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, bashkëpunimit në shëndetësi, si edhe marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.

 

Investimet në Shqipëri

Kryeministri shqiptar Edi Rama po ashtu i ka kërkuar sektorit privat kuvajtian të investojë në sektorë të ndryshëm të Shqipërisë. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve kuvajtiane “Kuna”, ai u shpreh: “Ne jemi gati të mirëpresim investimet private në Shqipëri, kështu mund të zhvillojmë edhe më shumë këto marrëdhënie duke mbështetur investitorët kuvajtian që të investojnë në Shqipëri në sektorë të ndryshëm”, – tha Rama duke shtuar se kishte bërë takimet private në Kuvajt për të analizuar se si sipërmarrës të rëndësishëm mund të hapin biznese të rëndësishme në Shqipëri në fusha të ndryshme, si pasuritë e paluajtshme, bujqësia, turizmi dhe uji.

 

Share it :