Raporti sekret për SHISH-in/ Zbardhen emrat nga PS dhe PD që janë përgjuar

Emisioni “Opinion” zbulon pjesë të raportit sekret të komisionit hetimor për kontrollin në SHISH. Përgjimi ndaj zyrtarëve të lartë, indirekt

shish ndertesa godina Zbardhen detaje nga raporti sekret i Komisionit parlamentar të Sigurisë pas kontrollit që zhvilloi në Shërbimin Informativ Shtetëror. Në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në “TV Klan”, mbështetur mbi burime të sigurta që ishin në dijeni të brendisë së këtij raporti, i cili u zhvillua vetëm nga deputetët e mazhorancës së majtë, u bënë të ditura dje një pjesë e emrave që janë përgjuar nga SHISH. Në këtë raport janë evidentuar 33 persona me imunitet që kanë qenë pre e përgjimit, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë në përgjim të drejtpërdrejtë, por në përgjim indirekt nga biseda me personat që kanë biseduar. Sipas raportit sekret, i cili mban firmën e kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, dhe është kryer nga deputetët Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu dhe Pirro Lutaj, të gjitha përgjimet janë bërë përmes firmës së kryeprokurorit Llalla. Në listën me emra të raportit janë thuajse 25 deputetë të mazhorancës dhe disa të opozitës së sotme që janë përgjuar, ku midis tyre figurojnë edhe emrat e Kryeministrit Rama, Kryeparlamentarit Meta si edhe kryedemokratit Basha. Në 5 faqe të raportit janë të përfshirë edhe disa emra shumë të njohur, investitorë të mediave apo gazetarë me ndikim në opinion, madje edhe emra prokurorësh të përgjuar po me autorizim të Prokurorisë. Sipas burimit të emisionit, përgjimet janë kryer në harkun kohor dhjetor 2012 deri më korrik 2014, ku ndërkaq theksohet se dokumentet që janë gjetur, përbëjnë, theksojnë hartuesit e raportit, vetëm 5 për qind të akteve të përgjimit. Pikërisht në këtë pikë ka nisur edhe debati mes Komisionit parlamentar hetimor dhe drejtuesve të SHISH-it. Komisioni hetimor ka kërkuar që të hyjë në ambientet e brendshme të përgjimit, pikërisht në brendësi të softit ku kryhen përgjimet dhe jo thjesht në zyrat ku protokollohen autorizimet e prokurorëve dhe ku regjistrohen numrat e përgjuar direkt apo indirekt. Ata besojnë se hyrja në soft mund t’i çojë në të dhëna të tjera, por SHISH ka refuzuar ta bëjë këtë. Sipas ligjit, softi i përgjimeve i instaluar në vitin 2005 me ndihmën e shërbimeve sekrete britanike dhe i vënë në përdorim në vitin 2008, përbën sekret shtetëror të shkallës më të lartë dhe ai nuk mund të preket as nga përfaqësuesit e Parlamentit. Në këtë rast, ai që duhet të autorizojë ndërhyrjen është Kryeministri, por ky i fundit ka refuzuar të mbajë një qëndrim për këtë çështje.

 

Emrat

Në listën e gjendur në raportin sekret të komisionit hetimor, me emrat e personave me imunitet apo atyre publikë që kanë qenë nën përgjim janë të përfshirë deputetë të mazhorancës, duke nisur nga Kryeministri Rama dhe Kryeparlamentari Meta e më pas tek ministrat Saimir Tahiri, Erion Veliaj. Lista vazhdon më pas me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule e me radhë, deputetët socialistë Tom Doshi, Ben Blushi, Taulant Balla, Besnik Bare, Paulin Sterkaj, Armando Prenga, Mark Frroku, Ilir Beqaj dhe Pjerin Ndreu. Po ashtu në raport janë të përfshirë edhe emra të përfaqësuesve të së djathtës, si kreu i PD-së, Lulzim Basha, deputeti Astrit Patozi, ish-deputeti Ilir Rusmali dhe i ndjeri Sokol Olldashi. Ndërkaq, në emision u theksua, duke u bazuar tek burimi i cili bëri të ditur detajet e raportit, se këta emra janë vetëm një pjesë e atyre që janë përgjuar, pasi gjithsej janë 33 persona me imunitet që janë përgjuar. Lidhur me këtë çështje, SHISH ka pohuar më parë se asnjë person me imunitet nuk është përgjuar dhe se përgjimet janë bërë sipas ligjit.

 

Cilat janë agjencitë që kanë të drejtën të përgjojnë

Pajisja e përgjimit ndodhet vetëm në Prokurori

Krahas SHISH-it, janë 6 agjenci që kanë të drejtën të përgjon, si:

SHIU – Shërbimi Informativ Ushtarak

Njësia e Inteligjencës Financiare

Shërbimi i Kontrollit të Ministrisë së Brendshme

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve

Departamenti Operativ Hetimor

Drejtoria e Hetimit Tatimor

 

Biseda Dule-Bollano

Sipas raportit sekret të komisionit hetimor për SHISH, në përgjim është edhe një bisedë mes kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule dhe Vasil Bollanos, ku flitet lidhur me marrëveshjen e arritur mes kryetarit të PS-së dhe atij të LSI-së. Në këtë bisedë, të zhvilluar para prillit kur u bë publike marrëveshja PS-LSI, Dule kishte njoftuar Bollanon se Rama dhe Meta kishin lidhur marrëveshjen mes tyre për të dalë bashkë në zgjedhje.

 

Meta: Jam në dijeni të raportit paraprak, në përfundim, kush ka bërë shkelje, do përgjigjet

Kreu i Kuvendit Ilir Meta komentoi dje në emisionin “Top story” raportin e komisionit hetimor për veprimtarinë e SHISH-it, duke pohuar se është në dijeni të pjesës paraprake të tij, duke theksuar se duhet të pritet përfundimi i punës së këtij komisioni që nuk ka përfunduar ende. “Komisioni ka mbledhur një informacion paraprak që unë e disponoj, por ata janë në përpjekje për ta çuar në fund punën e tyre. Unë mbaj një qëndrim të rezervuar, pasi nuk mund të debatoj çështje të tilla në publik. Qeveria dhe Kryeministri kanë mjetet për të vepruar”, – tha ai. Më tej, Meta theksoi: “Unë nuk kam qenë partizan i çështjeve të shërbimit sekret dhe besoj se Kryeministri duhet ta lexojë këtë raport dhe të nxjerrë konkluzionet e tij”. Ndërkaq, i pyetur se nëse përgjimet janë bërë në shkelje me ligjin, do të mbajë mazhoranca një qëndrim ndaj krerëve të SHISH, Kryeparlamentari pohoi: “Ne do presim qetësisht rezultatet dhe çdo njeri që ka bërë shkelje do të përgjigjet për to”.

 

 Farkë/ Rama inspekton punimet për shëtitoren: Rehabilitojmë edhe Liqenin Artificial

Kryeministri Rama inspektoi dje ecurinë e punimeve për ndërtimin e shëtitores përgjatë liqenit të Farkës, një projekt i cili pritet t’i japë zonës një dimension të ri urban. Sipas kreut të qeverisë, me rehabilitimin dhe risistemimin e gjithë zonës së liqenit të Farkës, kryeqyteti me ndarjen e re territoriale do të ketë më shumë pole zhvillimi dhe një përmasë të gjelbër të re të munguar: “Në fakt në projektin që u bë për Tiranën edhe ky liqen edhe ai i Paskuqanit konsiderohen si pole strategjike zhvillimi, që jo vetëm janë më intensive sesa liqeni i sotëm, liqeni i Tiranës, Liqeni Artificial, por edhe për të krijuar një përmasë të gjelbër të munguar”, – tha ai. Po ashtu Kryeministri bëri të ditur dhe projektin për rehabilitimin e Liqenit Artificial të Tiranës, ku tha: “Ne kemi dhe një projekt që do të fillojë tani së shpejti të rehabilitimit të Liqenit Artificial, sidomos të pjesëve të thata, të cilat shikohen si zona atraktive për zaptime, për ndërtime pa leje. Projekti parashikon veshjen e tyre, prishjen e ndërtimeve abuzive dhe në një farë mënyre vendosjen nën mbrojtje përfundimtare të asaj zone. Pas këtij projekti do të vazhdojmë më tutje për të pasur projekte të plota dhe të integruara. Do të fillojmë me pistën e vrapimit te liqeni i Tiranës, por dhe këtu nuk do të ishte keq të projektohej një pistë vrapi sado e vogël”, – u shpreh Kryeministri. Ndërkaq, kryetari i Komunës së Farkës e vlerësoi mbështetjen e qeverisë për këtë investim dhe u shpreh se ky park i ri që shtohet i jep dimension të ri vetë kryeqytetit. “Është një park me perspektivë në gjithë Tiranën. Gjithë shëtitorja ka nënkalime që ujërat e shiut të kalojnë nën të, ujërat e zeza janë me tubacione të përcaktuara. Do të ketë shkurre dhe pemë dekorative”, – tha ai.

 

 

 

 

 

Share it :