Regjistri i Kredive është një bazë me të dhëna dhe informacione demografike dhe mbi angazhimet financiare, reale të personave që aplikojnë për kredi pranë një banke, dege të një banke të huaj të licencuar nga Banka e Shqipërisë apo pranë institucioneve të tjera kredidhënëse. Qëllimi kryesor i Regjistrit të Kredive është të ndihmojë në kryerjen e transaksioneve të shëndosha kredituese, nëpërmjet vënies në dispozicion të informacionit mbi kredimarrësit, si dhe nxitjes së efiçencës dhe sigurisë së procesit të kredidhënies.
Regjistri i Kredive?
Duke shërbyer si depozitues të dhënash mbi kredimarrësit, Regjistri i Kredive mundëson dhënien e informacionit të detajuar bankave ose institucioneve të tjera kredidhënëse dhe i ndihmon ato të marrin vendime më të mira në lidhje me kredidhënien. Në sajë të këtij regjistri, çdo bankë apo institucion tjetër kredidhënës është në gjendje të vlerësojë më mirë klientët, bazuar në aftësitë e tyre për të shlyer detyrime financiare, garancitë dhe besueshmërinë e tyre. Gjithashtu, regjistri ndikon në uljen e informalitetit në ekonomi, në rritjen e vëllimit të kredive, duke reduktuar koston dhe kohën e procesit të kreditimit, si edhe në rritjen ekonomike të vendit.
Pjesëmarrësit dhe funksionimi i Regjistrit të Kredive
Në mbledhjen dhe përditësimin e informacioneve të Regjistrit të Kredive, marrin pjesë të gjitha bankat apo institucionet e tjera kredidhënëse, të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Në momentin e paraqitjes së një kërkese për kredi, bankat përdorin informacionin e Regjistrit të Kredive për të verifikuar besueshmërinë dhe nivelin aktual të kreditimit të klientit të mundshëm, për ta financuar ose jo atë, si dhe për të përcaktuar kushtet e shlyerjes së kredisë. Regjistri i Kredive nuk merr vendime për kreditë dhe as nuk jep kredi për huamarrësit. Ai vetëm grumbullon të dhëna, i sistemon ato në bazën e të dhënave, si dhe rinxjerr informacionin demografik dhe të kreditit mbi aplikuesit për kredi, kur i kërkohet një gjë e tillë nga përdoruesit e autorizuar.
Regjistri i Kredive
Regjistri i Kredive përmban dy lloje kryesore informacioni:
-Të dhëna personale dhe demografike të nevojshme për identifikimin e personit, si për shembull emri, mbiemri, datëlindja, vendlindja, adresa e banimit dhe numri i një dokumenti identifikimi.
– Informacione mbi historikun e kreditimit të klientit, si për shembull banka/t kredituese, lloji i kredisë, shuma e kredituar, shuma e humbjeve të mundshme, lloji i valutës etj..
Përdorimi dhe marrja e informacionit
Përdorimi i informacionit të raportit personal të kreditit kufizohet vetëm për qëllim të vlerësimit të kredimarrësit, kur bëhet një aplikim për kredi nga ana e klientit. Kjo do të thotë se të dhënat personale nuk mund të përdoren për qëllime marketingu apo reklamimi, dhe se ato nuk i jepen palëve të treta të paautorizuara. Çdo person, rreth të cilit mbahet informacion dhe të dhëna në Regjistrin e Kredive, ka të drejtë që përkundrejt një pagese të arsyeshme, të informohet në rrugë zyrtare në lidhje me këtë informacion. Mjafton që t’i drejtohet Regjistrit të Kredive me një kërkesë me shkrim dhe brenda 10 ditësh nga depozitimi i kërkesës, personi do të pajiset me një kopje të informacionit të kërkuar.
Përfitimet e kredimarrësve nga Regjistri i Kredive
Raporti personal i kreditit është një pasqyrë e “shëndetit financiar” të individëve dhe bizneseve. Nëse Regjistri i Kredive reflekton një historik pozitiv krediti të dikujt, domethënë nëse kredimarrësi ka qenë i rregullt në shlyerjen e kredive të mëparshme, kur ai kërkon kredi nga burimi i tij financiar, përfiton shërbime më të shpejta dhe me interesa më të ulëta. Norma më të ulëta të interesit për një aplikues të caktuar vijnë si rezultat i rrezikut më të ulët të kreditimit që ai përfaqëson, krahasuar me dikë që është vazhdimisht me vonesë në shlyerjen e detyrimeve të tija financiare.
Sa të sigurta janë bonot e thesarit
Bonot e thesarit emetohen dhe garantohen nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ato shiten nëpërmjet ankandeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë. Bonot janë emetuar përherë të parë në korrik të vitit 1994 dhe janë një nga instrumentet e borxhit të brendshëm të Qeverisë. Bonot e thesarit emetohen në monedhë kombëtare (Lek) dhe kanë afate maturimi 3, 6 dhe 12-mujore. Me afat maturimi kuptojmë diferencën në kohë midis datës së investimit dhe datës së kthimit të investimit. Për bonot e thesarit me afat maturimi 3-mujor ankandet organizohen çdo javë ditën e martë, ndërsa me afat maturimi 6 dhe 12-mujore organizohen çdo dy javë po ditën e martë. Veprimet për pjesëmarrje të individëve në blerjen e bonove të thesarit kryhen gjatë çdo ditë-pune. Shuma minimale për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është për momentin 300.000 lekë dhe rritet me shumëfisha me 10.000 lekë. Ky nivel ka tendencë rritjeje. Individët mund të marrin pjesë në blerjen e bonove të thesarit me paraqitjen e tyre nëpërmjet sporteleve të hapura nga Banka e Shqipërisë, si dhe nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Individët duhet të paraqiten me një nga dokumentet identifikuese si letër njoftim, pasaportë, certifikatë personale me fotografi, për të kryer veprimet që lidhen me bonot e thesarit. Bonot e thesarit ofrojnë më shumë mundësi fitimi në krahasim me investimin në depozita bankare.




