Buxheti 2015/ Qeveria e çon në Parlament, Basha mbledh ekspertë ekonomistë të PD-së: Format e kundërshtimit

Erneta Shevroja

 Strategjia e demokratëve për të kundërshtuar projektbuxhetin e qeverisë dhe paketën fiskale

Grupi-PDQeveria i dorëzoi dje Kuvendit projektbuxhetin për vitin 2015, projekt që është planifikuar të nisë zbatimin në janar të vitit të ardhshëm. Fillimisht do të jetë Konferenca e Kryetarëve që do të bëjë prezantimin e projektbuxhetit dhe më pas paketa do të kalojë për diskutim në Parlament, ku grupet e interesit do të japin opinionin e tyre. Buxheti do të miratohet gjatë muajve të vjeshtës dhe në muajin janar të viti 2015 do të fillojë zbatimin. Ndërkaq, burime brenda PD-së thanë se dje deputetët ekspertë të ekonomisë janë mbledhur për të diskutuar mbi buxhetin. Është mësuar që Partia Demokratike do të kundërshtojë planifikimin e buxhetit 2015 nga qeveria.

 

Oponenca

Një ditë pasi Këshilli i Ministrave miratoi projektbuxhetin për vitin 2015, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mblodhi dje deputetët ekspertë në fushën e ekonomisë për të diskutuar për ligjin më të rëndësishëm financiar të shtetit. Ndërsa nuk ka ende një vendim për ndërprerje të bojkotit, demokratët po hartojnë strategjinë për oponencën që do t’i bëhet projektbuxhetit të miratuar nga Këshilli i Ministrave ditën e diel. Sipas opozitës, qeveria dështoi në vitin e saj të parë për të mbledhur të ardhura si edhe për të bërë investime. Nuk ia doli të luftonte evazionin fiskal dhe për të mbushur buxhetin, sërish po bën të njëjtin gabim, duke rritur taksat.

 

Buxheti 2015

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Ermonela Felaj, dorëzoi dje në Kuvend projektbuxhetin e shtetit, i miratuar nga qeveria ditën e diel, në një mbledhje jashtë radhe. Fillimisht do të jetë Konferenca e Kryetarëve që do të bëjë prezantimin  e përmbajtjes së projektbuxhetit dhe më pas paketa do të kalojë për diskutim në Parlament, ku grupet e interesit do të japin opinionin e tyre. Buxheti do të miratohet gjatë këtyre muajve të vjeshtës dhe në muajin janar të viti 2015 do të fillojë zbatimin. “Në ditët në vijim, konform rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neneve, si 78 dhe vijues, do të zhvillohet Konferenca e Kryetarëve, në të cilën do të prezantohet përmbajtja e projektligjit për buxhetin, së bashku me paketën fiskale. Ky prezantim do të bëhet nga ministri i Financave dhe më tej do të vendoset edhe për kalendarin e veçantë të punimeve në komisionet e përhershme parlamentare dhe në seancë parlamentare. Dhënia e mundësisë, grupeve të interesit dhe e zgjedhësve për t’u përfshirë në diskutimin e projektbuxhetit, është konfirmim i çuarjes deri në fund të angazhimeve që Aleanca jonë për Shqipërinë Evropiane ka marrë përkundrejt qytetarëve shqiptarë”, – tha Felaj dje, pasi dorëzoi projektbuxhetin në Parlament. “Qeveria, nga njëra anë dhe Parlamenti, në anën tjetër, si rrallë herë më parë, këtë herë bashkëveprojnë për të plotësuar jo thjesht formalisht një kërkesë të Kushtetutës, por, më së pari, një detyrim përkundrejt qytetarëve dhe institucioneve të këtij vendi, që ndryshe nga sa më parë meritojnë të buxhetohen në kohën dhe në mënyrën e duhur për nevojat e tyre financiare”, – u shpreh ministrja. Felaj tha se për të diskutuar përmbajtjen e projektbuxhetit do të zhvillohen disa dëgjesa publike dhe më pas do të pres miratimin në kuvend. “Miratimi i buxhetit 2015 brenda sesionit të vjeshtës do të thotë që ky buxhet, ndryshe nga sa më parë, të bëhet aktiv që në fillim të muajit janar 2015. Qeveria, duke dorëzuar projektligjin për buxhetin brenda afatit kushtetues, i jep mundësi Parlamentit, që brenda një kohe tërësisht të arsyeshme, nëpërmjet dëgjesave publike të marrë mendime, vërejtje nga institucionet dhe publiku, me qëllim përmirësimin e projektit dhe konsolidimin e tij”, – tha Felaj. Buxheti i këtij viti kap vlerën e 470 miliardë lekë ose 4.7 miliardë dollarë. Qeveria ka parashikuar që rritja të jetë rreth 3% ndërsa ka premtuar se do të ketë rritje të të ardhurave.

 

Fondi 394 milionë lekë/ PD: Qeveria trajton financat e shtetit si fond privat, përfaqësuesi i Veliajt kandidat për AMA-n

Partia Demokratike vijoi denoncimet për përfitimin në mënyrë të paligjshme të projektit nga kompania në pronësi të ministrit Erion Veliajt për zbukurimin e Tiranës, ditën kur erdhi Papa Françesku. Nëpërmjet koordinatores për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma, PD deklaroi se kompania e Veliajt nuk plotësonte kushtet ligjore për të dekoruar kryeqytetin më 21 shtator. Sipas Dumës, “afera 394 milionë lekëshe për interesat e qeveritarëve është një dëshmi tronditëse e trajtimit të financave të shtetit si fond privat, e injorimit total të ligjit dhe procedurës”. Duma deklaroi se përfaqësuesit e Veliajt kishin ngritur një skemë për përfitim shumë të shpejtë. “Paratë i jepen përfaqësuesit të ministrit Veliaj, me prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë, çka do të thotë shpenzohet i gjithë fondi limit. Nuk kursehet asgjë nga taksat e qytetarëve. Paratë i jepen klientelës qeveritare në shkelje të ligjit, pasi shoqëria nuk plotëson kushtet kryesore teknike. Kompania 8-mujorëshe e Veliajt nuk paraqet dot as bilancin e vitit të shkuar dhe nuk e ka as në objektin e saj dekorimin e qytetit. E gjitha kjo bëhet pa asnjë droje, as nga ana formale, përfituesi nuk bën kujdes të fshehë adresën e zyrës, që është i njëjti apartament me kompaninë e vëllait të Erion Veliajt. Po një analizë e kujdesshme, të çon në përfundimin se kemi të bëjmë me një mekanizëm të ngritur enkas për të përfituar, për t’u pasuruar shpejt e shpejt”, – tha koordinatorja e PD-së. Kompania në fjalë, bëri të ditur Duma, ka 8 muaj që operon në treg. Ndërkohë, sipas Dumes, përfaqësuesi i ministrit Veliaj “ka marrë bekimin për të qenë edhe kandidat për AMA-n. Kjo, sipas koordinatores së PD-së, është mënyra se si qeveria po përdorë taksat e qytetarëve shqiptarë. “Ndërsa vendi është në terror burgosje për dëme dhjetëmijë lekëshe, një kompani e Veliajt merr 394 milionë me një dorë për zbukurime. Ja për çfarë përdoren taksat e shqiptarëve, për pasurim dhe për karrierë, nën drejtimin e Ministrit, me mbrojtjen e Kryeministrit”.

 

Demokratët e Kukësit dhe Lezhës: Aksioni për vjedhjen e energjisë, selektiv

Demokratët kanë akuzuar se aksioni kundër vjedhësve të energjisë po bëhet nga qeveria në mënyrë seleketive. Sipas kreut të degës së PD-së Kukës, Arif Rexhmati, gjithë operacioni po shoqërohet me favorizime. Ai kërkoi që Kukësi të cilësohet rast i veçantë pasi banorët janë varfëruar dhe nga problemi i pazgjidhur i përmbytjes së tokave nga Fierza. Po ashtu, edhe kreu i degës së PD së Lezhës, Paulin Marku, akuzon se po shoqërohen njerëz në mënyrë selektive.

Sipas kreut Paulin Marku, policia po arreston njerëz që nuk kanë bukë të hanë, ndërkohë që maskat janë rikthyer në aksion duke terrorizuar çdo ditë njerëz të pafajshëm. Që prej nisjes së aksionit për energjinë elektrike në Lezhë janë arrestuar 10 persona, abonentë familjarë dhe përfaqësues biznesesh, ndërsa në Kukës përveç familjarëve, edhe 3 elektricistë për abuzim me detyrën.

 

Share it :