Ligji i ri i qeverisë/ Për 9 mijë ushtarakë. Masat e reja disiplinore, kur lirohesh dhe pezullohesh nga detyra

Gëzim Saliu

Projektligji i qeverisë, si ndryshojnë masat e disiplinës, ja rastet kur rehabilitohesh. S’lejohet publikimi në rrjetet sociale i çdo efektivi të FA me armatim ushtarak

forcat-e-armatosura komandot ushtare Qeveria propozon një ligj të ri sa i përket disiplinës në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku ndryshimet e masave janë të shumta me ligjin e vitit 2004, duke nisur që nga masat më të lehta e deri tek pezullimi apo lirimi nga detyra. Sipas projektligjit “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” të miratuar dje në qeveri, masat disiplinore do të jenë: “vërejtje me shkrim”, “kufizimi i lëvizjes në kufij të përcaktuar”, “ndalim disiplinor” dhe “gjobitje në pagë”, ku kjo sasi nuk mund të tejkalojë 1/4 e pagës neto mujore. Ndërkaq sipas ligjit të ri masat disiplinore, që jepen nga autoriteti përgjegjës për shkelje shumë të rënda, janë: “vërejtje me paralajmërim” si edhe “lirimi nga Forcat e Armatosura”, e cila është masë ekstreme e dhënë për shkelje shumë të rënda disiplinore.

 

Ndryshimet

Me ligjin e ri, shkeljet disiplinore do të ndahen në të lehta, të rënda dhe shumë të rënda. Kështu në shkeljet shumë të rënda do të përfshihen mbështetja e fushatës së një partie ose organizate politike; ndihma, përkrahja ose pjesëmarrja në aktivitete të organizatave politike, fetare ose jofitimprurëse, gjatë orarit të punës, në vendin e punës ose në mjetet ushtarake; lejimi i personave nga organizata politike, fetare apo çdo organizatë tjetër jofitimprurëse të bëjnë propagandë në ambientet e Forcave të Armatosura dhe në mjetet që ato disponojnë; përdorimi, shpërndarja apo vendosja në mjetet ose në ambientet ku shërbejnë Forcat e Armatosura e simboleve apo reklamave të organizatave, politike apo shoqërore, me përjashtim të atyre me karakter humanitar si edhe ushtrimi i funksioneve i ndikuar nga bindjet e tij politike ose nga interesat personalë ose shoqërorë. Ndërsa tek shkeljet e rënda do të përfshihen publikimi apo dhënia në media e informacioneve, që lidhen me veprimtarinë e FA si dhe shpërndarja e dokumenteve zyrtare të paklasifikuara, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, përdorimi i pajisjeve elektronike për regjistrimin dhe/ose filmimin e bisedës me eprorët, shprehja e kritikave publike ndaj Forcave të Armatosura, në formë shkresore, elektronike apo verbale, që cenojnë imazhin e institucionit apo personalitetin e ushtarakëve të tjerë, fshehja, ndryshimi ose asgjësimi i dokumenteve zyrtare në formë shkresore ose elektronike si edhe veprimi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për ruajtjen e administrimin e dokumenteve apo materialeve shkresore, elektronike dhe filmike. Po ashtu shkelje të rënda do të cilësohen edhe mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit; mbajtja e uniformës ushtarake në lokale nate, kazino, lojëra fati dhe në ambiente të tjera të ngjashme me këto; publikimi në rrjetet sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak. Ndërkohë sipas projektligjit të qeverisë, pezullimi disiplinor i ushtarakut nis nga momenti i njoftimit të fillimit të ecurisë disiplinore për shkelje të rënda dhe shumë të rënda disiplinore, deri në dhënien e vendimit, me qëllim mospengimin e procedimit disiplinor si dhe parandalimin e kryerjes së shkeljeve të tjera. Pezullimi nga detyra nuk përbën ndëshkim disiplinor. “Ndaj ushtarakut të Forcave të Armatosura që pezullohet nga detyra, autoriteti përgjegjës mund të vendosë gjatë periudhës së pezullimit një ose më shumë nga kufizimet e mëposhtme: Heqjen e së drejtës për të hyrë i pashoqëruar në ambientet e Forcave të Armatosura; Heqjen e së drejtës për të mbajtur pajisjet personale të punës; Heqjen e së drejtës për të pasur akses në materialet me informacion të klasifikuar”. Ndërkaq, lidhur me procedurën e rehabilitimi ligji parashikon se e përfitojnë ushtarakët e Forcave të Armatosura, ndaj të cilëve është marrë një masë e lehtë disiplinore si edhe ushtarakët e FA, ndaj të cilëve është marrë një masë e rëndë disiplinore dhe që për një periudhë 1-vjeçare nuk kanë kryer asnjë shkelje tjetër të rëndë disiplinore.

 

 Lufta kundër terrorizmit/ Qeveria jep armë pa shpërblim për Irakun

Këshilli i Ministrave vendosi dje të jepte kontributin e tij me armë në kuadër të luftës kundër terrorizmit për qeverinë e Irakut. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të nenit 11, të ligjit nr. 64/2014, datë 26.6.2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e armatimit, pa shpërblim, qeverisë së Republikës së Irakut, të hequr nga armatimi e përdorimi, që është i tepërt dhe jashtë nevojave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si kontribut i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, sipas llojit dhe sasisë së përcaktuar në listën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë e përbërëse e tij.

 

 Sot takimet në Presidencë/ Meta: Opozita të kthehet në Kuvend. Presidenti, rol konstruktiv për guvernatorin

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, i përsëriti dje thirrjen opozitës për rikthim në Kuvend. Pas takimit me homologun e tij çek Jan Hamacek, Meta u shpreh për mediat: “Ne dëshirojmë më të mirën për opozitën, të thotë fjalën e saj në Parlament, sepse vend si Parlamenti nuk mund të ketë. Thirrje opozitës të rikthehet në Parlament”. Ndërsa lidhur me takimin ditën e sotme me Presidentin Bujar Nishani për çështjen e zgjedhjes së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Meta shpjegoi se ky takim është thirrur nga vetë kreu i shtetit. “Sigurisht që Presidenti ka të drejtën e tij të përmbushë tërë detyrimet kushtetuese dhe besoj se këtë gjë do ta bëjë në mënyrën më konstruktive dhe të përgjegjshme. Takimi nuk është kërkuar nga unë, por nga Presidenti dhe kam dëshirën e mirë për një takim konstruktiv dhe shkëmbim bisedash konstruktive”. Sot Presidenti do të zhvillojë konsulta me Kryeministrin e vendit Rama, kreun e Parlamentit Meta si edhe kryedemokratin Basha, ku më pas do të përzgjedhë edhe guvernatorin e ri të BSH-së, për të cilin ka theksuar se i takon ekskluzivisht kreut të shtetit.

Share it :