Gjykata e Gjirokastrës arrest shtëpie për dy gra, liron dy burra, pesë të tjerë i lë arrest në burg
Gjykata e Shkallës së parë e Gjirokastrës dha dje masën e sigurisë për 9 personat e arrestuar pas konfrontimit me policinë pakë dite më parë në Lazarat. Për pesë nga të arrestuarit, kjo gjykatë vendosi masën “arrest me burg”, dhe për dy të tjerë u vendos masa “detyrim paraqitje”. Ndërsa, sipas gjykatës, gruaja dhe kunata e Gate Mahmutajt, Natasha dhe Marjana Mahmutaj do të rrinë në “arrest shtëpie”. Këta persona u arrestuan sepse dyshohet se nxitën nxënësit në sulmin ndaj policisë.
Seanca
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm gjykata e Gjirokastrës nisi seancën për dhënin e masave të sigurisë për 9 persona të arrestuar pak ditë më parë në fshatin Lazarat pas një përplasje mes policisë dhe disa banorëve të fshatit. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Fillimisht u bë vlerësimi i masës së sigurisë për dy gratë e arrestuara, Natasha dhe Marjana Mahmutaj, përkatësisht kunata dhe bashkëshortja e Gate Mahmutajt, të cilat u lanë në “arrest shtëpie”. Më aps gjykata procedoi me shtatë të arrestuarit e tjerë. Në përfundim të vlerësimit të masës së sigurisë ndaj tyre, sipas Blerta Çibukut, gjyqtare e gjykatës së Shkallës së parë në Gjirokastër, nga nëntë të arrestuar disa ditë më parë, pesë prej tyre do të qëndrojnë në qeli, ndërsa për dy të tjerët u dha si masës sigurie, “detyrim paraqitje”. Mësohet se personave që iu është komunikuar vendimi i dhënë nga gjykatësja Blerta Çibuku, për “detyrim paraqitje”, kanë qenë Altin Bejko 40 vjeç dhe Ilijaz Boçi 47 vjeç të akuzuar, për kundërshtim të forcave të policisë. Ndërsa pas qelive të burgut, kanë qëndruar Çaush Koçiu, Elton Gërveshi, Arnold Boçi, Gurim Toti dhe Kanan Cako. Për këta të fundit, edhe prokurori i çështjes Gjon Fusha, ka kërkuar masën e arrestit “burg pa afat”, për shkak të zgjatjes së veprimeve verifikuese në terren, që të vërtetojnë përfshirjen e tyre direkte apo indirekte në trazirat e javës që kaloi në Lazarat. Avokatët mbrojtës të nëntë të arrestuarve kanë kërkuar lirimin e klientëve të tyre në sallën e gjyqit. Ata u shprehën se do të apelojnë vendimin pasi sipas tyre, të gjithë personat e arrestuar, nuk kanë lidhje me incidentin e mesditës së mërkurë në Lazarat.
Të arrestuarit
Të nëntë personat që dje dolën ara gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës, për vlerësim mase të sigurisë ndaj tyre, u arrestuan nga policia, një ditë pasi lazaratasit u konfrontuan me uniformat blu, në fshatin e tyre. Mes të arrestuarve, për nxitje dhune, ishin edhe dy gra Marjana Mahmutaj dhe Natasha Mahmutaj, respektivisht, bashkëshortja e Gate Mahmutajt, i bërë i njohur për rezistencën ndaj policisë, gjatë aksionit në Lazarat. Sipas policisë, u arrestuan në flagrancë edhe Çaush Koçiu, vjeç 21, banues në Lazarat, Gjirokastër; Altin Bejko, vjeç 40, banues në Lazarat, Gjirokastër; dhe Elton Gërveshi, vjeç 37, banues në Lazarat Gjirokastër. Këta persona, sipas policisë, u prangosën për nxitjen e dhunës gjatë konfrontimit të policisë me banorët e fshatit Lazarat. Sipas policisë, u arrestuan edhe Arnold Boçi, vjeç 19, banues në Lazarat, Gjirokastër; Gurim Toti, vjeç 20, banues në Lazarat, Gjirokastër; dhe Kanan (Adnand Cako), vjeç 25, banues në Lazarat, Gjirokastër. Arrestimi i tyre u bë pasi më datën 08.10.2014, rreth orës 13:30, në Lazarat, Gjirokastër, këta shtetas kanë nxitur nxënësit e shkollës Muhamet Gjollesha në Lazarat dhe së bashku me ta kanë sulmuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë në detyrë dhe kanë dëmtuar automjetet e policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Njëkohësisht u arrestuar në flagrancë Iliaz Buci, vjeç 48, nga Lazarati, pasi ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë gjatë kontrollit në pikën e kontrollit të ngritur në Kordhocë nga ana e efektivave të policisë.
Përplasja me policinë/ Gjimnazistët e Lazaratit, kundër prezencës së policisë
Prania e forcave të policisë në Lazarat për disa ditë me radhë, që pas operacionit anti-cannabis, ka nxitur disa ditë më parë, një protestë të gjimnazistëve të këtij fshati, kundër policisë. Fillimisht nxënësin dolën të qetë dhe me pankarta në duar, duke kërkuar largimin e forcave të policisë, por më pas situata u acarua. Pati përplasje mes tyre dhe dy punonjës police u lënduan me gurë, ndërsa pati edhe dëmtime të mjeteve. E gjithë situata e tensionit zgjati rreth 30 minuta.
Situata u qetësua disi edhe në brendësi të fshatit, pas shtimit të forcave të policisë. Pas rreth një ore në fshat u futën blindat e policisë, kurse protestuesit u larguan. Forcat e policisë të rikthyera më të shumta në numër, nisën kontrollet si dhe shoqëruan e arrestuan edhe disa persona. Prej disa muajsh në fshatin Lazarat ka prani të shtuar të forcave të cilat qëndruan aty në përfundim të aksionit për shkatërrimin e parcelave me hashash. Gjatë kësaj kohe, mbi 100 persona janë arrestuar nga policia në këtë aksion dhe i gjithë fshati është nën kontrolle të vazhdueshme për kapjen e personave te tjerë qe u identifikuan si sulmues me armë të policisë.
Masat e sigurisë
Akuzuar për nxitje dhe kundërshtim të policisë
Natasha Mahmutaj, arrest shtëpie
Marjana Mahmutaj, arrest shtëpie
Altin Bejko, detyrim paraqitje
Ilijaz Boçi, detyrim paraqitje
Akuzuar për nxitje dhe sulm ndaj policisë
Çaush Kociu, arrest me burg
Elton Gërveshi, arrest me burg
Arnold Boci, arrest me burg
Gurim Toti, arrest me burg
Kanan Cako, arrest me burg




