Gëzim Saliu
Kryeministri serb mësohet se ka pranuar para ndërkombëtarëve se nuk mund ta priste në situatën aktuale Ramën për shkak të presionit të brendshëm
Shtyhet vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd. Pas një telefonate që kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi dje me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç, mes mosmarrëveshjeve të shumta mes tyre për atë që ndodhi në ndeshjen e 14 tetorit dhe reagimet pas saj, vendosën në dakordësi që vizita të kryhet në datën 10 nëntor. “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, patën këtë pasdite një bisedë telefonike. Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri ishin tejet të padëshiruara. Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve. Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë. Për sa më sipër, dy kryeministrat ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor”, thuhej në njoftimin e zyrës së Kryeministrisë.
Prapaskenat
Sipas burimeve pranë kryeministrisë, telefonata e djeshme mes krerëve të qeverive respektive, e cila zgjati nga ora rreth 30 minuta, prej orës 16:00 deri në 16:30, erdhi me kërkesë të kreut të ekzekutivit serb Vuçiç. Pavarësisht deklarimeve zyrtare të Kryeministrisë, të cilat u munduan të zbusin reagimet për shkak të politikës rajonale, kundërshtitë dhe mosmarrëveshjet mes bashkëbiseduesve kanë qenë të shumta, për ngjarjet që ndodhën në Beograd më 14 tetor dhe reagimet shoqëruese të tyre. Ndërkaq mësohet se ndërhyrja e ndërkombëatrëve ka qenë vendimtare për përcaktimin e datës 10 nëntor si ditën e vizitës së kreut të qeverisë shqiptare në Beograd, ku sigurisht këtu një rol kryesor ka luajtur Uashingtoni dhe kancelarja gjermane Merkel përmes telefonatës së zhvilluar dy ditë më parë me kryeministrin serb. Sipas burimeve, kryeministri serb ka kërkuar nga ndërkombëtarët dhe kancelarja që takimi të shtyhet pa afat, pasi sipas tij presioni i brendshëm në Beograd e bën të pamundur zhvillimin e kësaj vizitë në një kohë të afërt. Ndërkaq faktori ndërkombëtar dhe veçanërisht kancelarja Merkel nuk kanë pranuar që vizita të shtyhet pa asnjë afat, duke kërkuar që të paktën ajo të zhvillohet muajin e ardhshëm. Pas këtyre negocimeve me SHBA, Gjermaninë e partnerët e tjerë të Unionint Evropian, kryeministri serb ka zhvilluar dje pasdite telefonatën me kreun e qeverisë shqiptare, ku kanë rëndë dakord mes tyre që vizita në Beograd e Ramës të zhvillohet në datë 10 nëntor. Ndërkaq vizita paraprake e kryeministrit shqiptar ishte parashikuar të zhvillohej më 22 dhe 23 tetor, por pala serbe duket se i është nështruar pjesërisht presionit të brendshëm, duke shtyrë takimin në Beograd me thuajse një muaj. Po ashtu data e vendosur nga dy kryeministrat ka edhe një tjetër shkak, pasi deri në 10 tetor do të ketë përfunduar edhe gjykimi i plotë i UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëria dhe palët do të jenë të qartë në qëndrime në “përballjen” në Beograd.
Në ndeshjen Partizani- Crvena Zvezda/ MPJ shqiptare dënon djegien e flamurit në Beograd: Huliganizëm, urrejtje patologjike
Ministria e Punëve të Jashtme dënoi dje me forcë aktin e shëmtuar të përdhosjes dhe djegies së flamurit shqiptar në ndeshjen e futbollit Partizani – Crvena Zvezda, të luajtur dy netë më parë në Beograd. “Konstatojmë me keqardhje se huliganizmi i tifozerisë serbe dhe urrejtja patologjike ndaj simboleve shqiptare u shpreh sërish në Beograd në një ndeshje që nuk kishte aspak të bënte me Shqipërinë apo shqiptarët”, thuhej në njoftimin e MPJ-së. Më tej ministria e Jashtme shqiptare u bëri thirrje autoriteteve serbe të vendosin para përgjegjësisë autorët e këtyre akteve dhe klasës politike serbe të ngrihet në lartësinë e duhur dhe të distancohet qartë nga akte të tilla që po marrin përmasa të pamenaxhueshme dhe me pasoja të rënda për të ardhmen dhe stabilitetin e Ballkanit. “Futbolli dhe asnjë sport tjetër nuk duhet të shihen dhe as të fantazmohen si një mënyrë tjetër e të nxiturit konflikte midis kombeve. Organizata më legjitime dhe më përfaqësuese e futbollit evropian, siç është UEFA, duhet të jetë në krye të kësaj përpjekjeje esenciale, për të bërë të mundur bashkëjetesën në këtë botë të globalizuar, konform vokacionit të saj dhe thirrjeve të vazhdueshme që janë bërë dhe i bëhen jo vetëm nga sportistë por edhe nga krerë shtetesh dhe qeverish”, deklaroi MPJ. Gjatë ndeshjes së luajtur dy netë më parë në Beograd u përsëritën sërish aktet e shëmtuara anti-shqiptare ku tifozeria serbe, përveç djegies së flamurit shqiptar shpërtheu në fyerje të rënda ndaj shqiptarëve.




