Gëzim Saliu
Propozimi i opozitës, mazhoranca hedh hapin e parë
Ruçi: Opozita në sesionin e kaluar ka folur 30 minuta më shumë se ne, Berisha rekord, 12 orë e 26 minuta, 2 herë më shumë se Rama. Fino voton kundër komisionit për serverin e Tatimeve
Kuvendi miratoi me votat e shumicës ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara më parë nga opozita, për serverin e Tatimeve dhe për emërimet në administratën publike. Ndërkohë që ngritja Komisionit Hetimor për Serverin e Tatimeve u miratua me 72 vota pro dhe një kundër, atë të deputetit Bashkim Fino, ai për administratën mori po kaq vota, por asnjë kundër. Ndërkohë që ndryshimet në rregullore dhe përbërja e komisioneve të tjera parlamentare nuk u votuan në seancën e djeshme dhe u lanë për një kohë të dytë. Sa u përket ndryshimeve për rregulloren, PD ka propozuar që “kur merr fjalën kryeministri, ka të drejtë të bëjë komente menjëherë pas tij kryetari i grupit ose një deputet për të njëjtën kohë sa ajo e Kryeministrit”.
Gramoz Ruçi
Në nisje të seancës, Parlamenti u fokusua tek kërkesat që bëri opozita dy ditë më parë lidhur me kushtet për rikthimin në punimet e Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i kërkoi Kuvendit që të pranojë kërkesat që do të zbusin qëndrimin e opozitës, me qëllim që kjo e fundit të kthehet në Parlament. “Ne i respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndaj të pranojmë që kërkesat e opozitës për komisione hetimore për tatimet dhe për administratën të miratohen sot, kështu që alibia për mosushtrim të së drejtës së opozitës nuk ka asnjë bazë të vërtetë”, – u shpreh Ruçi. Më tej, numri një i grupit parlamentar socialist tha se argumentet e demokratëve lidhur me ndërprerjen e debatit parlamentar nuk qëndrojnë, pasi, sipas tij, hapësirat e opozitës kanë qenë më të mëdha se të mazhorancës së majtë. “Përfaqësuesi i grupit parlamentar të opozitës ka deklaruar se ndërprerja e marrëdhënieve me Parlamentin është asgjësimi i debatit parlamentar nga Rama-Meta, me qëllim ndërprerjen e marrëdhënieve. Lidhur me akuzën e parë se ndërprerja nga asgjësimi. Sesioni i kaluar ku opozita ka zhvilluar 106 orë debat parlamentare gjithsej, në këto 106 orë debat parlamentar, 53 orë e 20 minuta ka folur mazhoranca pjesën tjetër opozita, por 30 minuta më shumë. Së dyti, 12 orë e 40 minuta ka folur deputeti Berisha, 2 orë e gjysmë më shumë se kreu i ekzekutivit ose 12% të kohës së gjithë debatit parlamentar, rekord për tu vendosur në këto kohë të debatit parlamentar. Nuk është dyshja Rama-Meta që ka asgjësuar fjalën e lirë”, – u shpreh Ruçi. Duke u ndalur specifikisht tek kërkesa e PD-së për ndryshimet në rregullore, kryetari i grupit parlamentar socialist tha se të njëjtën kërkesë ka bërë edhe PS kur ishte në opozitë, por nuk iu pranua nga mazhoranca e djathtë e asaj kohe. Në këtë kontekst, Ruçi bëri të ditur se të majtët do të pranojnë propozimin e PD-së, duke theksuar se mazhoranca e majtë nuk do të përsërisë gabimet e shumicës së shkuar. “Opozita ka bërë një propozim, i cili “kur merr fjalën Kryeministri ka të drejtë të bëjë komente menjëherë pas tij kryetari i grupit ose një deputet për të njëjtën kohë sa ajo e Kryeministrit”. Ne në opozitë kishim bërë të njëjtën kërkesë, e cila u ndalua për dy vjet rresht. Por ditën që kemi ardhur në pushtet kemi thënë se mund të bëjmë shumë gabime, por asnjëherë s’do përsërisim gabimet dhe fajet e mazhorancës së djeshme. Atë që kemi kërkuar për vete jemi dakord të vendoset sot”, – deklaroi Ruçi.
Votimi
Ngritja e komisionit hetimor për serverin e Tatimeve – 72 vota pro, 1 kundër – Bashkim Fino
Ngritja e komisionit hetimor për emërimet në administratën publike – 72 vota pro
Kryeministri/ Rama: Të hapur për propozimet për dekriminalizimin e Kuvendit. PD, humoristike me Ristanin
Në përgjigje të propozimit të PD-së për një marrëveshje me mazhorancën që do të mundësonte rikthimin e opozitës në Kuvend, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se të majtët nuk do të përsërisin gabimet e të djathtëve në qeveri. “Gjithçka që na është mohuar neve në opozitë, opozita e sotme e ka pasur, e ka dhe do ta ketë të garantuar prej nesh”, – tha ai në fjalën e tij në Parlament. Por ndërkaq, kreu i qeverisë nuk ngurroi të pohonte se opozita e sotme po bën çdo përpjekje për të zhvlerësuar Parlamentin, për të njollosur integritetin e shumicës, pasi, sipas tij, PD i bazon akuzat e saj në shpifje. “Nëse opozita ka ndonjë ide, plan konkret për sesi mund të qëmtohet në jetën e tjetrit në funksion të integritetit moral të të gjithë përfaqësuesve të popullit në këtë vend, jemi të hapur ti dëgjojmë”, – u shpreh Rama. Për sa i përket kërkesës për inkriminimin e parlamentit, kreu i qeverisë tha se këtu hyn në lojë pjesa komike e opozitës, pasi, sipas tij, zëri që i përfaqëson është një i dënuar për mashtrim e korrupsion. “Zëri më përfaqësues i opozitës në ngritjen e gjithë valës së akuzave në këtë Kuvend është një ish-i burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion. Çfarë duhet të bëjmë pastaj si Kuvend me këtë të burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion që e kemi pjesë të Kuvendit të Shqipërisë”, – tha Rama. Ndërkaq, PD përmes deputetit Ristani, ka sjellë sërish në vëmendje aksionin në Shkodër të ndërmarrë nga policia në kuadër të luftës kundër lëndëve narkotike. “Edi Rama ka ndaluar aksionin e policisë, ka hedhur poshtë punën e gjatë të shërbimeve shqiptare dhe shteteve fqinje, duke mos lejuar arrestimin e kreut të organizatës mafioze. Është Edi Rama, sepse ky imunitet që ka krimi sot, buron nga Kryeministri që ka ngritur sistemin e personave të paprekshëm”, – tha ai.




