Sonila Mesareja
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve rrit vigjilencën për monitorimin e praktikave të ndjekura për dhënien e lejeve nga krerët e burgjeve. Kur përfitohen lejet nga të dënuarit
Lejet e dhëna të dënuarve në burgje kanë qenë shpesh në fokus të kritikave të Ministrisë së Drejtësisë për institucionin në varësi, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Për këtë arsye, drejtuesit e burgjeve në vend kanë qenë mjaft të “kursyer” në dhënien e tyre, ndonëse javëve të fundit ka pasur edhe ndonjë drejtues në ka përfunduar në burg me akuzën e abuzimit në dhënien e lejeve për disa personave që nuk duhej të ishin në listën e përfituesve. Nisur nga ky rast, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur të bëjë kontrollet e nevojshme të praktikave të këtyre lejeve të firmosuara nga mjekë e drejtues, me qëllim që rastet mos të përsëriten. Të kontaktuar nga gazeta “standard” lidhur me numrin e përfituesve të lejeve në burgjet shqiptare për një periudhë 1-vjeçare, kjo drejtori na vuri në dispozicion numrin e lejeve të dhëna si shpërblyese, ashtu edhe të veçanta. Sipas burimeve zyrtare nga burgjet, numri i lejeve shpërblyese dhe të veçanta në total për periudhën shtator 2013-shtator 2014 ka qenë 2459. Të ndara sipas kategorive, rezulton që më tepër të jenë dhënë leje shpërblyese, konkretisht 2092 të tilla, ndërsa të veçanta janë dhënë vetëm 367 leje. Por kur drejtoritë e burgjeve duhet t’i japin këto leje, kur të dënuarit janë përfiues të tyre, me qëllim që të shmangen abuzimet dhe rastet korruptive, të cilat shpesh ka qenë e pamundur të evitohen.
Lejet shpërblyese, kur jepen
Në bazë të ligjit, të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe, në total, nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës. Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë, kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën “dh” të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme. Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të Ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Në rast refuzimi, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.
Leje të veçanta
Drejtori i institucionit mund t’u japë të dënuarve leje të veçantë, në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje apo martesa. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet për aq kohë sa e diktojnë rrethanat. Në çdo rast, kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë. Në rast se dhënia e lejes refuzohet nga drejtori i institucionit, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes. Dhënia e lejes së veçantë i komunikohet menjëherë strukturave të Policisë së Shtetit, ku do të qëndrojë i dënuari.
Detyrimet gjatë lejes dhe përgjegjësia për shkeljet
I dënuari është i detyruar të respektojë kohën e lejes, ta kryejë atë në vendin për të cilën i është dhënë, të respektojë të gjitha detyrat dhe kushtëzimet që i janë dhënë dhe të njoftojë institucionin për çdo shmangie të imponuar. Për mos respektimin e rregullave të mësipërme drejtori i institucionit ndërpret lejen, ndërsa për rastet e tejkalimeve në kundërshtim me kriteret e neveve 59 dhe 60 të këtij ligji, kërkohet nisja e procedimit penal sipas nenit 323 të Kodit Penal.
Leja shpërblyese i jepet:
-
a) personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;
-
b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;
-
c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.




