Sonila Mesareja
Akuza: Përpiluan procesverbale fiktive për ndërprerjen e energjisë elektrike për bizneset private
Operacioni kundër lidhje të paligjshme të energjisë, ku të përfshirë dyshohet të jenë jo vetëm individë apo subjekte, por edhe punonjës të OSHEE ka vijuar dje në disa rrethe të vendit. Qysh në orët e para të mëngjesit, policia e Korçës ka vënë në pranga pesë elektricistë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në kuadër të operacionit kundër lidhjeve të paligjshme që po zhvillohet në këtë rreth. Sipas burimeve policore, elektriçistët mësohet se kanë përpiluar procesverbale fiktive për ndërprerjen e energjisë elektrike për bizneset private në qytetin e Korçës e Devollit, ndërkohë që këta punonjës nuk kanë bërë ndërprerjen reale të energjisë elektrike. Po sipas të njëjtave burime, të arrestuarit janë Xhemal Cenolli 51 vjeç, Refik Fero, 64 vjeç, Çlirim Pilinci, 37 vjeç, Miri Seidolli 43 vjeç dhe Edmond Mullalli 32 vjeç. Ndërkohë që nga gjykata e Korçës është lënë dje në burg pronari i një dhome frigoriferike. Sipas burimeve nga ky qytet, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Arif Halimin, pronar i një dhome frigoriferike në fshatin Belorta, i cili akuzohet vjedhje të energjisë elektrike.
Fier
Gjykatat kanë vijuar normalisht edhe dje shqyrtimin e kërkesave të sjella nga Prokuroria për personat e arrestuar për veprën penale vjedhje të energjisë. Kështu, dje, edhe në Gjykatën e Fierit janë ulur në bankën e të akuzuarve 6 persona për vjedhje të energjisë elektrike. Për pesë prej të akuzuarve gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa njëri prej tyre mori vetëm “detyrim paraqitje” për shkak të problemeve shëndetësore. Sakaq, aksioni i OSHEE-së në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë, ka vijuar pa ndërprerje në të gjitha qytetet e vendit.
Tiranë
Gjykata e Tiranës ka caktuar dje masën “detyrim paraqitje” për ish-drejtorin e Qytetit Studenti, Bujar Brovina, i akuzuar për lidhje të paligjshme të energjisë dhe i arrestuar tri ditë më parë. Nga burime pranë gjykatës mësohet se e njëjta masë e caktuar nga gjykata është kërkuar edhe nga Prokuroria në kërkesën e saj. Brovina u arrestua këtë të enjte, pasi akuzohet se iu gjetën tre lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në vilën e tij 3-katëshe. Grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Policia e Shtetit bënë me dije se evidentuan lidhjet e jashtëligjshme në banesën e Brovinës në Qytet Studenti, i cili njëherësh ka qenë për 8 vite drejtor i Qytet Studentit.




