Të gjitha bankat janë të pranishme në internet me një faqe të tyren, që jep informacion të përgjithshëm mbi bankën dhe mbi shërbimet që ajo ofron. Megjithatë, internet banking shkon një hap më tutje, pasi u lejon klientëve të futen nëpërmjet internetit në llogaritë e tyre online 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, drejtpërsëdrejti nga shtëpitë ose zyrat e tyre dhe të kryejnë operacionet bankare që duan. Me fjalë të tjera, internet banking mund ta përkufizojmë si një nga shërbimet në distancë, të ofruar nëpërmjet kanaleve elektronike të shpërndarjes dhe të komunikimit, të produkteve dhe shërbimeve tradicionale dhe të reja bankare. Megjithatë, duhet theksuar se internet banking, të paktën në fazën aktuale, nuk tenton të zëvendësojë kanalet tradicionale të shpërndarjes së produkteve bankare. Ai qëndron bashkë me një tërësi kanalesh, që shkojnë nga ato tradicionale (si sportelet e filialeve) tek ato automatike (si ATM, Pos), në kuadrin e plotësimit dhe të përforcimit të raportit klient – bankë, për të realizuar të ashtuquajturën strategji shumëkanalëshe.
Shërbimet që ofrohen në rrugë elektronike
Pjesa më e madhe e bankave të mëdha, ofrojnë shërbime bankare në rrugë elektronike, plotësisht të sigurta dhe plotësisht funksionale, kundrejt një pagese të caktuar. Disa banka më të vogla ofrojnë akses dhe funksione më të kufizuara, si për shembull të lejojnë të kontrollosh gjendjen e llogarisë personale, por jo të kryesh transaksione online. Në këtë mënyrë, shërbimet që ofron internet banking mund t’i klasifikojmë në dy lloje: informative, në rastet kur të lejojnë vetëm të kontrollosh bilancin apo pasqyrën e lëvizjeve dhe operative, kur të lejojnë të bësh transferta apo të paguash fatura, me fjalë të tjera të kryesh të gjitha operacionet tipike të një sporteli bankar. Dhe të gjitha këto bëhen të mundura pa lëvizur nga shtëpia, duke kursyer kohë dhe duke mënjanuar radhët e mërzitshme nëpër sportele.
Përparësitë dhe përfitimet që sjell Internet Banking
Internet banking përmbush shumë funksione në marrëdhënien midis bankës dhe klientelës së saj. Përveç prezantimit dhe njohjes së institutit bankar, iniciativave dhe produkteve të tij, ky lloj shërbimi ofron dhe përfitime të tjera si:
Komoditet: ndryshe nga sportelet bankare, faqet e internetit të bankave nuk mbyllen asnjëherë, ato janë të hapura 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Nuk është e nevojshme të humbësh kohë duke pritur në rradhë, pasi bankat tani janë vetëm një click larg.
Kudondodhje: nëse ndodheni larg qytetit tuaj apo edhe jashtë shtetit, ju mund të lidheni në çast me bankën dhe llogarinë tuaj, dhe të kujdeseni për financat personale.
Shpejtësi të transaksioneve: shpesh, llogaritë online realizojnë dhe konfirmojnë transaksionet bankare më shpejt se sa automatet ATM.
Efikasitet: ju mund të futeni dhe të administroni të gjitha llogaritë tuaja, përfshirë këtu depozitat, fondet e pensionit, letrat me vlerë etj., dhe të gjitha këto nga një faqe e vetme interneti.
Efektshmëri: një pjesë e madhe e bankave ofrojnë në faqet e tyre të internetit, instrumente të sofistikuara, alarme apo programe drejtuese për t’ju ndihmuar të administroni të gjitha pasuritë tuaja në mënyrë më eficiente.
Një tjetër përparësi e internet banking është kontrolli dhe pakësimi i kostove. Mijëra klientë mund ta përdorin këtë shërbim njëkohësisht, pa ndihmën e arkëtarëve dhe të nëpunësve të bankës. Në këtë mënyrë, puna administrative reduktohet dhe bashkë me të edhe shpenzimet për letër, formularë apo shkresa të ndryshme, gjë e cila sjell një rritje të ndjeshme të marzhit të fitimit të bankës dhe për pasojë, edhe ulje të tarifave që bankat u aplikojnë klientëve të tyre.
Këshillat
-Bëni kujdes kur të vendosni fjalëkalimin (passëord) e llogarisë tuaj online. Zgjidhni diçka të lehtë për t’u kujtuar, por të vështirë për t’u gjetur nga të tjerët (mos përdorni emrin, mbiemrin, ditëlindjen tuaj apo ato të personave tuaj të afërt dhe as emrin e ndonjë personazhi publik apo të qenit tuaj).
-Mos hyni kurrë në llogarinë tuaj online nga një kompjuter publik. Evitoni të përdorni kompjuterat e bibliotekave, të shkollave apo ata të internet-kafeve, pasi disa faqe interneti vendosin cookies në kompjuter, që mbledhin informacionin tuaj personal.
-Edhe nëse jeni duke përdorur kompjuterin tuaj personal, mos e lejoni faqen e internetit të bankës të “mbajë mend” emrin tuaj të përdorimit apo fjalëkalimin.
-Mos u lidhni me faqen e internet banking nëpërmjet një link-u (lidhje) në e-mail ose në motorët e kërkimit në internet, më mirë shtypeni vetë adresën elektronike të bankës suaj, për më shumë siguri.
-Bëni kujdes nga të ashtuquajturit “phishers”. Këta janë hajdutë të teknologjisë së lartë, të cilët dërgojnë email, duke deklaruar se përfaqësojnë banka apo institucione të tjera financiare dhe se për të përditësuar informacionin që ata kanë mbi klientët e tyre, kanë nevojë për të dhënat tuaja personale, përfshirë numrin e llogarisë, emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin. Mos u gënjeni nga sofistikimi i këtyre mesazheve dhe mos iu përgjigjni. Banka nuk do t’ju kërkojë kurrë një informacion të tillë me email dhe as me telefon.
-Kontrollojeni vazhdimisht gjendjen e llogarisë dhe transaksionet tuaja. Në rast se vini re gabime apo transaksione të paautorizuara, njoftoni menjëherë bankën.
– Dhe mos harroni të ç’regjistroheni dhe të mbyllni të gjitha faqet e hapura pas përfundimit të përdorimit të shërbimit online.
Rriten interesat e bonove të thesarit, bankat ulin kërkesat
Financat janë përballur me një rritje të interesave të bonove të thesarit në ankandin e ditës së djeshme, të organizuar nga Banka e Shqipërisë, teksa oferta e institucioneve financiare (kryesisht banka) ka qenë më e ulët se kërkesa e qeverisë. Sipas rezultateve të ankandit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me afat maturimi 12-mujor u rrit në 3.28%, nga 3.25% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Kjo është rritja e tretë radhazi e yield-it të bonove 12 mujore (në ankandin e datës 23 shtator, yieldi ishte 3.22%). Banka e Shqipërisë kishte publikuar pak ditë më parë se shumë e shpallur për shitje për bonot 12 mujore ishte 7.4 miliardë lekë, ndërsa kërkesa e investitorëve në ankand ishte rreth 6.7 miliardë lekë. Për bonot 6 mujore, yieldi ishte 3.15%, nga 3.13% në ankandin e fundit me të njëjtin maturitet. Ministria e Financave ka pranuar se kohët e fundit po hasin me një tërheqje të bankave (që janë aktorët kryesorë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë) nga blerjet e borxhit afatshkurtër, një strategji që duket se po orientohet nga bankat mëmë. Nga ana tjetër edhe të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave flasin për një përshpejtim të strategjisë së bankave me kapital perëndimore në tkurrjen e bilancit të filialit të tyre në Shqipëri.




