Dekretet për Gjykatën e Lartë/ Mazhorancës i rrjedhin votat, “humb” 7 deputetë, mes tyre 5 të LSI-së

Gëzim Saliu

 Miratohen anëtarët e rinj të KLD-së, Albana Shtylla merr 2 vota kundër, Vangjel Kosta nuk votohet nga 7 deputetë të majtë

 grupi i partise socialiste ps ne parlament pa gjitheprfshireseopozitenMazhoranca rrëzoi dje për të tretën herë dekretet e Presidentit Nishani për anëtarët e Gjykatës së Lartë, përmes një votimi ku të majtëve u rrodhën jo pak vota. “Krisja” e shumicës ishte paralajmëruar më parë nga deputeti Spartak Braho, që kishte bërë të ditur votën pro në komision për kandidaturën e Sokol Ngresit, por ndërkaq në votimin e djeshëm në Parlament së bashku me të janë bashkuar edhe 6 ligjvënës të tjerë. Në krah të Brahos, u rreshtuan edhe deputetët të tjerë të kësaj force, Luan Rama, Shkëlqim Selami, Bujar Kllogjeri dhe Luan Duzha. Ndërkaq, dy votat e tjera pro për kandidaturën e Ngresit erdhën nga ligjvënësi socialist Armando Subashi si edhe nga deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi. Ndërkaq me 67 vota e siguruara, mazhoranca arriti të rrëzonte kandidaturën e Ngresit. Po ashtu edhe për kandidaturën e dytë të Presidentit, Elona Stavri nuk munguan votat pro të mazhorancës të përfaqësuara nga Spartak Braho, Shkëlqim Selami dhe Aqif Rakipi. Në këtë rast Luan Rama dhe Bujar Kllogjeri abstenuan, ashtu si edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili votoi në të njejtën formë për kandidaturën e Ngresit. Për Stavrin u shënuan 73 vota kundër, gjë që solli rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit.

 

Votimi

Para nisjes të votimit të hapur nominal, Kryeministri Rama i tërhoqi vëmendjen Spartak Brahos, i cili ishte ulur në fund të sallës së Kuvendit, duke i bërë me shenjë me buzëqeshje se do të votohej kandidatura që ai mbështeste. Nga larg, Braho ritheksoi pa mikrofon se do të vazhdonte të mbante të njëjtin qëndrim. Ndërsa deputetët Armando Subashi dhe Vangjel Tavo u vendosën në komisionin numërues të votave dhe nisën të thërrisnin deputetët me radhë për të dhënë verdiktin për dekretet e Presidentit, në grupin parlamentar të LSI-së nuk munguan surprizat. 5 deputetë të kësaj forcë, ndryshe nga sa ishte shprehur më parë kryetari Meta për domosdoshmërinë e kritereve shtesë, votuan pro kandidaturës së Sokol Ngresit. Vetë LSI nuk ishte përgatitur për këtë rrjedhje, pas kreu i grupit Petrit Vasili dhe deputetët e tjerë, duke përfshirë dhe Kryemadhin votuan kundër dy kandidaturave. Në diskutimin në fund të sallës së seancës parlamentare, ku ishin mbledhur deputetë Braho, Luan Rama, Aqif Rakipi, Petrit Vasili edhe Monika Kryemadhi nuk munguan batutat. Rama duke iu drejtua deputetit Gledian Rahovica i kërkoi “llogari” se pse nuk e votoi kandidaturën e Ngresit në kohën kur ai ishte deputet i Beratit dhe duhej ta mbështeste atë. Ndërkaq deputetët e tjerë të grupit parlamentar që votuan kundër në diskutimin me “rebelët” Braho e Rama thanë se kishin votuar sipas verdiktit të kryetarit të grupit Vasili. Ndërkohë, surprizë ishte edhe votimi nga ana e socialistit Armando Subashi të kandidaturës së Ngresit.

 

Anëtarët e KLD-së

Po ashtu, në seancën e djeshme, Parlamenti votoi edhe dy anëtarët e rinj të KLD-së, ku dhe një herë shumica humbi vota. Kështu kandidatura e Albana Shtyllës u kundërshtua nga dy deputetë të shumicës, ndërsa ajo e Vangjel Kostës, mori 7 vota kundër dhe vetëm 1 abstenim. Në të dy rastet, pro propozimeve të së majtës votuan 77 deputetë. Pas këtij votimi Presidenti do të duhet të zgjedhë mes Shtyllës, Kostës dhe Çomos për emrin e ri të nënkryetarit të KLD-së. Ndërkaq Kuvendi i hapi rrugë edhe nisjes së procedurës për dy anëtarët të Këshillit Mbikëqyrës së BSH, si dhe miratoi Eduard Ypin si anëtar të Komisionit të Konkurrencës.

 

Votimi për dekretet e Presidentit

 Votimi për Sokol Ngresin – Votuan 75 deputetë, 67 kundër, 7 pro, 1 abstenim

Spartak Braho – pro

Aqif Rakipi – pro

Shkelqim Selami – pro

Luan Duzha – pro

Bujar Kllogjeri – pro

Luan Rama – pro

Armando Subashi – pro

Vangjel Dule – abstenim

 

Elona Stavri – Votuan 79 deputetë, 73 kundër, 3 pro, 3 abstenim

Spartak Braho – pro

Shkwlqim Selami – pro

Aqif Rakipi – pro

Luan Rama – abstenim

Bujar Kllogjeri – abstenim

Vangjel Dule – abstenim

 

Votimi në Kuvend

 

Për anëtarët e KLD-së

Albana Shtylla – 77 vota pro, 2 kundër

Vangjel Kosta – 71 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim

 

Anëtarët e Këshillit mbikëqyrës

Projektvendimi “Për procedurën paraprake të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë” – 79 vota pro

 

Për KMSHC-në

Kuvendi zgjodhi fituese kandidaten Pranvera Stakosha – 73 vota pro, 4 kundër dhe 2 abstenim

Arbana Basha- 8 vota pro, 86 kundër dhe 3 abstenim

 

Përbërja e Komisionit hetimor për emërimet në administratë – u votua me 77 vota pro dhe në përbërje të tij janë: Taulant Balla nënkryetar, Evis Kushi, Majlinda Bufi, Ulsi Manja, Bujar Derveni.

 

Përbërja e Komisionit hetimor për tatimet – u votua me 76 vota pro dhe në përbërje të tij janë: Blendi Klosi nënkryetar, Vasilika Hysi, Blerina Gjylameti, Ervin Koci, Ervin Bushati, Përparim Spahiu

 

Share it :