Miroslav Holub
Zogu
Zogu që çukit sekondat.
Zogu që gëlltit minutat.
Zogu që tret e tret orët
Zogu i kujtesës që ia rikthen
Së tashmes tingullin
Tashmë të shuar, të kambanës.
Zog i robëruar në një qese
Kartë, zog i zënë në një zamkë
Lotësh, zogu që rreh krahët
Në një birucë të thellë librash,
Zogu si një skllav i germave
Që janë skllevër të kujtesës,
Një zog që krejt e fshiu
Përmasën e katërt të peizazhit,
Dhe cicërin tashmë brenda së jashtmes
Zogu i vogël skelet, zogu i brishtë
i pistë i kraharorit
Zogu me pendë të papraruara
Zogu i gozhdës së ngulur në mur,
Zog për shkak të të cilit,
Kurrë s’do ketë më paqe
Mësuesi
Toka rrotullohet,
Thotë nxënësi.
Jo, Toka rrotullohet
Thotë mësuesi.
Ky gjethi yt ka humbur në blerim,
Thotë nxënësi.
Jo, ky gjethi yt ka humbur në blerim,
Thotë mësuesi
Dy dhe dy bëjnë katër,
Thotë nxënësi,
Dy dhe dy bëjnë katër,
E korrigjon mësuesi.
Sepse mësuesi e di më mirë.
Nën mikroskop
Edhe këtu ka peizazhe ëndrre,
Hënore, të braktisura.
Edhe këtu masat
Lërojnë tokën.
Dhe qeliza, luftëtarë
E japin jetën
Për një këngë.
Edhe këtu ka varreza,
Famë dhe dëborë
Madje ndiej mërmërima;
Revoltën e klasave të pafundme.
Skenë me njerëz dhe fyej
Për vite më radhë, binte borë nga zemra.
Ne vazhdonim; heje akulli në vend të klarinetës,
Ngjethej fyelli nën pallto. Mbi një peizazh plot vrima
Binte errësira. Seç qe një derr
Pas kodrës, në agoni të vdekjes. Vetëm heshtje.
Që trashej; asnjë shenjë muzike.
Kemi gjithë jetën,
Që luftojmë nëpër pirgje bore,
Nga porta në portë, majtas-djathtas.
Dhe në fund fare,
Pa frymë, pa mendime; pra
Pa peshë, në krejt atë heshtje
Dikush i ra borisë.
Boria, si thëngjill muzike. Boria,
Vetë muzika.
Ndaj dhe rruga, bora,
Skena dhe heshtja
Mund të zbriten
Prej përjetësisë
Mjellmat në fluturim
Është si dhunë që i bëhet atmosferës; sikur Mikelanxhelo të
Zgjaste dorën që prej gurit. Gjithë mjellmat e kontinentit ngrihen
Njëkohësisht në fluturim, të ndërlidhura nga një qark i vetëm.
Sillen në rrathë, kjo do të thotë se po vjen ushtria e Fortinbrasit,
Se Hamleti do shpëtojë dhe aktorët do luajnë një tjetër akt. Në të
Gjitha përkthimet, në gjithë teatrot, pas gjithë perdeve, pa mëshirë.
Tashmë aktorëve po u dalin krahët kundër fatit.
Të rezistosh; kjo është gjithçka!
Ç’mendim ka Minotauri për Poezinë
Sigurisht që kjo gjë ekziston. Sepse
ndonjë natë të errët kur eci, i paparë,
përmes dredhave kërmillore të rrugës
zëri i bulërimës sime arrin tek unë
nga largësi e madhe.
Po. Kjo gjë ekziston. Sigurisht
edhe gjinkalla njëherë e një kohë kishin shtat gjigant
dhe sot mund të gjesh nën guralecë,
çerdhe mamuthi. Toka, natyrisht,
është më e lehtë se njëherë e një kohë.
Përveç kësaj, evolucioni s’është asgjë veç
Një varg i gjatë hapash të gabuar;
Dhe mund të ndodhë që një kokë e prerë
Këndon.
Dhe kjo s’mund t’i mvishet shpikjes së fjalëve
Si shumë vetë besojnë. Gjaku
në cepat e gojës është më i lashtë
në thelb dhe bërthamat e planetëve shkëmborë
nxehen nga skërmitje dhëmbësh
Sigurisht
Sepse
Një mijë buaj duan të jenë
Njerëz.
Dhe anasjelltas
Përktheu: Edion Petriti
Marrë nga Aleph 17, 2009





