Erneta Shevroja
Rama: Nëse s’do ndalim vjedhjet, do rrisim çmimin
Kryeministri: Nuk kemi ardhur këtu të mbretërojmë, as të rrimë për pjesën e mbetur të jetës në karrige, por kemi ardhur këtu për të bërë një detyrë
Qeveria shqiptare nënshkroi dje një marrëveshje me Bankën Botërore për shumën 150 milionë dollarë investime në sektorin energjetik. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama e cilësoi jetike reformën në energjetikë, duke u shprehur se nuk mund të shtyhej më, pasi shtyrja qoftë edhe për një vit do t’i kushtonte shumë ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri bëri të ditur se nëse nuk do të ndërmerrej aksioni për t’i dhënë fund vjedhjes, do të kishte rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ai tha se qeverisja është e vendosur të bëjë zgjedhjet e duhura, pavarësisht nga çmimi politik që mund të pësojë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkaq, drejtorja Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, Ellen Goldstein, e quajti zgjidhje të duhur heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 kilovatë, pasi, sipas saj, ajo është abuzive.
Reforma, jetike
I vetëdijshëm se jo të gjithë e kanë pritur mirë aksionin për t’i dhënë fund vjedhjes së energjisë, dje Kryeministri Rama e përqendroi fjalën e tij tek pasojat pozitive që do të sjellë reforma dhe fakti që ajo nuk mund të shtyhej më. Ai, në fjalën e rastit të nënshkrimit të marrëveshjes me BB, tha se qeveria ka pasur dy alternativa: rritjen e çmimit ose të hiqej fasha. “Zgjedhja ishte, – u shpreh Rama, – heqja e fashës”. Gjithashtu, ai shtoi se në rast se nuk do t’i jepej fund, nuk do të kishte marrëveshje me BB dhe zgjedhja e vetme do të ishte rritja edhe një herë e çmimit të energjisë elektrike.
“Kemi pasur dy alternativa: Të rrisim çmimin në mënyrë uniforme për të gjithë ose të heqim fashën 300 kilovatë që u vu për të mbrojtur të varfrit dhe u bë mburoja e abuzuesve. Konsultat ishin intensive me BB, dhe zgjodhëm heqjen e fashës. Por ama ka një kusht, të gjithë duhet të kuptojmë se heqja e fashës do të na mjaftojë nëse do t’i japim fund vjedhjeve dhe nëse paralelisht do të ecim shpejt me implementimin e paketës financiare që u firmos sot, në të kundër do të jetë e pamjaftueshme. Thirrja ime: Nëse duam të mos kemi përpara më nevojë për të bërë zgjidhje shumë më të dhimbshme duhet sot t’i dalim për zot vendit, ligjit, dhe sensit të barazisë para ligjit në pagesën e çdo fature të energjisë elektrike”, – tha Rama.
“Reforma në energji është një reformë jetike, e shtyrë në kohë nga qeveritë paraardhëse njësoj si zinxhiri i reformave modernizuese, mungesa e të cilave ka bërë që në vend që Shqipëria të lërë pas tranzicionin dhe kapërcejë në kohë problemet, të shtyjë zgjidhjen e tyre duke ua lënë pasardhësve në qeveri dhe gjeneratë. Një reformë e vonuar është një reformë e dhimbshme dhe sa më shumë vonohet aq më shumë shtohen dhimbjet. Por dua t’i siguroj se dhimbjet e kësaj reformë që kemi ndërmarrë nuk janë asgjë në krahasim me dhimbjet që gjithsecili do të kishte në rast se kjo reformë do të shtyhej qoftë dhe për një vit”, – tha Kryeministri.
Kreu i qeverisë deklaroi se afati për të arritur në një rezultat pozitiv është 5 vjet. “Kjo është periudha kohore, – tha Rama, – brenda së cilës sektori i energjisë do të duhet të kthehet nga një fushë me humbje të mëdha, në një sektorë që do të sjellë fitime. Plani ynë është shumë i qartë. Objektivi afatgjatë është që në 5 vjet ta kthejmë energjinë nga një telash i madh në një burim fitimi. Të kthejmë kompaninë nga një gërmadhë në një kompani fitimprurëse, duke bërë që energjia të jetë burim real rritje ekonomike për vendin tonë”.
Akuzat e opozitës
Shefi i qeverisë reagoi edhe ndaj akuzave të opozitës. E djathta e ka akuzuar qeverinë se me hapat që ndërmerr po varfëron më shumë shoqërinë shqiptare. Rama u kundërpërgjigj duke thënë se shtresat më të varfra janë paguesit më të rregullt të faturave të energjisë. “E, ndërkohë, të gjithë atyre që flasin në emër të të varfërve, unë u them se ndër personat me aftësi të kufizuara, që janë pjesa më vulnerabël e shoqërisë, faturimi është 93%. 93% është niveli më i lartë i faturimit i të gjitha kategorive shoqërore, përveç pensionistëve kryefamiljarë që janë më të dobëtit, që janë afro 100%. Pra, dy kategoritë më të varfra, jo vetëm që nuk ngrenë zërin, për të thënë që ne duam ta vjedhim energjinë, se kjo nuk është vjedhje, por është e drejtë e njeriut, janë kontributorët më të rregullt në sistem. Prandaj do t’u lutesha të gjithë të tjerëve, që të mos flasin në emrin e tyre”, – tha Rama.
Zgjedhjet e duhura
Kryeministri Rama u shpreh se qeveria e tij nuk ka ardhur për të mbretëruar, por për të bërë zgjedhjet e dukura pavarësisht nga çmimi politik. “Ne jemi këtu për të bërë zgjedhjet e duhura, me çdo çmim politik. Në rast se zgjedhja është të rrimë më gjatë në pushtet, duke e zgjatur zinxhirin e problemeve, apo të rrimë më shkurt në pushtet, duke e këputur zinxhirin e problemeve, ne nuk kemi asnjë dileme që i përkasim me mish e me shpirt, të dytës. Nuk kemi ardhur këtu të mbretërojmë, as të rrimë për pjesën e mbetur të jetës në karrige, por kemi ardhur këtu, për të bërë një detyre”, – tha shefi i qeverisë.
Fasha mbrojtëse
Drejtorja Rajonale për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, Ellen Goldstein, shprehur mbështetje për masat e qeverisë, ndërsa heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 kilovatësh e quajti një hapet që duhej të ndërmerrej. “Si mund të jetë ky sektor i qëndrueshëm, nëse gjysma e energji vidhet, nëse institucionet publike nuk paguajnë energjinë e tyre? Më inkurajojnë të gjitha masat që janë marrë për t’i dhënë fund abuzimeve në këtë sistem. Fasha 300 kilovatë ka qenë gjithmonë një element që ka gjeneruar abuzime dhe heqja e saj është e domosdoshme, në mënyrë që të sigurohet edhe aksesi në sektorin energjetik, nga të varfrit dhe ata që janë me mungesa të burimeve”, – u shpreh drejtorja e BB.
Ku do të shkojnë 150 mln USD
Paketa për të cilën nënshkruan qeveria dhe Banka Botërore është në shumën prej 150 milionë dollar për financimin e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë. Shuma e paketës ndahet në 4 komponentë.
Komponenti i parë prej 30 milionë USD mbështet KESH-in për plotësimin e nevojave për energji elektrike.
Komponenti i dytë prej 93 milionë USD shkon si mbështetje për OSHEE, për zvogëlimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve, rritjen e sigurisë së furnizimit të energjisë nëpërmjet blerjes dhe instalimit të pajisjeve e komponentëve të sistemit të shpërndarjes, financimit për kryerjen e investimeve në nivele të ndryshme tensioni dhe pajisjes së tyre me sistemin përkatës të matjes, instalimin me matës te konsumatorëve të cilët nuk janë të pajisur me to, si dhe përgatitjes dhe përdorimin e një sistemi të përmirësuar të faturimit dhe arkëtimit, duke ofruar edhe trajnimet përkatëse për stafin zbatues.
Komponenti i tretë në vlerën 20 milionë USD do të mbështesë në rritjen e kapacitetit të OST-së, nëpërmjet pajisjen me matëse të energjisë dhe përmirësimin e qendrës së të dhënave, si dhe furnizimin dhe instalimin e një sistemi IT për qendrën e të dhënave të OST.
Komponenti i katërt në vlerën 7 milionë USD shkon për zbatimin e projektit dhe mbështetje për reformat në sektorin energjetik, duke lehtësuar rimëkëmbjen e sektorit, përmirësuar menaxhimin e shoqërisë së shpërndarjes dhe ofrimin e shërbimeve teknike këshilluese. Data e mbylljes së Projektit është parashikuar 1 Gusht 2019.




