Kosta në spital, Murinjo shqetësohet

Diego Costa galleryShqetëson gjendja e Diego Kostës. Sipas asaj që shkruan “Daily Telegraph” dhe “Sun”, sulmuesi brazilian, i natyralizuar në spanjoll, është shtruar në spitalin e Londrës për shkak të një virusi misterioz. Bëhet fjalë për një problem muskular në ije, por edhe për një problem intestinal për shkak të një virusi që i ka shkaktuar dhembje të forta stomaku. Diego Kosta nuk stërvitet me Çelsin që prej impenjimit të tij të fundit me Spanjën, gjë që shkaktoi polemika mes Hoze Murinjos dhe Visente del Boskes dhe është në dyshim të madh për supersfidën e kësaj fundjave kundër Mançester Junajtid.

 

Xhemaili së shpejti baba

Futbollisti i Gallatasarajit, Blerim Xhemaili, dhe e dashura e tij bukuroshe Erjona Sulejmani janë në pritje për t’u bërë prindër. Lajmi konfirmohet nga vetë Erjona përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”. “Duke shijuar motin dhe në pritje të princit tonë të vogël”, – shkruan bukuroshja duke mos dhënë shumë detaje rreth shtatzënisë së saj.

 

Dron në ndeshjen Siti-Totenhem

Ka plasur dron-mania në futbollin evropian. Pas rastit në ndeshjen Serbi-Shqipëri, e cila shkaktoi irritimin e tifozerisë serbe, edhe në stadiume të tjera janë parë të fluturojnë drone që po sjellin jo pak probleme për forcat e sigurisë. Një burrë 41-vjeçar është arrestuar në Angli, pasi fluturoi një dron mbi “Etihad Stadium” gjatë ndeshjes të Premier Ligës Mançester Siti-Totenhem. I arrestuari e kontrollonte fluturaken nga një supermarket pranë stadiumit.

 

 Robinjo akuzohet për përdhunim

Robinjo bëhet sërish protagonist i kronikave të zeza. Ish-sulmuesi i Milanit, sikurse raportojnë mediat italiane, akuzohet për përdhunim në grup. Ngjarja thuhet se ka ndodhur në janar të 2013-së, me protagoniste një vajzë 18-vjeçare. Me të njëjtën akuzë sulmuesi aktual i Santosit është arrestuar edhe në Angli në vitin 2009, kur ishte pjesë e Mançester Sitit, por më pas u lirua më kusht. Sipas akuzës, vajza braziliane është njohur më Robinjon në një restorant ku ai ndodhej bashkë me bashkëshorten dhe 5 miq të tij. Pamja e 18-vjeçares i ka tërhequr vëmendjen 30-vjeçarit, i cili pasi shoqëroi të shoqen në shtëpi, u kthye për të takuar miqtë e tij. Situata më pas ka degjeneruar në një dhunë seksuale në grup. Në fakt, ky është pretendimi i vajzës që ka bërë denoncim 6 muaj pas ngjarjes. Mbi këtë ndodhi ka shumë dyshime, megjithatë Prokuroria e Milanos ka kërkuar ndalimin e Robinjos, që aktualisht luan në formën e huazimit te Santosi në Brazil. Gjykata thuhet se e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, duke u bazuar në faktin se Robinjo nuk ka precedent penal.

 

 

Share it :