Maturantët që nuk kanë bërë pagesën prej 2000 lekësh, nuk lejohen nga sistemi informatik që të plotësojnë online formularin A3. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për maturantët që rezultojnë mbetës në të paktën njërin prej provimeve të maturës
Kuotat e ngelura bosh në dy fazat e para të konkurrimit do të plotësohen me formularin A3. Janë 2560 vende të lira dhe pritet që të aplikojnë mbi 5000 kandidatë. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar udhëzimin se si duhet të plotësohet formulari A3 online dhe hedhja ne sistem të pikëve mesatare. “Plotësimin në sistem të pikëve mesatare (apo notave mesatare) do ta bëjnë maturantët të cilët gëzojnë të drejtën të plotësojnë formularin A3. Përjashtohen nga ky detyrim ata maturantë të cilët kanë plotësuar formular A2 dhe dëshirojnë të vazhdojnë konkurrimin, meqenëse ata e kanë kryer këtë proces në periudhën kur u aplikua me formularin A2. Plotësimi në sistem i pikëve mesatare do të bëhet pranë shkollave të mesme përkatëse deri në datën 20 tetor 2014 nga përfaqësuesit zyrtarë të këtyre shkollave. DAR/ZA-të të marrin masa për kontrollin e laboratorëve dhe monitorimin e procesi”, – thuhet në një njoftim të AKP-së. “Theksojmë se secili maturant që gëzon të drejtën për plotësimin e formularit A3 dhe që dëshiron të konkurrojë në garën e pranimit në IALP (Institucionet e Arsimit të Lartë Publik) nëpërmjet Parimit Meritë Preferencë në këtë raund, duhet së pari, pranë zyrave të Postës Shqiptare apo Bankave të nivelit të dytë të kryejë pagesën e tarifës së aplikimit të formularit A3 prej 2000 lekësh. Për të bërë të mundur kryerjen e kësaj pagese maturantët duhet të jenë të pajisur me Faturën për Arkëtim të cilën po jua bashkëngjisim”, – theksohet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Mandatpagesa
Me mandatin e pagesës për aplikim të formularit A3 si dhe me dokumentin identifikues (kartë identiteti, pasaportë biometrike ose certifikatë personale me fotografi) maturanti/kandidati paraqitet në shkollën e tij, e dorëzon atë dhe sigurohet që përfaqësuesja e shkollës të hedhë në sistem pikët apo notën mesatare të viteve të gjimnazit. Pas kryerjes së këtij procesi maturanti ka të drejtën dhe mundësinë që të plotësojë online formularin A3 për Maturën Shtetërore 2014, në afatet e përcaktuara dhe publikuara nga MAS dhe AKP. Maturantët që nuk kanë shlyer pagesën përkatëse dhe për rrjedhojë nuk kanë të regjistruara në sistem pikët mesatare nuk lejohen nga sistemi informatik që të plotësojnë online formularin A3. E njëjta gjë do të ndodhë dhe për maturantët që rezultojnë mbetës në të paktën njërin prej provimeve të Maturës Shtetërore.
Plotësimi
Për të kryer aplikimin online kandidatët duhet të shkojnë tek linku: http://matura.akp.gov.al. Te fushat e shfaqura duhet të plotësohen të dhënat e kërkuara duke patur kujdes. Në fushën “Karta e Identitetit” duhet të vendoset numri personal (kliko mbi fjalën shembull dhe do të shfaqet një kartë identiteti ilustruese. Numri personal i kartës, i kornizuar si më poshtë, gjendet në pjesën e poshtme në të djathtë të saj). Pasi të keni plotësuar fushat e kërkuara, duhet bërë kujdes që informacioni të jetë i saktë sepse përdoret për verifikime të mëvonshme. Pas kësaj klikoni te butoni: “Identifikohu”. Nëse të dhënat tuaja nuk janë të sakta do të shfaqet mesazhi “Karta e identitetit nuk është e rregullt”. Kjo do të thotë se për të bërë aplikimin online ju duhet të paraqiteni detyrimisht pranë ambientit që ka caktuar Drejtoria/Zyra Arsimore e rrethit tuaj me dokumentin tuaj personal të identifikimit. Nëse të dhënat tuaja janë të sakta do të vazhdoni procedurat e aplikimit online. Sipas rastit shfaqen dritaret e mëposhtme:
Rasti i pare: Maturanti është shpallur fitues pas aplikimit me formularin A2, dhe është i pa regjistruar, pra nuk ka dorëzuar dokumentet pranë sekretarisë së fakultetit. Ky maturant do të lejohet të vazhdojë garën në raundin e dytë me preferencat e përzgjedhura në formularin A2.
Rasti i dytë: Maturanti është shpallur fitues pas aplikimit me formularin A2, jo në preferencën e parë. Në regjistrimin online ka konfirmuar vazhdimin e garës dhe është i regjistruar me dorëzim dokumentesh pranë sekretarisë së fakultetit. Ky maturant do të lejohet të vazhdojë garën te raundi i dytë me preferencat e përzgjedhura në formularin A2.
Rasti i tretë: Maturanti është shpallur fitues pas aplikimit me formularin A2 në preferencën e parë dhe është regjistruar në këtë program duke kryer dorëzimin e dokumenteve në fakultet. Ky maturant nuk do të lejohet të vazhdojë garën në raundin e dytë.
Rasti i katërt: Fitues pas aplikimit me formularin A2, jo në preferencën e parë, i cili në regjistrimin online ka konfirmuar ndërprerjen e garës duke klikuar butonin: “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar” dhe ndërkohë është i regjistruar me dorëzim dokumentesh pranë sekretarisë së fakultetit. Ky maturant nuk do të lejohet të vazhdojë garën në raundin e dytë.
Rasti i pestë: Nuk ka plotësuar formulari A2 në raundin e parë. Kjo kategori maturantësh duhet të paraqiten në shkollat përkatëse me mandat pagesën prej 2 000 lekësh të bërë në një nga zyrat e Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë ku do të bëhet plotësimi i notës/pikëve mesatare në sistem. Pas kësaj procedure ky maturant do të lejohet të vazhdojë garën në raundin e dytë duke plotësuar formularin A3. Atij do t’i shfaqet dritarja, ku do të përzgjedhë programet e studimit në të cilat do të konkurrojë në të njëjtën mënyrë si tek formulari A2.
Studentët e privatit/ Shtyhet afati i dorëzimit të dosjeve në universitetet publike
Universitetet publike pritet të shpallin javën tjetër listën e studentëve që vijnë nga institucionet private që u mbyllën dhe që do të vazhdojnë arsimin në fakultetet publike. Ministria e Arsimit dhe Sportit në bazë të një udhëzimi ka shtyrë afatin e dorëzimit të dosjeve të këtyre studentëve deri në 22 tetor pranë universiteteve publike, ndërkohë që ka urdhëruar drejtuesit e këtyre të fundit të shpallin listën e studentëve brenda datës 24 tetor, me diplomat që u janë ekuivalentuar. Do të jenë komisionet e vlerësimit pranë fakulteteve publike ato që do të bëjnë vlerësimin e dosjeve të kandidatëve, duke filluar që nga testimet që ata kanë dhënë, kreditet, programet. Në bazë të ekuivalentimit studenti do të renditet edhe në vitin përkatës. Për shumë të rinj që vijnë nga privatët, sipas drejtuesve të universiteteve publike kjo do të jetë penalizuese pasi ata mund të kthehen vite prapa, por nuk është e drejtë që për këta studentë të ndryshohet rregullorja me të cilën janë përballuar të rinjtë që kanë vite që studiojnë në publik. Ndërkohë ka me qindra të tjerë që ende nuk kanë marë dosjet e tyre, listat e notave apo numrin e matrikullimit. Këta të fundit duhet tu drejtohen fakulteteve publike për tu regjistruar në vit të parë, ose gjykatave për të përfituar dëmshpërblimin, për koston e lartë që prej vitesh u ka rënduar xhepat. Studentët nëse do të pranohen nga universitetet publike kanë afat deri në 29 tetor për të bërë regjistrimin dhe 31 tetor për të kryer këtë procedurë në universitetet private.




