46 universitete publike dhe private/ Viti i ri akademik nis me protesta: Studentët, klientë të universiteteve

141 891 studentë filluan vitin e ri akademik 2014-2015, nga të cilët 15 941 janë studentë të vitit të parë

protest “Mirë se vini të dashur klientë!” Kjo ishte një nga pankartat që mbanin në duar dhjetëra studentë para Universitetit Politeknik të Tiranës, në ditën e parë të viti të ri akademik. Të pyetur nga gazeta, studentët thanë se po protestonin për shitblerjen e diplomave dhe cilësinë e tyre në universitetet private. “Diplomat e universiteteve publike po krahasohen me diplomat e privatëve dhe ky është krimi më i madh që po i bëhet arsimit në vend”, – tha një nga protestuesit. “Janë rritur tarifat e shkollimit për programe të ndryshme studimi, por ka edhe mungesë hapësirash, bibliotekash, laboratorësh, pedagogësh”, – tha një tjetër student. Për vitin akademik 2014-2015 në të 46 universitet në vend do të jenë 141 891 studentë, prej të cilëve 15 941 janë studentë të vitit të pare. Edhe këtë vit studentët do të jenë të detyruar të zhvillojnë mësimin me dy turne. Auditorët do të jenë të hapur deri në orët e mbrëmjes, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Korpusi Universitar, një nga projektet më të mëdha të Universitetit të Tiranës, nuk është miratuar, pavarësisht se projekti është gati. Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, zgjodhi Universitetin e Mjekësisë për të uruar nisjen e vitit të ri akademik. “Arsimi nuk është një ishull i vetmuar që u përket vetëm politikanëve, MAS apo qeverisë, por është një sektor i rëndësishëm që na përket të gjithëve dhe të gjithë duhet të jemi pjesë për të mundësuar reforma, që të kthejmë realisht cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor shqiptar”, – tha Lindita Nikolla.

 

Akreditimi

Ministrja Lindita Nikolla gjithashtu theksoi se pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë u mbyllën ndër të tjera edhe disa filiale të infermierisë dhe jo se nuk duheshin mbështetur studentët që dëshirojnë të studiojnë për infermieri, por sepse këto institucione nuk ofronin cilësinë e duhur për të gjithë ata që nesër do t’u ofrojnë shërbim pacientëve “Shumë shpejt institucionet publike dhe private në vend do të përballen me një moment tjetër që ka të bëjë me procesin e akreditimit. Ju, tashmë, e dini se një Agjenci Britanike, anëtare e ENQA është pjesë e programit tonë për të mbështetur procesin e akreditimit. Cilësia dhe formimi juaj padyshim ka të bëjë me suksesin tuaj nesër në tregun e punës, jo vetëm në Shqipëri po kudo ku ju do zgjidhni të punoni”, – tha Nikolla.

 

Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi dje studentët në ditën e parë të çeljes së vitit akademik 2014-2015. Përmes një postimi në “Facebook”, Basha uroi një vit të mbarë për ata që patën shansin të bëhen pjesë e universiteteve, ndërsa shprehu keqardhje për të tjerët që iu privua e drejta për arsim. “Shpirti i një kombi është universiteti, bota intelektuale dhe akademike e tij. i uroj me respekt një vit të mbarë të gjithë studentëve dhe pedagogëve në fillimin e vitit të ri universitar. Jam pranë të gjithë atyre studentëve që u privuan nga e drejta për arsim. Jam pranë të gjithë studentëve dhe familjarëve që ranë viktima të brutalitetit dhe populizmit në arsim. Jam i sigurt se bota akademike do t’ia dalë përsëri, vendi ka një pritshmëri të madhe ndaj saj. Kam bindjen e thellë se në auditorët e shkollës shqiptare po formësohet sot profili i Shqipërisë moderne, profili i një shoqërie të lirë dhe konkurruese në nivel evropian dhe global!”, – përmendi në mesazhin e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

Akuzat/ PD: Shkollat pa regjistra, tenderi iu dha kompanisë pranë qeverisë

Partia Demokratike ka denoncuar mungesën e regjistrave në shkollat e vendit. Deputetja demokrate, Eleina Qirici, tha se mungesa është e qëllimshme pasi qeveria ia ka dhënë tenderin një kompanie pranë saj. “Qeveria bëri propaganda me arsimin, por në realitet gjendja është dramatike. Ka kaluar një muaj nga fillimi i shkollës dhe asnjë klasë në Shqipëri nuk ka regjistër. Qeveria për interesa të pastra klienteliste ka lënë shkollat tona pa një prej dokumenteve kryesore për mbarëvajtjen e mësimit. Mungesa e regjistrave ka krijuar kaos dhe lidhet me faktin se qeveria ka vendosur t’ia japë prodhimin një shtëpie botuese e afërt me të. Për hir të këtyre interesave klienteliste, prej afër 40 ditësh, asnjë klasë në Shqipëri nuk ka regjistër dhe mësimi zhvillohet pa dokumentimin më kryesor Kjo është mënyra se si e koncepton kjo qeveri arsimin dhe edukimin, si një mundësi në radhë të parë për të pasuruar klientët e saj duke i dhënë ekskluzivitetin e botimit të regjistrave për gjithë vendin Kësaj i shtohet dhe fakti se është menduar që regjistrat që do të prodhojë klienti i Edi Ramës, të shlyhen në çast me para në dorë. Partia Demokratike e denoncon me forcë këtë skandal dhe kërkon nga qeveria të sigurojë menjëherë bazën kryesore materiale për klasat e shkollat tona dhe nxënësit tanë”, – përmendi në një deklaratë për shtyp deputetja e PD-së, Eleina Qirici.

Share it :