Erneta Shevroja
Ministria e Mbrojtjes: Shqipëria nuk është pjesë e forumit të Euro-Azisë, ndaj asnjë përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes apo qeverisë shqiptare nuk ka qenë pjesëmarrës
Qeveria shqiptare dje u akuzua se u përfshi në një skandal ndërkombëtar, ku u pretendua se delegacioni shqiptar braktisi punimet e një samiti në Itali për të luajtur në kazinotë e Sanremos. Bëhet fjalë për samitin euro-aziatik që ka selinë në Milano të Italisë. Këtë fakt fillimisht e bëri të ditur agjencia prestigjioze e lajmeve italiane “Corriere della Sera” dhe më pas u përforcua nga Partia Demokratike në Tiranë.
“Corriere della Sera” në fund të një shkrimi të gjatë kushtuar punimeve të samitit ku kanë marrë pjesë 53 vende përfaqësuese, shkruante se delegacioni shqiptar nuk priti sa të përfundonte punimet samiti, por u largua për në kazinotë e Sanremos. Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes, që sipas PD-së, ishte përfaqësuesja e delegacionit shqiptar, mohoi që Shqipëria të ishet bërë pjesë e punimeve të samitit euro-aziatik. Ajo tha se kjo është një shpifje e agjencisë italiane të lajmeve dhe e Partisë Demokratike. Ajo njoftoi se grupi i saj po përgatit padinë ndaj “Corriere della Sera”-s për shpifje.
Reagimi
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në një reagim ditën e djeshme hodhi poshtë lajmin e shkruar në mediat italiane dhe akuzat që ngriti Partia Demokratike, sipas së cilës qeveria nuk tregon përgjegjësi dhe seriozitet në eventet ndërkombëtare. Kodheli bëri të ditur se Shqipëria nuk është pjesë e forumit.
“Shqipëria nuk është pjesë e Forumit të Euro-Azisë, ndaj asnjë përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes apo qeverisë shqiptare nuk ka qenë pjesëmarrës. Samiti është midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Azisë. Shqipëria nuk është pjesë e atij samiti, nuk ka pasur asnjë delegacion shqiptar atje”, – tha Kodheli.
Ndërkaq, Kodheli reagoi edhe për deklaratat e zyrës së Partisë Demokratike që akuzoi qeverinë për arrogancë. Ministrja Kodheli tha se opozita nuk shikon lajmet e mira, por kapet mbas shpifjeve.
“Ne jemi mësuar me një opozitë të dëshpëruar që kapet pas lajmeve dhe shpifjeve false që, për fat të keq, ndonjëherë edhe ndonjë gazetë si “Corriere della Sera” nxjerr. Për fat të keq, opozita jonë as nuk dëgjon dhe as nuk shikon sa herë ka lajme të mira për shqiptarët dhe Shqipërinë”, – u shpreh ministrja.
PD të mos keqinformojë
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se gjatë gjithë javës së kaluar, Mimi Kodheli ka drejtuar ministerialin e Kartës së Adriatikut, i cili u mbajt në Budva të Malit të Zi, ku ministrja është takuar me disa homologë të vendeve evropiane.
Gjithashtu, zyra e Ministrisë së Mbrojtjes i bëri thirrje Partisë Demokratike të mos keqinformojë opinionin publik. “I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të informohet përpara se të bëjë deklarata qesharake që synojnë jo vetëm të keqinformojnë publikun, por dhe të nxjerrin Shqipërinë si një vend të papërgjegjshëm në forume ndërkombëtare”.
Padi medias italiane
Lajmi fillimisht u bë i ditur nga e përditshmja shumë e njohur “Corriere della Sera” që i kishte përkushtuar një shkrim të gjatë samitit euro-aziatik që u zhvillua në Milano. Sipas agjencisë së lajmeve italiane, në samitin e Milanos, ku marrin pjesë 53 përfaqësues të qeverive të ndryshme, delegacioni shqiptar braktisi punimet e samitit për t’u zbavitur kazinove të Sanremos.
“Një grup i madh i delegacionit shqiptar u largua për në Liguria. Jo për detin, por për kazinotë e Sanremos”, – citohet për delegacionin shqiptar në “Corriere della Sera”.
Por një fakt të tillë ministrja e mohoi, duke deklaruar se tashmë zyra e saj ka nisur procedurat për ngritjen e një padie ndaj medias italiane. “Zyra ime është duke përgatitur padinë për lajmin që “Corriere della Sera” ka nxjerrë”, – tha Kodheli dje.
PD: Braktisja e samitit, papërgjegjshmëri dhe arrogancë e qeverisjes
Ndërkaq, Partia Demokratike nga selia blu e përshkroi si një skandal në “përmasa të paimagjinuara më parë” lajmin që u nxor nga agjencia e lajmeve. Opozita akuzoi mazhorancën se në Samitin e Euro-Azisë delegacioni shqiptar është sjellë i papërgjegjshëm dhe arrogant. “Tirana zyrtare është përfshirë në një skandal me përmasa të padëgjuara më parë. Në samitin e Euro-Azisë që po mbahet në Milano, me pjesëmarrjen e 53 shteteve, delegacioni shqiptar i kryesuar nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ka braktisur punimet për të shkuar në kazinotë e Sanremos”, – bëri të ditur selia blu. “Lajmi është publikuar në mediat italiane më prestigjioze. Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë skandal të rëndë dhe e cilëson sjelljen e delegacionit shqiptar si të papërgjegjshëm”, – deklaroi zëdhënësja e PD-së, Sipas PD-së, ky është skandali i dytë brenda kësaj jave që ka shkaktuar mazhoranca. Opozita akuzon Kyeministrin se nuk tregoi se ku shkoi dhe kë takoi gjatë vizitës në Amerikë, ku Rama mbajti një fjalim në Universitetin e Harvardit. “Mbathja nga punimet e këtij samiti të rëndësishëm për të shkuar në Kazino, tregon arrogancën e qeverisjes së vendit, që nuk ndalet para asnjë lloj etike dhe norme zyrtare. Ky skandal vjen pas zhdukjes një javë të kryeministrit Rama jashtë vendit, ku nuk bëri transparencë, ku nuk tregoi se ku shtoi dhe as kë takoi”, – u shpreh zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebiaj.
Vendet pjesë e ASEM
Ndërkaq, në web-sajtin i posaçëm të samitit euro-aziatik (www.aseminfoboard.org) ku janë pasqyruar 53 vendet që marrin pjesë në këtë samit tregon që Shqipëria nuk ka qenë pjesë e ASEM. Në këtë samit kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe disa përfaqësues të Azisë.
Procesi ASEM (forumi) thekson partneritet të barabartë, favorizon procesin e përgjithshëm të dialogut dhe bashkëpunimit të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe për përfitim në ndërsjellë mes vendeve që janë pjesë të samitit.




