Në galerinë kombëtare të arteve është hapur dje ekspozita “Sadik Kaceli- Retrospektivë”.
Ekspozita e kuruar nga Gëzim Qëndro dhe Buron Kaceli përmban vizatime, grafika, piktura të në gjithë teknikat dhe gjinitë tyre të një prej artistëve më të njohur shqiptarë të shekullit të 20, Sadik Kaceli (1914 – 2000). Ajo tregon një përzgjedhje të veprave të Sadik Kacelit duke marrë në shqyrtim një periudhë rreth 70 vjeçare krijimtarie, nga vizatimet e para të tij në fundin e viteve 1920, e deri në fund të viteve 1990. Artan Shabani, Drejtor i GKA bëri një përshkrim të shkurtër të disa fakteve domethënëse të jetës dhe krijimtarisë së artistit Sadik Kaceli.
“Piktori Sadik Kaceli ishte piktor realist. Veprat e tij në pikturë, vizatim dhe grafikë përshkohen gjithmonë nga fryma humaniste. Ato i përkasin një krijimtarie lirike dhe poetika e tyre shpesh herë pasurohet me cilësi romantike. Duke parë me vëmendje këtë ekspozitë është e qartë se kemi të bëjmë më një mjeshtër të vërtetë të pikturës i cili sjell një aromë evropiane, një aromë franceze të asaj që e quajmë “La belle époque”. Çdo vepër përcjell aromën e kohës kur artisti ka pikturuar. Sadik Kaceli është një aristokrat i pikturës shqiptare”, u shpreh ndër të tjera z. Shabani.
I biri i piktorit Sadik Kaceli, njëkohësisht bashkëkurator i ekspozitës z. Buron Kaceli shprehu kënaqësinë për këtë ekspozitë e cila sipas tij është e rëndësishme për familjen e artistit, por edhe për të gjithë publikun.
“Më vjen mirë që këto vepra mes të cilave ka edhe disa të paekspozuara më parë, pas kaq vitesh kanë mundësinë të rishihen”, tha z. Kaceli
Studiuesi i artit z. Gëzim Qëndro u përpoq të ndajë me publikun një këndvështrim të patrajtuar më parë; atë që sheh artistin në marrëdhëniet e tij me kohën ku jetoi dhe fatin.
“ Sadik Kaceli ishte një njeri me fat, ai lindi në një familje të njohur tiranase e cila i krijoi atij kushtet për të ndjekur pasionin e tij për pikturën. A lindi në një qytet oriental i cili u kthye në nyjen lidhëse mes lindjes dhe perëndimit dhe jetoi në një kohë kur lindja e pranoi luftën e humbur me perëndimin. Sadik Kaceli jetoi në një kohë ngjarjesh të mëdha historike dhe kulturore. Pasioni i tij për një nga profesionet më perëndimore dhe studimet në një vend perëndimor, bënë që ai të dallohej menjëherë si piktor dhe kjo të reflektohej me medalje dhe çmime të rëndësishme të kohës. Me kthimin në Shqipëri ai tregoi një cilësi mjaft unike të karakterit të tij si artist. Kaceli ishte një paradigmë, një alkimi mes lindjes dhe perëndimit pa asnjë lloj traume kulturore. Edhe pse mbas vitit 1945 fati e la në baltë, ai me shumë pasion dhe përkushtim eksploroi përmes pikturës terrenin për të cilin kishte studiuar, poezinë e peisazhit shqiptar. Sadik Kaceli është një artist që ka të sigurt vendin në panteonin shqiptar”, tha ndër të tjera Qëndro
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 16 Nëntor 2014.
Sadik Kaceli lindi më 14 mars 1914 në Tiranë dhe ndërroi jetë në 24 dhjetor 2000 në Tiranë
Në vitet 1932 – 1936, nën drejtimin e pedagogëve Andrea Kushi, Mario Ridola dhe Abdurrahim Buza ndoqi “Shkollën e Vizatimit” në Tiranë.
Në vitin 1934 ai u zgjodh si një nga nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe sëbashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare, atje.
Me 12 prill 1936 Sadik Kaceli, pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, mori përgjigje pozitive për të ndjekur një akademi të rëndësishme të drejtuar nga Andre Lhote. Sadik Kaceli është një nga piktorët e vetëm shqiptar që studioi në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris. Në vitin 1941 kthehet në atdhe dhe filloi punë si mësues në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë ku punoi deri në vitin 1946 duke u bë një nga piktorët më të njohur në vendin tonë. Kaceli është autori i kartëmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, autori krijues i stemës së Republikës së Shqipërisë dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, në vitin 1946. Në Kinostudion “Shqipëria e re”, në vitin 1952, Kaceli realizoi një nga afresket në pjesën e sipërme të hollit hyrës. Nga viti 1946 deri në vitin 1973, Kaceli ka qenë pedagog në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në lëndë të ndryshme (vizatim, pikturë, histori arti, perspektivë etj) për shumë breza nxënësish.
Vepra “Lexuesja” e pikturuar në vitin 1947 është punimi i parë i koleksionuar në vitin 1955, në fondin e GKA. Koleksioni me vepra të Sadik Kacelit, që ndodhet në GKA përmban 45 punime në teknikat vaj, pastel, akuarel, tempera, vizatim dhe grafikë.




