Franca do të jetë me yjet e saj për përballjen e 14 nëntorit me Shqipërinë, e cila do të luhet në stadiumin “Route de Lorient” në Ren. Trajneri i bluve, Didie Deshamp, publikoi listën me futbollistët që do të ketë në dispozicion për takimin me kuqezinjtë dhe atë të 4 ditëve më vonë kundër Suedisë. Përballë kuqezinjve Franca do të paraqitet me yje të njohur në arenën botërore, si Karim Benzema, Pol Pogba, Antuan Grizman, Kabaje, Rafael Varane, Sanja e Hygo Loris. Përveç yllit të Bajernit, Frank Riberi, i cili ka deklaruar tërheqjen nga kombëtarja, duke u bërë dhe objekt polemikash, e vetmja mungesë për sa u përket emrave të rëndësishëm, është ajo e Patris Evrasë, i cili është i dëmtuar, po ashtu si Sako, Matjë, Koshielnim e Debyshi. Deshamp ka përjashtuar nga lista Lajn Kurzava të Monakos, ndërkohë që për të përballuar mungesat në mbrojtje, ka afruar për dy përballjet e radhës me “gjelat” Perrin, Benua Tremylinas të Seviljes, si dhe Janga-Mbia të Romës. Për sa i përket repartit të avancuar risia e Deshampit është sulmuesi i Lionit, Aleksandre Lakaxet, i cili po kalon një formë të mirë në Ligë 1. Përballja mes Francës dhe Shqipërisë do të luhet në 14 nëntor, ndërkohë që FSHF në faqen e saj zyrtare në internet njofton se pranë saj janë ende në shitje biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë që ndahen në dy kategori të ndryshme me çmimet përkatëse 15 dhe 65 euro.
Platini vazhdon me përrallën e “luftës kundër racizmit”
“Vrite, there që shqiptari të mos ekzistojë!” Ishin këto klithmat që u dëgjuan gjatë gjithë kohës në stadiumin e Partizanit të Beogradit, para dhe gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Është pak t’i quash thjesht kore raciste, pasi shkojnë deri në thirrje për gjenocid. Një akt i shëmtuar në sytë e mbarë botës së qytetëruar, por që nuk u dëgjua nga UEFA dhe presidenti i saj, Mishel Platini, me racizmin që as nuk u përmend në vendimin e Komisionit të Disiplinës për ngjarjet e takimit të 14 tetorit. Një vendim që kompromentoi rëndë fushatën e UEFA-s kundër racizmit në dritën e të cilit slogani “Thuaji jo racizmit”, ngjason me një dogmë, pasi me këtë vendim, në fakt, UEFA i tha “po racizmit” në sytë e mbarë botës. Megjithatë, Mishel Platini, si një politikan i vërtetë, me sa duket demagogjinë nuk e ka aspak problem. Në vizitën e tij në qendrën stërvitore të Federatës Angleze të Futbollit në “Saint George Park”, Platinisë iu tregua dhe statuja që nderon futbollistin e parë profesionist me ngjyrë, Artur Uarton, dhe si një politikan i vërtetë, Platini nxitoi të bënte sërish demagogji për të rikuperuar pikë aty ku i ka humbur më shumë në luftën kundër racizmit. “Ne punojmë jo vetëm kundër çdo lloj forme racizmi, por gjithashtu edhe për paragjykimet kundër njerëzve me paaftësi fizike apo homofobisë. Ne kemi zero tolerancë ndaj të gjitha këtyre. Ne po përpiqemi të ndihmojmë njerëzimin dhe qytetërimin, të kemi një jetë më të mirë. Ne na duhet t’i mbajmë jashtë futbollit të gjithë këta njerëz budallenj që nuk po punojnë për një bashkëpunim të mirë”, – është shprehur Platini, citon “Sport News”.
Kombëtarja/ Italia dhe Franca, gati për Shqipërinë
Shqipëria pas një jave do të do të luajë ndeshje mjaft të rëndësishme miqësore me Francën dhe Italinë. Sfida ndaj kundërshtarëve mjaft seriozë dhe që kanë në përbërje yje të mëdhenj. Dy teste të mira për skuadrën e De Biazit që rimblidhet pas incidenteve në Serbi. Vendimi i UEFA-s për humbjen e ndeshjes në tavolinë duket se do të shërbejë si motivim për lojtarët që do të jenë më të përqendruar për të zhvilluar ndeshje të mira dhe për t’u përmirësuar më shumë. Antonio Konte flet për herë të parë për miqësoren me Shqipërinë, që do të zhvillohet më 18 nëntor në Xhenova. Trajneri i kombëtares italiane zbulon se ndaj kuqezinjve do të aktivizojë fytyra të reja, duke i lënë pushim të gjithë lojtarët kryesorë që do të zbresin në fushë më 16 nëntor ndaj Kroacisë, në kuadër të eliminatoreve të Evropianit. “Do të grumbulloj shumë futbollistë, sepse në miqësoren me Shqipërinë nuk mund të luajnë ata që do të aktivizohen ndaj Kroacisë. Besoj se do të kemi disa fytyra të reja”, – është shprehur Konte. Në San Siro, ku do të zhvillohet sfida me Kroacinë, janë në pritje të aktivizimit të Stefan el Sharauit, i cili nuk është grumbulluar nga Konte në sfidat e fundit të Italisë. “El Sharaui i ka të gjitha karakteristikat për të lënë gjurmë në Itali dhe në arenën ndërkombëtare. Është një lojtar ndaj të cilit ne në përfaqësuese por sigurisht edhe Milani i mikut tim Inzagi kemi shumë besim. Ai duhet të të rritet akoma më shumë, është një lojtar shumë i ri, por i takon atij të vendosë nëse dëshiron të bëhet një futbollist i madh apo lojtar normal”, – vijoi tekniku axurr. Italia dhe Kroacia, bashkëkryesojnë grupin H, me 3 fitore në pak kaq ndeshje, por ballkanasit mbajnë vendin e parë falë golaverazhit më të mirë.




