Robert Hackman
Hapet në MHK ekspozita fotografike “Bunker Albania” e fotografit që eksploron Lindjen, Robert Hackman, e cila sjell një pamje të bunkerëve të mbetur në Shqipëri. Bunkerët jashtë dhe brenda ambienteve, transformimet në vende kulinarie apo vende banimi, shkatërrimet në vite dhe marrëdhënia e njerëzve me bunkerët. Më poshtë fjala e plotë që paraprin ekspozitën e autorit
Askush nuk e di saktësisht se sa bunkerë u ndërtuan nga regjimi komunist në Shqipëri. Është e pamundur t’i numërosh sot, sepse shumë prej bunkerëve janë shkatërruar, të tjerë janë ricikluar apo ripërdorur. Numrat që përmenden shpesh janë 500.000 e madje deri në 700.000.
Kur mbërrita në Shqipëri në 2001, vendi ende po vuante pasojat ekonomike të falimentimit të skemave piramidale të 1997-ës. Mes kaosit së jetës së përditshme, një element i përhershëm të kujtonte se gjërat dikur ishin krejt ndryshe. Vite më parë shqiptarët qeveriseshin nga një prej diktaturave komuniste më autokratike që bota kish njohur ndonjëherë. Nëpër rrugica, në fusha, buzë rrugëve dukeshin bunkerët, kujtim i ditëve kur Shqipëria ishte e izoluar dhe shqiptarët nuk e njihnin botën e përtej bunkerëve. Lajmet e kontrolluara nga diktatura komuniste u tregonin shqiptarëve se si bota e huaj përpiqej të sulmonte parajsën e tyre komuniste.
Ky vend i vogël në Ballkan që i mbijetoi pushtimeve romake, otomane dhe italiane, u detyrua të sakrifikonte për të ndërtuar mbrojtjen kundër forcave “imperialiste” dhe vendeve komuniste revizioniste qe i kishin devijuar doktrinës marksiste-leniniste. Për këtë arsye u ndërtuan bunkerët gjatë regjimit komunist. Bunkerët nuk u ndërtuan për një ditë. Procesi ishte gradual dhe u desh kohë për të formuluar këtë projekt.
Pas shumë përpjekjesh e grindjesh mes fraksionesh, Partia Komuniste e Shqipërisë u themelua më 8 nëntor 1941 në kryeqytet, në Tiranë. Enver Hoxha u zgjodh Sekretar dhe e mbajti partinë nën kontroll deri në vdekjen e tij në 1985. Në 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtimi gjerman dhe Hoxha mori drejtimin e vendit duke themeluar qeverinë në Tiranë nën tutelazhin jugosllav dhe sovjetik. Me vonë Hoxha i ndërpreu marrëdhëniet me këta dy aleatë të rëndësishëm. Në 1948, ai ndërpreu marrëdhëniet me Jugosllavinë për shkak të frikës së aneksimit të Shqipërisë. Në 1961, kur Hrushovi adoptoi revizionizmin komunist, Hoxha ndërpreu edhe marrëdhëniet me të. Pas pushtimit sovjetik te Çekosllovakisë në 1968, Shqipëria u tërhoq edhe nga Pakti i Varshavës.
I mbetur i izoluar gjatë Luftës së Ftohtë, Hoxha përfitoi nga mbështetja financiare dhe politike e Republikës Popullore të Kinës, që kishte nevojë për mbështetje në Kombet e Bashkuara (ku përfaqësohej nga Republika e Kinës ose Tajvani, të cilin e zëvendësoi në 1971) dhe për një aleat në Evropë. Kjo miqësi përfundoi në 1978 pas një ftohjeje graduale që filloi me vizitën e Presidentit Nixon në Bezhing në 1972 dhe ftesën për Titon për të vizituar Kinën në 1977. Hoxha besonte se sikurse sovjetikët dhe jugosllavët, kinezët po anonin drejt revizionizmit. Krejt i izoluar tanimë, Hoxha i qëndroi deri në fund doktrinës marksiste-leniniste duke mbetur pa asnjë alternativë tjetër veç të përpiqej të ndërtonte një shtet që mbijetonte veç me fuqitë e tij.
Hoxha kishte krijuar kultin e tij të personalitetit dhe e qeveriste Shqipërinë si feudal. Me ndihmën e një rrjeti informatorësh dhe terrori autokratik, ai burgosi dhe vrau kundërshtarë politike dhe shtetas që i rezistuan regjimit të tij. Pa kontakte përtej kufijve, shqiptarët u manipuluan të besojnë se mund të pushtoheshin nga momenti në moment. Fabrika në çdo qytet filluan të ndërtojnë pjesë bunkerësh çdo ditë, çdo vit prej 1976 deri në 1989. Një prej ish-punëtorëve më tregoi se fabrika e tij punonte me tre turne që pjesët e bunkerëve të prodhoheshin pa ndërprerje gjatë gjithë ditës e natës. Secili turn prodhonte pjesë të ndryshme e asnjë prej turneve nuk i dinte detajet e bunkerit që ndërtonin. Një inxhinier më tregoi se ai punonte 10 orë në ditë, çdo ditë për tetë vite për të ndërtuar bunkerët ne terren. Ai besonte në rrezikun e pushtimit të huaj dhe nevojën e ndërtimit të bunkerëve – mendimet e tij qenë të kushtëzuara nga alarmet e herëpashershme ajrore.
Por kërcënimi i pushtimit dikur ishte realitet. Anglezët dhe amerikanët ndërmorën operacione të fshehta per të rrëzuar komunistët, por edhe për t’i dhënë një kundërpërgjigje Stalinit për aneksimin e Evropës Lindore. Shqipëria konsiderohej si një punë e lehtë e megjithatë përpjekjet anglo-amerikane dështuan keqazi sidomos prej përfshirjes së agjentit të dyfishtë Harold ‘Kim’ Filbi. Edhe aneksimi jugosllav ishte i mundshëm pasi Stalini i pat dhënë Titos një miratim të heshtur. Shqipëria ishte e rrethuar plotësisht nga vendet e NATO-s dhe prej komunistëve revizionistë, por kur Hoxha filloi bunkerizimin e vendit në 1976, kërcënimi i pushtimit kishte kaluar tashmë.
Pasuria dhe energjia e shpenzuar në ndërtimin e bunkerëve ishte e jashtëzakonshme për një vend të vogël e të varfër si Shqipëria komuniste. Ky vend do të ishte ndryshe sot nëse kjo pasuri dhe energji do të ishte shpenzuar për të ndërtuar shtëpi e rrugë. I dëgjoj shpesh shqiptarët të thonë se ka aq çimento në një bunker të vogël këmbësorie sa për të ndërtuar një apartament dydhomësh. Është çimento e cilësisë së lartë që veç përmirësohet duke u vjetruar.
Një fermer më tregoi një bunker të tillë, të cilit i kishte thyer një copë të vogël që pengonte rrugëkalimin drejt shtëpisë së tij. Nuk kishte qenë e lehtë. Iu deshën tri ditë dhe ndihma e vëllait të tij për të dëmtuar aq pak bunkerin. Po në tokën e tij, pak më lartë në majë të kodrës ishte edhe një bunker tjetër ku varej një antenë televizori dhe ku kishte haurin e derrave. Si shumica e shqiptarëve, ky fermer e kishte rimarrë pasurinë që me të drejtë i takonte duke i vënë bunkerët në shërbimin e tij. Sot bunkerët i përkasin atyre shqiptarëve që i kanë kthyer në mjedise banimi, kafene, magazina, haure, rezervuare uji, parmak trotuari, ura apo pishina.
Veç një herë u përdorën bunkerët për mbrojtje ndaj shpërthimeve të artilerisë. Në mars 2008, në Gërdec, një fshat i vogël 14 kilometra larg kryeqytetit ku po çmontoheshin mbetje municionesh, ndodhi një nga shpërthimet më të mëdha të pasluftës. Mungesa e masave paraprake të sigurisë çoi në shpërthimin e mbi 400 tonë eksplozivi, shpërthim që u ndje në një distancë prej 100 miljesh. Banorët e këtij fshati të përgjumur u strehuan nëpër bunkerë. Sa ironike që bunkerët e Hoxhës mbrojtën vendasit nga municionet e kohës së komunizmit gati 23 vite pas vdekjes së tij.
Shumica e shqiptarëve i konsiderojnë bunkerët si të padëshiruar, por rrallë si shëmti. Ka pasur aq shumë bunkerë sa u është mësuar syri me ta sikurse londinezët janë mësuar me kabinat e kuqe telefonike apo njujorkezët me taksitë e verdha. Bunkerët janë bërë pjesë e jetës së tyre, ndërthurur në ekzistencën shqiptare. Shembulli më kuptimplotë i vendit që zënë bunkerët.




