Gëzim Saliu
Dokle: Nuk ka kontroll mbi zbatimin e ligjit, ata që bëjnë ushqim të pasigurt, më kriminalë se ata që vjedhin energjinë. Dade: Zonat e largëta nuk marrin grante, janë të mënjanuara
Siguria ushqimore dhe mungesa e kontrollit në zbatimin e ligjit ishin dy ndër pikat kryesore të debatit mes deputetëve të majtë në mbledhjen e Komisionit të Integrimit me ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti, i cili raportoi për evidentimet e progres-raportit të Komisionit Evropian. Edhe pse kishin të bënin me aleatin e forcës së koalicionit, i cili u “braktis” edhe nga e vetmja deputete e LSI-së, Silvana Caka, e cila u largua nga mbledhja e Komisionit që në nisje, deputetët e PS-së nuk kanë ngurruar të theksojnë kritikat e tyre për disa çështje të fushës, që ishin të përfshira edhe në rekomandimet e Brukselit. Por nga ana tjetër ata kanë vlerësuar edhe disa nisma të ndërmarra nga Ministria, duke nënvizuar se duhet bërë edhe më shumë për të arritur standarded e BE-së për sektorin e bujqësisë.
Debati
Pas raportimit të ministrit Panariti, i cili përcolli disa nga zhvillimet kryesore të bujqësisë në një vit, nënkryetari i Komisionit, Taulant Balla, i cili kryeson tashmë mbledhjet në mungesë të opozitës, duke prekur debatin e hapur për cilësinë e miellit, theksoi se duhet të vendosen rregullat të qarta për të arritur standardet e BE-së. “Unë bëj pjesë tek ata njerëz që nuk dua që në Shqipërinë time të bëhet patriotizëm me bukën e shqiptarëve, dua që qytetarët shqiptarë të hanë bukën më të mirë të mundshme, sepse jemi komb që konsumojmë shumë bukë. Por të bësh patriotizëm me bukën, kjo nuk shkon. Duhet t’i mësojmë edhe kolegët kosovarë që të njëjtat rregulla t’i vendosin edhe në Kosovë, që kur BE-ja thotë që ky është standardi për ne, le ta përqafojmë edhe ne. Por të hyjë mielli nga një vend tjetër në Kosovë dhe pastaj nga Kosova në Shqipëri dhe pastaj të na thonë se ky është miell kosovar ky nuk është standard i pranueshëm”, – tha Balla. Ndërkohë, deputeti Namik Dokle, duke u përqendruar tek siguria e ushqimit, tha se ata që e përkeqësojnë atë janë më kriminalë sesa ata që vjedhin energjinë elektrike. Sipas ligjvënësit socialist, ministritë dhe qeveria në tërësi po çalojnë tek pjesa e kontrollit të zbatimit të ligjit. “Janë veprime kriminale ato që kanë të bëjnë me papastërtitë e ushqimit që hanë shqiptarët, janë më kriminale se sa vjedhja e energjisë sepse na vjedhin shëndetin. Nga strategjia duhet kaluar në politika konkrete dhe mbi të gjitha në kontrollin e zbatimit të ligjit, këtu e keni thembrën e Akilit”, – tha ai. Po ashtu edhe deputetja Arta Dade shprehu kritika lidhur me harresën e qeverisë për zonat e largëta, të cilat sipas saj nuk po përfitojnë nga grantet e mbështetjes për fermerët. “Lidhur me shërbimin veteriner është shumë larg nga ajo që pretendon të shkojë blegtoria, madje në rrethin e Kolonjës është vlerësuar se nuk ka asnjë specialist. Nuk kam të qartë se si do jetë shërbimi veterinar, duke marrë parasysh edhe reformën territoriale. Kam përshtypjen se do largohet nga fermerët, ku në komuna ka pasur. A mendohet që në ato njësi administrative, jo vetëm bashki, sa pranë do jetë shërbimi veterinar? Po ashtu mendoj se jemi shumë larg nga ajo që na kërkon BE-ja nuk di a do të ketë një zhvillim edhe në zonat e largëta pasi Shqipëria nuk është vetëm Tiranë dhe Durrësi apo zonat urbane. Ka shumë ankime dhe për mënyrën se si janë shpërndarë grantet. Kjo gjë nuk ndodh në zonat e largëta, për mbështetjen me grante”, – tha Dade.
Debati te Komisioni i Integrimit/ Panariti: S’ka luftë kombëtare. Balla: Jo patriotizëm me bukën. Dokle: Qeveria të veprojë
Edmond Panariti: Kontrolli i cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, baza identifikon dhe qendra konfirmon. Kemi ambicie për platformën kombëtare të ushqimit, ku mundësisht pjesë të jenë edhe institucionet e Kosovës. Nuk është se kemi të bëjmë me luftë kombëtare, por mos rakordim për standarde unike. Ne e filluam me miellin dhe kam ndërtuar një paketë të sigurisë që siguron lëvizjen e grurit dhe miellit. E fillojmë me miellin dhe me grurin, por do vazhdojmë më pas edhe me qumështin edhe me mishin. Vendet e rajonit duhet të bien dakord se kush do të jetë ai set standardesh që do zbatojmë dhe më pas të kalojmë drejt atyre të BE-së. Pjesë e paketës së bujqësisë që lançohet pasnesër, është reformimi i shërbimit veterinar.
Taulant Balla: Unë di një histori me z. Ruli kur ka qenë ministër, më vjen keq që nuk e kam këtu se do e pyesja direkt, por të japësh para për të mbjellë ullinj në Kukës dhe asnjëri nga këto ullinj nuk ka zënë se normale nuk zë ulliri në Kukës, dhe sigurisht këto janë para të taksapaguesve shqiptarë. Unë bëj pjesë tek ato njerëz që nuk dua që në Shqipërinë time të bëhet patriotizëm me bukën e shqiptarëve, dua që qytetarët shqiptarë të hanë bukën më të mirë të mundshme, sepse jemi komb që konsumojmë shumë bukë, sigurisht kjo na është mësuar nga varfëria ku kemi ardhur. Por të bësh patriotizëm me bukën, kjo nuk shkon. Duhet ti mësojmë edhe kolegët kosovarë që të njëjtat rregulla t’i vendosin edhe në Kosovë që kur BE-ja thotë që ky është standardi për ne le ta përqafojmë edhe ne. Por të hyjë mielli nga një vend tjetër në Kosovës dhe pastaj nga Kosova në Shqipëri dhe pastaj të na thonë se ky është miell kosovar ky nuk është standard i pranueshëm. Me bukën s’ka patriotizëm. Për sa i përket peshkimit, ju përgëzoj për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimi, pasi ishte e papranueshme. Kështu një anije peshkimi paguante taksë qarkullimi rrugor, as nuk i binte ndonjëherë që anija të hynte në rrugë apo në autostradën Tiranë-Durrës. Për duhanin dhe do kërkojmë që ky produkt të përfshihet në produktet për subvencion.
Edmond Panariti: Lidhur me duhanin jam dakord që ne duhet ta përfshijmë në skemat e subvencionit por me disa kushte. Nga duhani gjysmë oriental duhet të kalojmë tek duhani oriental. Duhet të punojmë me farën, Ne duhet të organizojmë industrinë e duhanit këtu.
Namik Dokle: Do të bëjë thirrje jo vetëm Ministrisë së Bujqësisë, por edhe të dikastereve të tjera, që të mos mbetemi thjesht tek konstatimi dhe tek analiza, por nga këto duhet kaluar në veprime konkrete. Janë veprime kriminale ato që kanë të bëjnë me papastërtitë e ushqimit që hanë shqiptarët, janë më kriminale se sa vjedhja e energjisë sepse na vjedhin shëndetin. Nga strategjia duhet kaluar në politika konkrete dhe mbi të gjitha në kontrollin e zbatimit të ligjit, këtu e keni thembrën e Akilit. Unë e dëgjoj në disa raportime, vjen ministri i Bujqësisë thotë që Maqedonia e ka kështu më mirë se sa ne, vjen ministri jashtëm për shërbimin diplomatik dhe thotë që Maqedonia e ka kështu dhe… Po kjo Maqedonia ku i merr këto mundësira, çfarë duhet të bëjmë ne që nesër të thotë Maqedonia që duhet bërë si Shqipëria. Ju keni nxjerrë urdhër por ato nuk zbatohen. Se përmendët daterin, me siguri jo se keni forcuar ju punën,porse është mbaruar.
Edmond Panariti (pa mikrofon): Ka o Namik ka…
Namik Dokle: E kanë zhvatur që i kanë luajtur fenë, duke shkelur të gjitha ligjet.
Arta Dade: Lidhur me shërbimin veteriner është shumë larg nga ajo që pretendon të shkojë blegtoria, madje në rrethin e Kolonjës është vlerësuar se nuk ka asnjë specialist. Kam përshtypjen se do largohet nga fermerët, ku në komuna ka pasur. A mendohet që në ato njësi administrative, jo vetëm bashki, sa pranë do jetë shërbimi veterinar? Po ashtu ka shumë ankime dhe për mënyrën se si janë shpërndarë grantet. Kjo gjë nuk ndodh në zonat e largëta, për mbështetjen me grante. Mendoj se jemi shumë larg nga ajo që na kërkon BE-ja nuk di a do të ketë një zhvillim edhe në zonat e largëta pasi Shqipëria nuk është vetëm Tiranë dhe Durrësi apo zonat urbane. Në mjaft drejtime janë jashtë vëmendjes zonat periferike. Ne ende nuk kemi dalë në tregun rajonal, jo më të pretendojmë të dalim në tregun evropian.
” Media” nis përzgjedhjen e anëtarëve të KDRTSH-së
Komisioni i Medias dhe i Arsimit nisi dje punën për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Radiotelevizionit Shqiptar. Nënkryetari i këtij komisioni, Alfred Peza, tha në mbledhjen e djeshme se mazhoranca do te shqyrtoje te 57 kandidaturat dhe do te përzgjedhë pesë prej tyre, duke i lënë pesë vende vakante për opozitën, e cila vazhdon bojkotin. Kështu Komisioni do të vijojë me shqyrtimin një për një të të gjitha kandidaturave që janë propozuar në Komision. Zgjedhja e Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar do të pasohet me nisjen e procedurës për përzgjedhjen e drejtorit të RTSH-së. Ndërkaq, javën e kaluar Kuvendi shtyu nga rendi i ditës zgjedhjen e kreut të ri të AMA-s, duke mos dhënë shpjegime për këtë veprim, porse, sipas anëtarëve të mazhorancës, kjo u bë për t’i dhënë kohë opozitës për të shprehur qëndrimin e saj.




