Anija që ka arritur të fluturojë

The_Flying_Dutchman_by_Charles_Temple_DixDeti, me oqeanet e paana, vështirë për t`u zbuluar për shumë shekuj, e provokonte gjithnjë njeriun drejt misterit. Kështu, dhjetëra mite dhe mistere u lidhën me detin dhe detarët shpeshherë tregonin histori me bisha, qenie mitike apo akoma edhe fenomene misterioze, që fshiheshin në gjithësinë e detit e që shpeshherë kërcënonin edhe me vdekje trimat që tregonin kurajon për ta përshkuar. Një ndër historitë më të famshme të detarëve është ajo e holandezit fluturues, një kapedani të nëmur që të mos gjejë kurrë qetësi në shpirtin e tij, por të udhëtojë ndër shekuj për të shpërndarë vdekjen në çdo anije që ka fatkeqësinë ta takojë. Ndër shekuj, nuk janë të paktë ata detarë që pretendojnë se e kanë parë me sytë e tyre anijen e nëmur të holandezit fluturues.

 

Miti

Dikur, në vitet e shkuara, thonë detarët, një anije me kapiten holandezin Van der Deken që bënte një udhëtim rreth Kepit të Shpresës së Mirë, në Afrikën e Jugut, ra pre e një stuhie të tmerrshme. Kapiteni nuk u tregua i kujdesshëm ndaj rrezikut vdekjeprurës dhe nuk iu shmang stuhisë, pavarësisht se personat e tjerë në bord e lusnin që të largohej. Tentativa e ekuipazhit për të marrë kontrollin e anijes nga duart e kapitenit nuk dha rezultat, pasi ai e hodhi në det kryesuesin e kundërshtarëve të tij, duke rimarrë kontrollin e anijes dhe duke iu drejtuar sërish me buzëqeshje stuhisë.  Atëherë, sipas mitit, të gjithë personat mbi bord, duke mos pasur as varka shpëtimi, filluan t`I luteshin Zotit për të shpëtuar. Përgjigja ndaj lutjeve të tyre nuk vonoi dhe u dëgjua një zë, që i drejtohej Van der Dekenit, duke i thënë se dënimi për vuajtjen e njerëzve dhe blasfemive të tij do të ishte që të lëvizte përgjatë shekujve me anijen në oqeane, brenda një stuhie të përjetshme; hekur i kuq dhe i djegur do të ishte ushqimi i tij dhe pështymë pija e tij; ndërkohë, anijet që do të gjendeshin në rrugën e tij, do të vuanin vdekje, çka do të thotë se do të shmangeshin të gjithë. Pas këtij dënimi, drita e shfaqur u zhduk dhe bashkë me të u zhdukën edhe pasagjerët dhe ekuipazhi, duke e lënë kapitenin vetëm me një prej anëtarëve të ekuipazhit, në stuhinë e përjetshme.

 

E vërtetë?

Kjo është me pak fjalë versioni kryesor dhe më i njohur i mitit të holandezit fluturues, që duhet theksuar se nuk ka të bëjë me anijen, por me vetë kapitenin. Në këtë pikë kushdo mund të pyesë veten: A ka të bëjë me një histori të vërtetë ky mit? Në çdo rast, mitet nuk shuhen, por shndërrohen sipas kulturës së shoqërisë ku tregohen dhe ky mit duhet të ketë prejardhjen nga antikiteti, sipas shkencëtarëve. Mund të jetë e bazuar në një rast real, por të gjithë sa janë marrë me këtë temë, nuk bien dakord se cila është kjo ngjarje dhe kur ndodhi. Gjithsesi, këto histori, nëse bazohen në një ndodhi reale, nuk mund të kenë qenë kaq jorealiste. Për shembull, në shumë raste anijet kanë humbur, pasi ekuipazhi i ka braktisur duke menduar se do të mbyten, duke i lënë të lira në oqeane… vite më vonë ato janë gjetur mbi ujë, duke udhëtuar vetëm, e duke i bërë kapitenët e anijeve të tjera të fantazojnë histori nga më të ndryshme. Rasti më i interesant ndër to ndoshta është anija “Malborough” që u zhduk gjatë një udhëtimi nga Anglia në Australi në vitin 1890 dhe u zbulua 23 vjet më vonë, jashtë brigjeve të Kilit.

 

Dëshmitë

Në të gjithë këtë famë që mori miti i holandezit fluturues, ndikuan shumë rrëfimet e detarëve që kishin takuar një anije-fantazmë. Rrëfimi më i vjetër i përket vitit 1702 dhe ndodhet në Magnalia Christi Americana, një histori kishtare e Anglisë së Re, libër i shkrimtarit dhe pastorit të njohur Koton Mather. Por, edhe ky rast, ashtu si edhe rastet e tjera që janë rrëfyer prej asaj kohe, nuk përmbajnë asnjë fakt dhe mund të jenë vetëm thjesht një pjellë e imagjinatës së detarëve.  Holandezi fluturues nuk është rasti i vetëm i një anije fantazmë, pasi në vitin 1949 u llogarit se ekzistonin më shumë se 100 raportime të faktuara për anije me fantazma në bregun veriperëndimor të SHBA-ve. Një tjetër “shfaqje” e holandezit fluturues është ajo e rrëfyer nga princi i atëhershëm i Uellsit e më pas Mbret i Britanisë së Madhe, Xhorxhi V dhe vëllait të tij, dukës së Klarensit, princit Albert. Ky rast është shënuar në ditarin e anijes “HMS Baccanate” dhe vjen nga libri “Udhëtimi i anijes së madhërisë së saj Baccanate”, në të cilën përshkruhet historia e jetës së princave mbi këtë anije dhe është shkruar nga John Dalton, i cili u bazua mbi ditarin e anijes. Aty përshkruhet se “më 11 qershor 1881 në orën 4 pasdite, holandezi fluturues kaloi hajliazi me trupin e anijes. Një dritë e çuditshme e kuqe nga një anije-fantazmë e ndriçuar, që binte në sy nga madhësia e saj, i drejtohej anijes. Vrojtësi deklaroi se anija kaloi ngjitur me Baccanate, ashtu sikurse deklaroi edhe oficeri që ndodhej në urën e anijes, por detari që u dërgua për të parë se ku po shkonte anija, kur shkoi në anën tjetër të saj, deklaroi se nuk kishte parë asnjë gjurmë të anijes-fantazmë, as afër e as larg në horizonte. Trembëdhjetë persona e kanë parë anijen, por mbetet ende mister nëse ishte Van Deken, holandezi fluturues.

 

Share it :