“Agjencia Kombëtare e Provimeve bën të ditur se provimet i shtetit për këto profesione të rregulluara do të zhvillohen brenda periudhës kohore: java e tretë e nëntorit deri në javën e katërt të dhjetorit 2014”
Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor do të zhvillohet provimi i shtetit për të gjitha profesionet e lira si dhe për mësuesit. “Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionet e rregulluara të mësuesit, mjekut, farmacistit, stomatologut, infermierit, mamisë, fizioterapistit, logopedistit, teknikut të imazherisë dhe teknikut të laboratorit, Agjencia Kombëtare e Provimeve bën të ditur se provimet i shtetit për këto profesione të rregulluara do të zhvillohen brenda periudhës kohore: java e tretë e nëntorit deri në javën e katërt të dhjetorit 2014. Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Kandidati duhet të paraqitet në AKP 40 min. para fillimit të provimit të shtetit”, – thuhet në një njoftim të AKP-së. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim për pjesëmarrje në provimin e shtetit, kopje të kartës ID ose pasaportë si dhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP-së në një bankë të nivelit të dytë. N ë rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.
Rregullat
Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme: ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi, ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
Provimi
Pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Ato synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin përkatës. Pyetjet e provimit të shtetit janë me alternativa. Vetem një nga alternativat është përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar. Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat ndryshon ngjyrën e kuadratit. Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat pastaj ta konfirmoj atë. Pas dhënies së përgjigjes, në monitor shfaqet njoftimi “Zgjidhni pyetje tjeter!”. Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit. Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara. Kur koha e provimit përfundon automatikisht printohet një dokument vërtetimi, me foto, shoqëruar me informacioni e sipërpërmendur.
Vlerësimi
Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm), nëse merr 95-100% të pikëve;
Kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë), nëse 85-94% të pikëve;
Kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë), nëse merr 75-84% të pikëve;
Kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm), nëse merr 65-74% të pikëve;
Kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm), nëse merr 55-64% të pikëve;
Kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm), nëse merr 50-54% të pikëve;
Kandidati vlerësohet me notën 4 (jokalueshëm), nëse merr më pak se 50% të pikëve.
Pas vendimit të qeverisë/ Kriteret e pranimit për master, universitetet nisin aplikimet
Kriteret e pranimit në ciklin master do të vendosen nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Vendimi i Këshillit të Ministrave është në përputhje me atë që parashikon ligji i arsimit të lartë, pasi ai i mëparshmi që përcaktonte si kriter pranimi notën mesatare mbi gjashtë binte në kundërshtim me të. Kështu u shpreh dekani i Historisë dhe i Filologjisë, Shezai Rrokaj, i cili thotë se deri tani në Fakultetin që ai drejton pranohen dosjet e të gjithë aplikantëve që duan të ndjekin një master. “Vendimi i parë i KM që përcaktonte kritere për pranimet në universitet ishte në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë. Vendimi i dytë i KM është plotësisht në rezonancë me ligjin e arsimit të lartë, sipas të cilit kriteret për pranimet në shkollat e larta i përcaktojnë vetë IAL-të. Ne që në fillim kemi zbatuar ligjin e arsimit të lartë, i kemi pranuar dosjet që të gjitha pa refuzuar mesataret e shkollës së mesme, apo dhe të shkollës së lartë”, – tha Shezai Rrokaj, dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Aplikimet për ciklin master duhet të ishin mbyllur por me ndryshimin e vendimeve ky proces është shtyrë pa një afat të caktuar. Nota mesatare dhe studentët që kanë mbaruar në këtë institucion do të jenë prioritet për pranimet në këtë cikël. “Prurjet që vijnë për të ndjekur degë të caktuara janë nga degë homologe, që janë të njëjta, po dhe degë të përafërta. Për degët e përafërta natyrisht mesatarja është më e lartë”, – tha Rrokaj. Ndërkaq, dy ditë më parë, qeveria mori vendim edhe për studentët, që ndiqnin studimet në institucionet private të arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca. Janë rritur sërish kuotat e pranimit për këta studentë në universitetet publike ku për vitin akademik 2014 – 2015, numri shkon në 2800 kuota për ciklin e pare të studimeve.
Skandali i librave/ Tekstet shkollore, Ministria e Arsimit: Do të rishikohet procedura
Pas debateve dhe diskutimeve për përmbajtjet e papërshtatshme të teksteve shkollore, Ministria e Arsimit ka vendosur që të rishikojë dhe të bëjë transparente mënyrën se si do të përzgjidhen këto tekste. “MAS shpreh angazhimin e plotë për rishikimin e të gjitha procedurave dhe mekanizmave për të bërë këtë proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës. Që në hapat e para të këtij procesi, MAS është kujdesur të mbrojë procesin nga çdo ndërhyrje, si nga administrata ashtu dhe nga politika”, – tha këshilltari i Medias dhe Komunikimit në MAS. Ministrja e Arsimit ka vendosur që fondi prej 35 milionë lekë, i parashikuar për pasurimin e bibliotekave të shkollave të kalojë si fond për investim në infrastrukturën shkollore. “Ministrja e Arsimit falënderon veçanërisht bordet e ekspertëve të zgjedhur për të ndjekur procesin, por nga ana tjetër, duke konstatuar mungesën e dakordësisë në subjektet e tjera të përfshira në këtë proces, të cilat me keqinformim tentuan të ndikojnë në opinion publik, ministrja e Arsimit vendosi që fondi prej 35 milionë lekë i parashikuar për pasurimin e bibliotekave të shkollave, të alokohet në fondin për investim në infrastrukturën shkollore dhe veçanërisht, për rikonstruktimin e atyre shkollave që janë në vështirësi”, – tha Gjergji Hamiti. Ky institucion do të inspektojë bibliotekat, për të parë se mbi ç’kritere janë alokuar fondet për to. Gjithashtu, Ministria fton autorët dhe shtëpitë botuese në një diskutim publik se si të pasurohen bibliotekat e shkollave.




