Sonila Mesareja
Gjykata: Gjatë kryerjes së dënimit, i pandehuri Eno Eshi nuk do përfitojë asnjë nga lehtësirat që ligji parashikon, si ulje dënimi, leje, etj
Dhuna barbare, kërcënimi me therje dhe abuzim seksual me të miturën brenda në banesë, në një fshat të Selanikut në Greqi
Abuzimi seksual me mbesën e tij vetëm 13 vjeçe do t’i kushtojë 35 vite të jetës së tij një 35-vjeçari nga Elbasani. Kaq ka qenë edhe masa e dënimit e kërkuar një seancë më parë nga akuza e këtij qyteti për 35-vjeçarin Eno Eshi, i cili akuzohet për kryerje të “Marrëdhënieve seksuale me të mitur”, në dëm të mbesës së tij 13 vjeçe në momentin e kryerjes së krimit. Gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar dhe, në bazë të ligjit, të pandehurit i ulet 1/3 e dënimit. Megjithatë, gjykata ka vendosur që, i pandehuri, gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit, të mos përfitojë asnjë nga lehtësirat që parashikon ligji (leje, ulje dënimi, etj). Ngjarja për të cilën akuzohet shtetasi Eno Eshi ka ndodhur në shtator 2013 në fshatin Serres, në Selanik të Greqisë. Sipas hetimit ka rezultuar se i akuzuari ka përfituar nga fakti që ka qenë vetëm me të afërmen e tij të mitur në shtëpi dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, duke e kërcënuar edhe me jetë. Këto fakte janë provuar edhe nga aktet e ekspertimit përkatëse, të realizuara në kuadër të këtij hetimi. Menjëherë pas ngjarjes, familjarët e vajzës kanë bërë kallëzim pranë autoriteteve greke në zonën ku jetojnë. Gjithashtu, një kallëzim i tillë është dorëzuar edhe pranë autoriteteve shqiptare, në qytetin e Elbasanit. I pandehuri, menjëherë pas kryerjes së veprës penale, ka kaluar kufirin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Pas kallëzimit të familjarëve të të miturës në Elbasan, Prokuroria e këtij qyteti ka nxjerrë urdhër-ndalimin, i cili është ekzekutuar një vit më parë, në dt. 1.10.2013. Më pas, urdhëri i ndalimit është konsideruar i ligjshëm nga gjykata dhe dje, Gjykata ka dhënë dënimin maksimal, me 35 vjet, për të akuzuarin e kësaj vepre të rëndë penale.
Akuza
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar dënim maksimal një seancë më parë për Eno Eshin, aq sa dhe vite mban mbi shpinë, plot 35 vjet burg. Në fjalën e saj të fundit, Prokuroria ka renditur dinamikën e ngjarjes së ndodhur, provat që disponon, të cilat janë dërguar me letërporosi nga Greqia. Sipas akuzës, më datë 21.09.2013 rreth orës 16.00 vajza e quajtur K. Ll., e datëlindjes 11.07.2000, e ndodhur vetëm në banesë me familjarin e saj të quajtur Eno Eshi, 35 vjeç, është keqtrajtuar fizikisht nga ky i fundit dhe më pas ndaj saj është ushtruar marrëdhënie seksuale me dhunë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Serres në Selanik të Greqisë. Gjatë ditës së ngjarjes, ka qenë ditë e shtunë, i pandehuri gjatë paradites kishte lëvizur në vende të ndryshme brenda fshatit. Ka të dhëna që gjatë kësaj periudhe ai kishte konsumuar pije alkoolike. Rreth orës 15:00, vajza K. ka qenë duke qëndruar në oborrin e shtëpisë së saj. I pandehuri Eno e ka thirrur të futet brenda në shtëpi. Ajo është futur dhe i pandehuri ka filluar t’i bërtasë me pretekstin se nuk kishte bërë punët e shtëpisë. I pandehuri ka mbyllur dritaret e shtëpisë, ka mbyllur me çelës derën e saj dhe çelësin e ka futur në xhepin e pantallonave të tij dhe ka marrë aparatin celular të vajzës. Ai ka përgatitur terrenin për të kryer veprën kriminale. Më pas, i pandehuri i është afruar vajzës dhe ka filluar të prekë atë në pjesët intime. Aty e ka zhveshur vajzën, është zhveshur edhe vet, dhe duke ushtruar një dhunë të pashoqe fizike, ka kryer marrëdhënie seksuale.
Kërcënimi
Po ashtu, sipas akuzës, i pandehuri gjatë kryerjes së aktit seksual ka mposhtur rezistencën e vajzës nëpërmjet forcës dhe dhunës fizike dhe psikike. Ai ka përfituar nga mosha e mitur e vajzës, karakteristikat fizike, situata befasuese dhe pamundësia e saj për të reaguar me të njëjtat mundësi dhe intensitet fizik ndaj të pandehurit. Këqyrjet e personit konfirmojnë dallimet dhe epërsinë fizike mes të pandehurit dhe viktimës së tij. I pandehuri e ka kërcënuar me vrasje dhe therje me thikë të dëmtuarën si para, gjatë, ashtu edhe pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Ai e ka kanosur atë jo vetëm për të mposhtur rezistencën e saj, por edhe për të siguruar mosreagimin e mëpasshëm të saj ndaj veprës kriminale të kryer. I pandehuri Eno ka shfrytëzuar faktin se ka qenë më parë në burg për të trembur dhe terrorizuar viktimën e tij. Traumat e parikuperueshme psikologjike tek e mitura janë konstatuar nga ekspertimi psikologjik i saj. Vajza i është nënshtruar dhunës fizike gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale, fakt që konfirmohet nga hematomat, mavijosjet dhe dëmtimet e shumta. Provat e marra, si edhe deklarimet e të dëmtuarës marrë në prani të psikologut, konfirmojnë një fakt të tillë. Janë administruar me anë të letërporosisë materialet hetimore të autoriteteve gjyqësore greke për rastin në fjalë, nga të cilat ka rezultuar dhuna seksuale ndaj të miturës, dhe dhuna fizike trupore ndaj saj gjatë kryerjes së veprës penale.
Procesi ndaj Arben Frrokut/ Krimet e Rënda: Nuk gjendet gruaja e Vladit, thirren për të dëshmuar Kuliçaj e Vocaj
Pas dëshmisë së Fatmir Vladit, dëshmitarit të mbrojtur në gjyqin kundër biznesmenit Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, radhën e kishte gruaja e tij për të dhënë versionin e saj të ngjarjes. Mirëpo, Prokuroria për Krime të Rënda nuk po e gjen bashkëshorten e Vladit, ky i fundit i njohur me emrin e koduar Arben Ndoka. Sipas prokurorisë, nuk dihet vendndodhja e saj për të njoftuar që të paraqitet me cilësinë e dëshmitares në procesin gjyqësor ndaj Arben Frrokut. Akuza pretendon se ajo ka qenë bashkë me bashkëshortin në momentin kur kanë parë Frrokun duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, për vazhdimin e procesit, prokuroria thërret me cilësinë e dëshmitarëve në proces ish-drejtuesit e policisë Agron Kuliçaj dhe Tonin Vocaj. Në seancën e së mërkurës pritet që dy ish-zyrtarët e policsë të pyetën për njohjen me Frrokun dhe hetimet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.




